Shkruan: Florim Zeqa 02.06.2024
Ditë më parë e bëra një shkrim publicitar për kandidatin shqiptar në zgjedhjet e Parlamentit Evropian, për një mediumi italian nga i cili e mora këtë përgjigje: “Caro Florim il tuo articolo mi è giunto e mi dispiace dirti che non potrò pubblicarlo in quanto la nostra testata ha rinunciato ai redazionali elettorali non aderendo alla comunicazione di propaganda politica” (I nderuar Florim, artikulli juaj më ka mbërritur dhe më vjen keq t’ju them se nuk do ta botoj dot pasi gazeta jonë ka hequr dorë nga editorialet elektorale duke mos iu përmbajtur komunikimit propagandistik politik).
Neutraliteti i medias në zgjedhje
Kjo është dëshmia më e mirë e respektimit të politikës redaktoriale të një mdiumi në shtetin e lirë dhe demokratik. Mirëpo tek ne në Kosovë, për të mos thënë fare të rralla janë gazetat dhe mediumet e pavarura që i qëndrojnë besnik misionit fisnik të gazetarisë moderne dhe pavarësisë editoriale për të ruajtur neutralitetin në fushata zgjedhore.
Pasi tek ne në Kosovë cenohet pavarësia e gazetarit dhe e mediumit në përgjithësi nga ndërhyrjet e qeverisë dhe partive politike, ku nga kërcënimet e grupeve të interesit deformohet misioni i shenjt të gazetarisë.
Neutraliteti mediatik e ndihmon mbarëvajtjen e procesit zgjedhor dhe parandalon abuzimet me votën e qytetarëve, pamundëson personalizimin e fushatës nga liderët populist. Pasqyrimi i drejt i fushatës zgjedhore dëshmon para publikut forcën reale mes dy blloqeve politike apo të ndeshjes së dy liderëve, duke i treguar pikëpamjet dhe programet politike, por jo edhe forcën e muskujve të politikanëve në garë.
Falë medieve servile, politikanët tonë për gjysëmshekulli kanë thyer rekorde duke mbetur në në pushtet përmes riciklimit politik nga njëra parti tek tjetra. Problemi nuk qëndron tek të ricikluarit, por tek populli që e di mirë kush janë dhe i voton!
Pse ndodh kështu?
Ndodh sepse, njerëzit e varfër të detyruar nga kushtet e vështira sociao-ekonomike, për të siguruar një vend të punës, regjistrimin në fakultet apo ndonjë privilegj tjetër më të vogël, i cili në rrethana normale është i garantuar nga shteti, detyrohen t’i vardisen çdo pushteti ose të ikin përgjithmonë nga ky vend, ngase alternativë tjetër nuk ekziston!
Gazetarët që i thejnë rregullat e parashtruara nga të fortët e politikës largohen nga puna për shkak të kritikave të qeverisë apo grupeve të interesit brenda partive të caktuara politike, kurse drejtuesit e mediave kërcënohen me mbyllje të aktivitetit informativ.
Mirëpo në këto raste, secili gazetarë duhet ta mbrojë kolegun e vet, duke raportuar rastin tek organet kompetente, duke u solidarizuar apo duke protestuar. Vetëm kështu mbrohet e vërteta dhe ruhet pavarësia e gazetarit dhe i medias në përgjithësi.
Gazetari është dhe mbetët vëzhguesi më i mirë i një procesi zgjedhor, duke raportuar çdo shkelje dhe parregullsi, çdo rënje dhe ngritje reale të partive gjatë procesit zgjedhor deri tek rezultati përfundimtar.
Gazetaria është kontinuitet i shoqërisë civile, besnike ndaj së vërtetës, për të zbuluar lajmin, edhe atëherë kur nuk shihet apo tentohet të fshihet nga të tjerët, duke i bërë gjithmonë të qartë lexuesit; kjo është e vërteta dhe ky është interpretimi im!