Ballina Aktualitet Netanyahu: Ofensiva në Rafah do të kryhet, me ose pa marrëveshje për...

Netanyahu: Ofensiva në Rafah do të kryhet, me ose pa marrëveshje për armëpushim

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu u zotua të martën se do të nisë ofensivën ndaj Rafahut, qytet në jug të Gazës, ku kanë gjetur strehë më shumë se gjysma e popullatës prej 2.3 milionë banorësh të rajonit.

Komentet u bënë vetëm disa orë përpara se Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken, të mbërrijë në Izrael, për të diskutuar ndër të tjera edhe rreth armëpushimit.

Ky raund negociatash, po shihet si nga më seriozët e zhvilluar ndonjëherë mes Izraelit dhe Hamasit që nga fillimi i luftës rreth 7 muaj më parë.

Marrëveshja synon lirimin e pengjeve, lehtësimin e gjendjes së popullatës në Gazë si dhe shmangien e ofensivës izraelite në Rafah, çka mund të rriste edhe më tej numrin e viktimave palestineze.

Zoti Netanyahu tha se Izraeli do të hynte në Rafah për të shkatërruar batalionet e Hamasit, pavarësisht nëse do të arrihej ose jo një marrëveshje për armëpushim. Komentet dukej se kishin për qëllim të qetësonin partnerët e tij në qeverinë nacionaliste, por nuk ishte e qartë nëse ato do të kishin ndonjë ndikim tek një marrëveshje që mund të arrihej me Hamasin.

“Ne do të hyjmë në Rafah dhe do të eliminojmë batalionet e Hamasit atje me ose pa marrëveshje, me synimin për të arritur fitoren e plotë”, thuhej në një deklaratë të zyrës së kryeministrit.

Zoti Netanyahu është përballur me presion nga partnerët e tij në qeveri, të cilët nuk duan që marrëveshja të pengojë Izraelin për të kryer një sulm në Rafah, i konsideruar si bastioni i fundit i madh i Hamasit.

Marrëveshja, mund të vinte në rrezik qeverinë e tij, pasi anëtarët e vijës së ashpër të saj, kanë kërkuar që operacioni ushtarak ndaj qytetit, të kryehet.

Zoti Netanyahu u takua të martën me një nga partnerët qeverisës, Ministrin e Sigurisë Kombëtare Itamar Ben-Gvi, bëri të ditur zyra e këtij të fundit, por pa dhënë detaje të mëtejshme.

Komuniteti ndërkombëtar mes tyre edhe aleati kryesor i Izraelit, Uashingtoni, ka paralajmëruar Izraelin mbi rrezikun e madh që paraqet për popullsinë civile një ofensivë ndaj Rafahut.