Ballina Aktualitet “Çdo hap i Shkupit varet nga përdorimi i emrit kushtetues”- Reagime nga...

“Çdo hap i Shkupit varet nga përdorimi i emrit kushtetues”- Reagime nga Greqia dhe Bullgaria

Reagime të forta nga Greqia dhe Bullgaria pas betimit të presidentes së re të Maqedonisë së Veriut, Siljanovska-Davkova, e cila përdori gjatë ceremonisë emrin e vjetër të vendit.

Të paligjshme, të palejueshme dhe provokuese! Kështu e karakterizoi kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis vendimin e presidentes së të Maqedonisë së Veriut,Gordana Siljanovska-Davkova që të përdorë emrin Maqedonia gjatë ceremonisë të betimit si presidente. Ai i bëri thirrje presidentes së re “të kthehet në detyrimet ligjore dhe në sjelljet, të cilat dalin nga roli i saj”, por edhe ka porositë se “çdo hap i Shkupit drejt Evropës” mes të tjerash varet edhe nga përdorimi i emrit kushtetues. “Zgjedhja provokuese e presidentes së re të Maqedonisë së Veriut që ta shkelë tekstin zyrtar të betimit dhe ta quajë vendin me emër të ndryshëm përfaqëson nismë të paligjshme dhe të palejueshme. Akt që e shkel Marrëveshjen e Prespës dhe vetë kushtetutën e shtetit të saj. Por edhe minimin e së ardhmes së shtetit”, është shprehur kryeministri i Greqisë, Kiriakos Mitsotakis.

Mitsotakis theksoi, se Demokracia e Re si opozitë votoi kundër Marrëveshjes së Prespës dhe paralajmëroi për problemet të cilat krijohen, por theksoi se tani si Qeveri e respektojnë nënshkrimin grek të marrëveshjes ndërkombëtare, detyruese për vendin. “Greqia refuzon mënyra të qeverisjes si këto me të cilat zonja Siljanovska e fillon mandatin e saj. Ne deklarojmë kategorikisht se nuk do të pranojmë gabime të tilla të papranueshme. Dhe përsërisim se çdo përparim në marrëdhëniet dypalëshe, si dhe çdo hap i Shkupit drejt Evropës, varet nga respektimi i sinqertë i asaj që është rënë dakord. Nga përdorimi i drejtë i emrit kushtetues të shtetit fqinj dhe natyrisht nga shmangia e provokimeve”, theksoi Mitsotakis.

Radev: Bullgaria nuk pranon deklarata që janë në kundërshtim me marrëveshjet e arritura

Reagime pas betimit të presidentes së re vijnë edhe nga Bullgaria. Në njoftimin e kryeministrit bullgar, Dimitar Gllavçev me rastin e marrjes së detyrë nga presidentja Gordana Siljanovska-Davkovës, thuhet, se Bullgaria nuk pranon deklarata dhe sjellje që janë në kundërshtim  me Marrëveshjen për Miqësi, Fqinjësi të mirë dhe Bashkëpunim të vitit 2017, ashtu edhe me marrëveshjet ndërmjet Bashkimit Evropian dhe Republikës së Maqedonisë së Veriut . Në të njëjtë linjë është shprehur edhe presidenti bullgar, Rumen Radev. “Bullgaria vazhdimisht dhe qartë e ka shprehur qëndrimin e saj se marrëveshjet duhet të zbatohen në mënyrë rigoroze. Jemi të bindur se perspektiva evropiane e Republikës së Maqedonisë së Veriut varet tërësisht nga zbatimi i marrëveshjeve ndërkombëtare në të cilat është anëtare, si dhe nga ajo e miratuar nga Këshilli Evropian në korrik 2022.”

MPJ: Orientim i qartë për respektimin e marrëveshjeve ndërkombëtare

Ministria e Punëve të Jashtme e Maqedonisë së Veriut konfirmon orientimin e qartë të vendit në respektimin pa mëdyshje të dispozitave kushtetuese si dhe të të gjitha obligimeve të ndërmarra ndërkombëtarisht, si respektimi i plotë i Marrëveshjes për Partneritet Strategjik ndërmjet Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Republikës së Greqisë e njohur si Marrëveshja e Prespës.

MPJ bën thirrje për kujdes nga të gjithë aktorët politikë, veçanërisht funksionarët e zgjedhur shtetërorë. “Gjatë shtatë viteve të fundit, dy vendet fqinje kanë zhvilluar një nivel jashtëzakonisht të lartë të dialogut politik, i cili ka rezultuar në një rritje të  bashkëpunimit ekonomik dhe në ndërtimin e marrëdhënieve pozitive mes qytetarëve. Këto përfitime rezultuan me anëtarësimin e vendit në NATO, hapjen e negociatave me Bashkimin Evropian, si dhe avancimin e Partneritetit strategjik në Dialog strategjik me SHBA-në. Bëjmë thirrje për kujdes nga të gjithë aktorët politikë, veçanërisht funksionarët e zgjedhur shtetërorë. Ruajtja e kursit euroatlantik të vendit është interes themelor strategjik dhe garantues i sigurisë dhe stabilitetit afatgjatë të vendit”, thekson MPJ-ja.

Kurse ministri aktual i Drejtësisë, Krenar Lloga pretendon se betimi i Siljanovska Davkovës është i pavlefshëm. “Mosrespektimi i emrit kushtetues të shtetit e bën të pavlefshëm betimin e Siljanovskës”, thotë Lloga dhe shton se në një rast të tillë ose duhet të përsëritet procedura ose pozita e kryetarit të shtetit të merret nga kryetari i Kuvendit, Jovan Mitrevski. Politikai Arbër Ademi nga BDI-ja veprimin e presidentes e ka vlerësuar si shkelje kushtetuese.