Administrata e Presidentit Joe Biden njoftoi të martën se do të hedhë në qarkullim 1 milion fuçi karburant nga një sasi rezervash e krijuar pas stuhisë Sandy, në një përpjekje për të ulur çmimet për konsumatorët.
Shitja e tyre do të bëhet gradualisht, me nga 100,000 fuçi njëherësh. Ky veprim do të aktivizojë një proces konkurrues tenderimi që synon shpërndarjen tek stacionet e karburantit përpara festës së 4 korrikut dhe shitjen me çmime konkurruese, tha Departamenti i Energjisë.
Kjo masë që sipas këtij departamenti synon të ndihmojë për “uljen e kostove për familjet dhe konsumatorët amerikanë”, pason një mandat nga Kongresi për të shitur të gjithë sasinë e këtyre rezervave.
Departamenti i Energjisë tha se shitja po bëhej në kohën e duhur për të ofruar lehtësim financiar për konsumatorët me fillimin e sezonit veror të udhëtimeve.
Çmimet e karburantit janë mesatarisht rreth 3.60 dollarë për gallon në mbarë vendin, 6 cent më shumë se një vit më parë.
Përdorimi i rezervave të karburantit është një nga masat e pakta që një president ka në dispozicion në përpjekje për të kontrolluar inflacionin, një problem madhor për partinë demokrate të presidentit në një vit zgjedhor.
“Administrata Biden-Harris është e përkushtuar që të ulë çmimet e karburantit për familjet amerikane, veçanërisht ndërsa fillojnë udhëtimet për sezonin e verës,” tha Sekretarja e Energjisë Jennifer Granholm në një deklaratë.
Sekretarja e shtypit e Shtëpisë së Bardhë, Karine Jean-Pierre tha se ky vendim është në vazhdën e përpjekjve të presidentit Biden “për të ulur kostot e gazit dhe energjisë”.
Zoti Biden përdori një sasi të konsiderueshme të Rezervave Strategjike të Naftës në vitin 2022, pas ndërhyrjes ruse të Ukrainës, duke i çuar ato në nivelin më të ulët që nga vitet 1980.
Kjo lëvizje e ndërmarrë në një vit zgjedhor ndihmoi në stabilizimin e çmimeve të karburantit që ishin rritur nga lufta në Evropë, por u kritikua nga republikanët që thanë se presidenti demokrat po bënte një lojë politike me një rezervë të destinuar për emergjencat kombëtare.
Që atëherë, administrata e Presidentin Biden ka marrë masa për plotësimin e rezervës së naftës, që numëronte 367 milionë fuçi naftë bruto javën e kaluar.
Kjo sasi është më e ulët se nivelet para luftës Rusi-Ukrainë, megjithatë mbetet rezerva më masive emergjente në botë e naftës bruto.