“Manastiri i Deçanit dhe Pronat Shoqërore” është libri i radhës i botuar nga Shtëpia botuese “Jalifat Publishing” me seli nëHouston të Shteteve të Bashkuara të Amerikës
Ende pa filluar hartimin e këtij libri, kundërshtimi i komunitetit dhe i shoqërisë civile, pse jo edhe i institucionit komunal rreth oreksit të pakufishëm të Manastirit të Deçanit për zgjerimin e pronës së tij në dëm të ndërmarrjeve publike, gradualisht po më motivonte t’i qasesha kësaj çështjeje delikate e të dëmshme për Komunën e Deçanit.
Pasi kisha përcjell të gjitha aktivitetet kundërshtuese dhe pasi kisha mbledhur edhe materialet e nevojshme zyrtare që sqaronin ecurinë e kësaj çështjeje, kisha krijuar një projeksion se si të dilja para lexuesit, pushtetit dhe klerit të këtij manastiri për padrejtësinë që po u bëhej, jo vetëm këtyre dy ish-ndërmarrjeve shoqërore, të cilave po u merrej pasuria e tyre në mënyrë të paligjshme, por edhe të gjithë banorëve të Komunës së Deçanit.
Siç shihet edhe nga libri, zanafilla e kësaj problematike nis në vitin 1997. Është koha kur Kuvendi i Serbisë, pa asnjë të drejtë juridike, ia falë 24 hektarët e “APIKO-s” dhe “ILIRIA-s”, Manastirit të Deçanit. Në këtë periudhë Kosova ishte e pushtuar egërsisht nga Serbia që udhëhiqej nga Sllobodan Millosheviçi.
Pas luftës strukturat e UNMIK-ut, përfaqësues të përmendur me emër e mbiemër në këtë libër, e legjitimojnë këtë vendim dhe pas krijimit të zonës së veçantë për këtë manastir dhe pas futjes së tij nën mbrojtjen e UNESKO-s, nuk pushojnë asnjëherë presionin ndërkombëtar për bartjen e kësaj prone të falur padrejtësisht në hartat kadastrale të Manastirit. Për këtë qëllim presionet e ndërkombëtarëve prekin të gjitha institucionet vendore, duke i bërë disa prej tyre të parezistueshme, në radhë të parë Gjykatën Kushtetuese. Kjo gjykatë me datën 20 maj 2016 e quan të ligjshëm vendimin e UNMIK-ut dhe prej atëherë presioni rritet mbi institucionet komunale të Deçanit që ta bëjnë këtë bartje pronësie në emër të Manastirit.
Kohëve të fundit, për t’u bërë presioni edhe më i madh, Kosovës i kushtëzohet edhe pranimi në Këshillin e Evropës. Ky kushtëzim kërkon implementimin e dy çështjeve më të ndjeshme në hapësirën kosovare: bartjen e pronave të APIKO-s dhe ILIRIA-s në pronësi të Manastirit të Deçanit dhe themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
Në këtë situatë duket se Kosova përgjithësisht është vënë para aktit të kryer. Kjo dëshmohet edhe me deklarimin e ESI, të datës 5 mars 2024.
Prandaj, duke pasur të gjitha ato që janë dhënë në këtë libër qoftë si dokumente, fakte dhe interpretime, në fund të këtij libri do të shtronim disa pyetje dhe dilema publike, të paktën vetëm për çështjen e 24 hektarëve që Manastiri i Deçanit duket se do t’i posedoj përgjithmonë, ndonëse gjithë çështja ka nisur me vendime të paligjshme. Paligjshmëria ndonjëherë di të bëhet “e ligjshme”.
Bazuar në materien që ofron ky libër lindin spontanisht këto dilema:
Të gjitha këto pyetje e dilema gjejnë përgjigje edhe në këtë libër, por do të na vinte shumë mirë të kemi edhe opinionet e njohësve të rrjedhave politike qendrore dhe lokale, si dhe ato të lexuesit të zakonshëm.
Çdo mendim ndryshe, natyrisht i argumentuar dhe i dhënë publikisht, do të gjejë vend në një ribotim të mundshëm.
Msc. Adem Lushaj, autor i librit