Portierët e skuadrës kombëtare të Zvicrës janë duke përdorur një “truk”, të pazakontë në stërvitje, ndërsa po përgatiten për ndeshjen e tyre çerek-finale përballë Anglisë.
Portieri i parë i skuadrës Yann Sommer është vërejtur duke mbajtur syze të errëta gjatë stërvitjes. Edhe portieri i dytë i ekipit, Gregor Kobel u pa duke mbajtur këto syze.
Ndaj mendimi se portierët po mbajnë syze të errëta thjesht për t’u mbrojtur nga dielli, duket se ka rënë poshtë. Sipas The Sun, syzet speciale me bateri mund të krijojnë efekt të ngadaltë kur goditet topi dhe mund të ndihmojnë portierët të përmirësojnë vetveten. Syzet duket se po sjellin sukses.
Zvicra ka pësuar vetëm 3 gola deri tani në Euro 2024 dhe nuk ka pësuar asnjë gol në ndeshjen ndaj kampionëve në fuqi, Italisë. Portieri Sommer ka punuar me metoda të ngjashme edhe në Europianin e vitit 2020. Këto syze të prodhuara në Japoni kushtojnë 400 euro dhe janë përdorur edhe nga lojtarë të tenisit e të bejsbollit.
Zvicra ka shansin të arrijë në gjysmë-finale të një Kampionati Europian, për herë të parë në historinë e këtij kompeticioni. Ekipi zviceran kujtojmë se ka bërë paraqitje tepër të mira me Gjermaninë dhe Italinë.