Ballina Aktualitet Ndihma amerikane për Ukrainën mund të marrë formë së shpejti – por...

Ndihma amerikane për Ukrainën mund të marrë formë së shpejti – por si?

Pas vonesave disamujore që ia kanë plogështuar forcën luftarake Ukrainës kundër pushtuesit rus, një projektligj miliarda dollarësh shumë shpejt mund të miratohet nga Kongresi amerikan, megjithëse me shumë ndryshime.

Mike Johnson, kryetar republikan i Dhomës së Përfaqësuesve, tha më 31 mars për Fox News se dëshiron që ndihma e re për Ukrainën të aprovohet “menjëherë” dhe la të kuptohej se do ta paraqesë një paketë së shpejti, sapo të kthehet Kongresi nga pushimi më 9 prill.

Johnson tha se propozimi i tij do të përfshinte “inovacione të rëndësishme”, duke lënë të kuptohet se ai do të dallojë shumë nga projektligji që u miratua nga Senati në shkurt, pas shumë muaj mospajtimesh e refuzimesh nga republikanët për paketën që presidenti Joe Biden e kërkoi në tetor.

Projektligji i miratuar nga Senati autorizon rreth 60 miliardë dollarë ndihmë për Ukrainën, kryesisht për armatim dhe ndihma të tjera ushtarake.

Johnson nuk i përshkroi në hollësi planet e versionit të paketës së tij, por la të kuptohej se ligjvënësit do t’i shqyrtonin së paku tri elemente të mundshme: dhënien e ndihmës në formë të huas; përdorimin e aseteve të ngrira ruse për ta mbështetur Ukrainën; dhe rritjen e eksporteve të gazit natyror amerikan për t’ia kufizuar Rusisë të hyrat.

Huatë

Një grup i zëshëm i republikanëve të krahut të djathtë në Dhomën e Përfaqësuesve ka ngritur shqetësime për ndihmën për Ukrainën, mbështetjen e saj financiarisht në veçanti, duke e theksuar reputacionin e kamotshëm të këtij vendi për korrupsion. Ata, gjithashtu, thonë se është më mirë që ato para të shpenzohen në shtëpi.

Ish-presidenti Donald Trump, kandidat i supozuar i Partisë Republikane për t’u përballur me Bidenin në zgjedhjet e nëntorit, ka shprehur ngurrimin e tij për ta ndihmuar Ukrainën, por ka thënë se do t’i mbështeste huat për të, një ide të cilën Johnsoni e ka shfrytëzuar.

“Madje, edhe presidenti Trump ka folur për konceptin e huave, ku… ne nuk japim ndihmë për të huajt, por ne e ofrojmë atë në një marrëdhënie sipas të cilës ata na e kthejnë atë në kohën e duhur”, tha Johnson.

Ai nuk theksoi nëse të gjitha ndihmat në projektligj janë borxh që duhet të kthehet, apo vetëm mbështetja financiare, edhe pse disa ekspertë thonë se me gjasë vetëm kjo e fundit.

Senatori Mitt Romney, një republikan i cili e mbështeti projektligjin e Senatit, e quajti idenë e huazimin të parave Ukrainës “turpërim”, duke thënë se Kievi nuk do të jetë në gjendje ta paguajë një borxh të tillë për shkak të shkatërrimit të vendit nga lufta.

Disa në Shtetet e Bashkuara duan që ta detyrojnë Rusinë ta financojë rindërtimin e Ukrainës duke ia konfiskuar rezervat e Bankës Qendrore, të cilat po mbahen nga Perëndimi dhe duke i përdorur ato për ta mbështetur Kievin, një vendim kundërthënës, i cili mund ta minojë besimin në dollarin amerikan, sipas ekspertëve.

Senatorët e miratuan vitin e kaluar Aktin për Rindërtim, Prosperitet Ekonomik dhe Mundësi për Ukrainasit, i cili do t’i jepte autoritet presidentit amerikan t’i konfiskojë asetet dhe t’i transferojë ato në Ukrainë.

Megjithatë, shumica e rezervave ruse mbahen në Bashkimin Evropian, gjë që kërkon përfshirjen e Brukselit. BE-ja është duke e studiuar idenë e konfiskimit aseteve ruse në vlerë rreth 300 miliardë dollarë.

Eksporti i gazit të lëngshëm natyror

Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian po kërkojnë ta minojnë aftësinë e Rusisë për ta financiuar luftën e vet në Ukrainë, duke ia sanksionuar eksportet e energjisë, përmes së cilave ajo gjeneron mbi 30 për qind të të hyrave të buxhetit federal.

SHBA-ja, prodhuesi më i madh në botë i gazit natyror, ka resurse për të eksportuar sasi më të mëdha të gazit të lëngshëm natyror (GLN) dhe kështu ta kufizojë fitimin e Rusisë në treg. Megjithatë, ajo nuk ka infrastrukturë të mjaftueshme për ta bërë këtë.

Johnson tha për Fox News se dëshiron të ketë “eksportim të gazit natyror, i cili do të ndihmojë në bllokimin e financimit të luftës së Vladimir Putinit”.

Reagimi i Kongresistëve

Plani i Johnsonit për ta paraqitur një projektligj, i cili ka mundësi të dallojë shumë nga projektligji i Senatit, ka shkaktuar shqetësime në mesin e mbështetësve të Ukrainës në të dyja anët e spektrit politik në Dhomën e Lartë të Kongresit.

Senatorja nga Kalifornia, Laphonza Bulter, nga radhët e demokratëve, tha se ndryshimet e mundshme në projektligjin për Ukrainën, mund ta nxisin një debat të gjatë, duke paralajmëruar se koha nuk është në anën e Ukrainës.

Senatori Sheldon Whitehouse, nga radhët e demokratëve, tha se ai i pranon ndryshimet e mundshme.

“Jam i kënaqur që ndihma për Ukrainën do të bëhet”, tha ai.

Mitch McConnel, i cili është lider i republikanëve në Senat, është shprehur i zemëruar me planin e Johnsonit për ta paraqitur projektligjin e vet, duke thënë se “po na ikën koha”.

Republikanët e kanë një shumicë të ngushtë 218-213 në Dhomën e Përfaqësuesve tani për tani.

Megjithatë, disa republikanë të krahut të djathtë në dhomën e ulët janë kundërshtarë të mbështetjes së Ukrainës, dhe kjo nënkupton se Johnson duhet të kërkojë përkrahje nga ligjvënësit demokratë.

Është e paqartë nëse Johnson dhe kolegët e tij do të kërkojnë ta përfshijnë financimin e ndryshimeve në kufirin mes SHBA-së dhe Meksikës, i cili ka shkaktuar marrëveshje të mëdha dhe ka ndihmuar në bllokimin e një pakete të re të ndihmës për Ukrainën vitin e kaluar.

Peticioni për shkarkim

Edhe nëse Johnson nuk pranon ta sjellë projektligjin në Dhomën e Përfaqësuesve nga frika se mund të shkarkohet nga ligjvënësit e vijës së ashpër, prapëseprapë ekziston mundësia që të aprovohet ndihma për Ukrainën.

Mbështetësit e Ukrainës në Dhomën e Përfaqësuesve mund ta avancojnë një iniciativë të njohur si peticionin për shkarkim, i cili do t’i jepte leje Dhomës së Ulët të votojë për projektligjin e Senatit, duke e anashkaluar autoritetin e Johnsonit.

Ekspertët thonë se ka mbështetje të mjaftueshme në mesin e demokratëve dhe republikanëve në Dhomën e Përfaqësuesve për kompletimin e këtij procesi dhe kalimin e projektligjit në formën e tanishme.