Kosova e shënoi më 12 qershor 25-vjetorin e Ditës së Lirisë apo Çlirimit të Kosovës, kur trupat paqeruajtëse të NATO-s hynë në Kosovë pas fushatës ajrore të aleancës veriatlantike kundër caqeve ushtarake e policore serbe në Kosovë dhe Serbi.
Ish-presidenti i Shteteve të Bashkuara, Bill Clinton, shkroi në rrjetin social X se ndihet mirënjohës për 25 vjet paqe në Kosovë.
Clinton është nderuar në Kosovë për kontributin e tij në çlirimin dhe pastaj pavarësimin e vendit nëntë vjet më pas. Në Prishtinë, në sheshin e emëruar për nder të Clintonit ndodhet edhe një shtatore e tij, ndërsa aty afër është hapur edhe një dyqan rrobash i emëruar Hillary, për nder të Zonjës së Parë të atëhershme të SHBA-së, Hillary Clinton.
Clinton luajti rol kyç në çlirimin e Kosovës më 1999, pasi punoi me aleatët e tjerë të NATO-s për ndërmarrë veprime ushtarake në mbrojtje të popullit të Kosovës.
“Mund t’i raportoj popullit amerikan se kemi shënuar fitore – për një botë më të sigurt, për vlerat tona demokratike dhe për një Amerikë më të fortë”, tha Clinton 25 vjet më parë.
Ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeffrey Hovenier, e uroi popullin e Kosovës për Ditën e Çlirimit dhe theksoi se Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të qëndrojnë përkrah popullit kosovar.
“Tani, 25 vjet më vonë, ne jemi krenarë për gjithçka që keni arritur. Ju e keni ndërtuar shtetin tuaj sovran, demokratik dhe shumetnik nga themeli. Ajo që e keni arritur ju, është e jashtëzakonshme”, tha Hovenier.
Ai theksoi në një video mesazh të publikuar në rrjetin social X se Shtetet e Bashkuara janë krenare që janë partneri i Kosovës në ditën kur ajo e shënon njërin prej momenteve më të rëndësishme në historinë e vet.
“Dua të theksoj se përkushtimi i Shteteve të Bashkuara të Amerikës ndaj popullit të Kosovës është po aq i fortë dhe i qëndrueshëm si gjithmonë. Ne qëndrojmë pranë popullit të Kosovës kundër autoritarizmit; kundër përpjekje për ta shtypur apo ndarë shoqërinë në vija etnike ose fetare; kundër shkatërrimit me dhunë të jetës dhe jetesës së njerëzve kundër vullnetit të tyre. Ne qëndrojmë me krenari dhe plotësisht përkrah popullit të Kosovës”, shtoi ai.
Ambasadori gjerman në Prishtinë, Jorn Rohde, tha se Gjermania është dhe do të mbetet ndër partnerët më të ngushtë të Kosovës.
“Sot, para 25 vjetëve, nisi misioni i NATO-s, KFOR. E citoj ish-sekretarin britanik të Mbrojtjes dhe ish-shefin e NATO-s, Lord Robertson: Synimi ishte largimi i forcave të Millosheviqit, futja e NATO-s dhe kthimi i refugjatëve. Misioni u kompletua. Pavarësia u shpall më 2008 dhe është storje e suksesit”, shkroi ai.
Dita e Çlirimit u shënua me disa ceremoni, përfshirë mbajtjen e një seance solemne në Kuvendin e Kosovës, si dhe parakalimin e njësive të Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe të Policisë së Kosovës.
Të mërkurën u bënë 25 vjet nga dita kur forcat paqeruajtëse të NATO-s hynë në Kosovë, duke shënuar fundin e luftës që la më shumë se 13.500 njerëz të vrarë, kryesisht shqiptarë.
Fushata bombarduese e NATO-s, që zgjati 78 ditë, përfundoi më 10 qershor 1999, pas miratimit të Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB), me kapitullimin e Serbisë dhe tërheqjen e forcave të saj nga Kosova.
Rezoluta 1244 e OKB-së në Kosovë vendosi administratën e përkohshme të OKB-së, UNMIK, për të administruar me vendin e shkatërruar nga lufta, për një periudhë transitore deri në ngritjen e kapaciteteve vendore dhe zgjidhjen e statusit të Kosovës.
Ajo, po ashtu, siguroi bazën ligjore për vendosjen e 50.000 trupave paqeruajtëse të udhëhequra nga NATO-ja për ta siguruar paqen në Kosovë, që njëherësh ishte edhe misioni më i madh paqeruajtës i Aleancës veriatlantike.
Vendosjes së trupave paqeruajtëse i parapriu Marrëveshja Teknike e Kumanovës, që parashihte tërheqjen e të gjitha forcave serbe nga Kosova dhe hyrjen e trupave ndërkombëtare të NATO-s në Kosovë.
Tërheqja e plotë e trupave serbe përfundoi më 20 qershor 1999.
Ushtarët e parë që u futën brenda territorit të Kosovës më 1999 ishin pjesëtarë të ushtrisë norvegjeze. Ata ishin pjesë forcave paqeruajtëse nga 36 vende të botës – prej të cilëve 30.000 ishin të shteteve të NATO-s – që erdhën në Kosovë.
Me hyrjen e trupave ndërkombëtare u mundësua kthimi në shtëpitë e tyre i më shumë se 800.000 refugjatëve, persona të zhvendosur brenda dhe jashtë Kosovës, të dëbuar nga shtëpitë e tyre, që po strehoheshin në kampe në Shqipëri dhe Maqedoni të Veriut, si dhe largimin e serbëve nga Kosova.
Nga ana tjetër, tërheqja e forcave serbe çoi në shpërnguljen e rreth 164.000 serbëve nga Kosova.
Ndërhyrja ushtarake e NATO-a ndodhi pas gati një dekade përpjekjesh diplomatike ndërkombëtare për t’i ndalur luftërat në ish-Jugosllavi. Në Kosovë, asaj i parapriu Konferenca e Rambujesë dhe e Parisit, ku Serbia refuzoi kompromisin që të ndalte dhunën e forcave të saj në Kosovë.
Në luftën e viteve 1998-’99 janë vrarë më shumë se 13.000 persona dhe janë zhdukur më shumë se 6.000 persona.
Qindra shqiptarë të vrarë nga Kosova janë gjetur në varreza masive në Serbi. Trupat e tyre janë bartur nga forcat serbe me qëllim që të fshihen krimet.
Udhëheqësit politikë dhe ushtarakë të Serbisë janë arrestuar, gjykuar dhe dënuar nga Gjykata Ndërkombëtare e Hagës për ish-Jugosllavi për krimet kundër njerëzimit të kryera në Kosovë.
Ndër ta ishte edhe Slobodan Millosheviqi, i cili vdiq në burg pa arritur të dënohet për përgjegjësinë në urdhërimin e krimeve të luftës në Kosovë.
Sipas të dhënave, më shumë se 1.600 persona konsiderohen ende të pagjetur.
Njëzetepesë vjet pas hyrjes në Kosovë, numri i trupave të KFOR-it është zvogëluar dhe aktualisht në vend janë mbi 4 mijë trupa nga 28 shtete të botës.