Ballina Kulturë N’zemër idealin e bashkimit kombëtar

N’zemër idealin e bashkimit kombëtar

Shkruan: Florim Zeqa        13.05.2024

Të shtunën e kaluar, në Ristorante Pizzeria “LA PAESANA FOR FAMILY” në Volpago (TV-Itali) u mbajt mbrëmje e ngrohtë muzikore me rapsodët popullor, vëllezërit Haxhi & Blend Buqaj dhe Nexhi Dragaj.

Prezentim dinjitoz i rapsodëve popullor

Viteve të fundit kudo në mërgatën tonë është bërë traditë e mirë e organizimit të mbrëmjeve muzikore me yjet e folklorit burimor shqiptar. Këto organizime janë me vlerë të shumfisht dhe shumëdimensionale të ruajtjes së traditave dhe zakoneve tona popullore, për faktin se të rinjët që jetojnë në mërgatë kanë nevojë për burim frymëzimi të pastër kombëtar.

Pra, të rinjët kanë nevojë të ushqejnë shpirtin me frymë të shëndoshë kombëtare e jo me kultura të huaja të cilat pa dashje na çojnë ka zhbërja dhe asimilimi kombëtar.

Ishte hera e parë e paraqitjes së rapsodëve Haxhi & Blend Buqaj dhe Nexhi Dragaj para mërgatës në Itali, të cilët e bën një përformancë të shkëlqyer me këngë të përzgjedhura nga repertoari i pasur i tyre burimor.

Përderisa politikanët i ndajnë heronjët dhe dëshmorët në baza partiake, rapsodët e ardhur enkas nga Kosova i bën bashkë heronjët duke iu këndur të gjithëve pa dallim rajoni apo zone operative të luftës çlirimtare ashtu siq janë ata bashkë në grupin e tyre folklorik.

Pjesëmarrja e pothuajse të gjitha moshave të bashkatdhetarëve në këtë mbrëmje muzikore, la për të kuptuar se, edhe pse me mijëra kilometra largë vendlindjes shqiptarët frymojnë shqip dhe vetëm shqip në gjuhën e embël amëtare.

Edhe në këtë eveniment muzikor u dëshmua se për shqiptarët më shumë vlerë ka ideali i bashkimit kombëtar se sa çdo lloj ideologjie fetare apo politike.

Sikurse që u bë realitet liria dhe pavarësia e Kosovës me bashkimin e forcave intelektuale dhe ushtarake, me bashkimin e pendës dhe pushkës, ashtu një ditë do të bëhet realitet edhe ideali i bashkimit kombëtar në një shtet të përbashkët shqiptarë.

Se sa do të jetë e largët apo e afërt ajo ditë, varet nga puna dhe përkushtimi ynë për ta çuar në vend amanetin e shumë brezave që punuan parreshtur, duke e mbajtur kështu të ndezur në shpirtin e tyre idealin e bashkimit kombëtar, i cili një ditë do të bëhet realitet i pranueshëm për botën e civilizuar dhe demokratike, si e vetmja alternativë e paqes dhe stabilitetit të përhershëm në hapësirat ballkanike. 

Pritje e ngrohtë vëllazërore 

Në fund, ia vlenë për të përshendetur nikoqirin, pronarin e lokalit Ristorante Pizzeria “LA PAESANA FOR FAMILY” në Volpago (TV), afaristin e mirënjohur Mario Zhuri nga Shkodra, të cilin duhet falenderuar për mikëpritjen e ngrohtë dhe vëllazërore. Do të mbetej i mangët ky shkrim, pa e permendur dhe falenderuar Kuzhinjerën me përvojë të gjatë në fushën e Gastronomisë, zonjen Antoneta Zhuri (Nëna e Marios) për ushqimet e shijshme tradicionale shqiptare.

Për mbarëvajtjen e kësaj mbrëmje u përkujdesën organizatorët: Florim Lumi, Ibrahim Buqaj dhe DJ Albi Lumi, të cilët gjatë tërë kohës ishin në nivelin e detyrës në pritjen, akomodimin dhe përcjelljen e mysafirëve.

Në mesin e mërgimtarëve të shumtë, prezent në këtë mbrëmje muzikore ishin afaristët: Bedri Suka, Imer Berisha, Mustafë Ahmetaj, Lirim Gashi, Smajl Gashi, Albert Gashi, Zenel Morina, Urim Buqaj, Gezim Buqaj, Balzano Vincenzo (Sports & Events) dhe Florim Zeqa (analist).

Duhet cekur, se enkas për këtë mbrëmje erdhën edhe mërgimtarë nga Gjermania, Zvicra dhe Kroacia të cilët na nderuan me pjesëmarrjen e tyre në këtë event muzikor.

Kjo mbrëmje do të mbahet gjatë në mend për organizimin e mirë, për ushqimet e shijshme dhe për atmosferën e krijuar nga rapsodët popullor Haxhi & Blend Buqaj dhe Nexhi Dragaj, të cilët me zërin e bukur prej bilbili i magjepsën bashkatdhetarët që ishin prezent në këtë natë të paharruar.