Shumica e punonjësve të restoranteve që ofrojnë ushqime të çastit në Kaliforni do të paguhen të paktën 20 dollarë në orë, duke filluar nga data 1 prill, kur futet në fuqi ligji i ri i cili ka për qëllim të rrisë sigurinë financiare të një vendi pune që historikisht ka pagë të ulët. Kjo rrezikon të rrisë çmimet në një shtet tashmë të njohur për koston e tij të lartë të jetesës.
Legjislatura demokrate e Kalifornisë e miratoi ligjin vitin e kaluar, me qëllimin për të nënvizuar faktin se shumica e mbi 500,000 njerëzve që punojnë në restorantet e ushqimit të çastit janë persona që mbajnë familjet e tyre.
Kjo përfshin emigrantë si Ingrid Vilorio, e cila filloi të punonte në një nga restorantet e kompanisë ‘McDonald’s’ pasi kishte arritur në Shtetet e Bashkuara në vitin 2019. Tani, ajo punon rreth tetë orë në javë në një tjetër kompani që ofron ushqime të çastit “Jack in the Box” ndërsa bën edhe punë të tjera.
“Rritja e rrogës në 20 dollarë është e mrekullueshme. Uroj që kjo të kishte ndodhur më herët”, tha zonja Vilorio përmes një përkthyesi. “Sepse nuk do të kisha kërkuar kaq shumë punë të tjera në vende të ndryshme.”
Ligji u mbështet nga shoqata tregtare që përfaqëson pronarët e restoranteve që ofrojnë ushqim të shpejtë. Por që kur projektligji u miratua, shumë pronarë të restoranteve të tilla janë ankuar për ndikimin që ligji ka mbi ta, veçanërisht tani që ekonomia e Kalifornisë nuk shënon rritje
Alex Johnson ka në pronësi 10 restorante në San Françisko nga kompanitë “Auntie Anne’s Pretzels” and “Cinnabon”. Ai thotë se shitjet janë ngadalësuar në vitin 2024, duke e shtyrë atë të pushojë nga puna stafin e zyrës dhe të mbështetet tek prindërit e tij për të ndihmuar me përllogaritjen e pagave.
Rritja e pagave të punonjësve të tij do t’i kushtojë zotit Johnson rreth 470,000 dollarë në vit. Atij do t’i duhet të rrisë çmimet me rreth 5% deri në 15% në restorantet e tij dhe nuk po punëson më. Ai nuk ka në plan të shtojë rrjetin e bizneseve në Kaliforni.
“Përpiqem t’i trajtoj punonjësit ashtu siç duhet . I paguaj aq sa mundem. Por ky ligj me të vërtetë po godet ashpër fitimet tona”, tha zoti Johnson.
“Më duhet të shqyrtoj shitjen apo madje mbylljen e biznesit tim”, tha ai. “Shkalla e fitimit është tkurrur duke patur parasysh rritjen e shpenzimeve të tjera”.
Gjatë dekadës së fundit, Kalifornia e ka dyfishuar në 16 dollarë në orë pagën minimale për shumicën e punonjësve. Një shqetësim i madh gjatë asaj periudhe ishte nëse rritja do të çonte në humbjen e vendeve të punës si rezultat i shtimit të shpenzimeve për punëdhënësit.
Por të dhënat nxorën në pah se rritja e pagave nuk çoi në humbjen e vendeve të punës, thotë Michael Reich, profesor i Universitetit të Kalifornisë në Berkley.
“U befasova nga vështirësia ose se sa i vogël ishte efekti tek humbjet e vendeve të punës. Në të kundërt, gjetëm efekte pozitive të punësimit”, tha zoti Reich.
Ai thotë se ndërsa paga minimale në mbarë vendin është 16 dollarë në orë, shumë nga qytetet më të mëdha të Kalifornisë kanë ligjet e tyre për pagat minimale që janë edhe më të larta. Për shumë restorante që tregtojnë ushqime të çastit, kjo nënkupton se rritja e pagës minimale në 20 dollarë në orë do të jetë e vogël.
Ligji pasqyron një kompromis të hartuar me kujdes midis industrisë së ushqimit të çastit dhe sindikatave të punëtorëve, të cilat zhvilluan një betejë dyvjeçare për rritjen e pagave, përfitimet dhe detyrimet ligjore. Ligji e ka origjinën tek negociatat private mes sindikatave dhe industrisë, përfshirë hapin e pazakontë të nënshkrimit të marrëveshjeve për konfidencialitetin.
Ligji ka të bëjë me restorantet që kanë një numër të caktuar tavolinash për klientët ose nuk kanë fare dhe që janë pjesë e një zinxhiri në shkallë kombëtare prej së paku 60 restorantesh. Përjashtime bëhen për restorantet brenda një qendre tregtare, po ashtu edhe restorantet që gatuajnë dhe tregtojnë bukë si artikull më vete.
Fillimisht u përhap lajmi se rrjeti i restoranteve ‘Panera Bread’ dukej se përfitonte si rezultat i përjashtimeve kur bëhej fjala për tregtimin e bukës. Rrjeti ‘Bloomberg News’ njoftoi se Greg Flynn do të përfitonte nga klauzola, një biznesmen i pasur që ka dhënë donacione për fushatën e guvernatorit Gavin Newsom.
Administrata e guvernatorit njoftoi se restorantet ‘Panera Bread’ nuk përjashtohen nga rritja e pagës minimale pasi nuk e bëjnë brumin në lokal. Edhe biznesmeni Flynn ka njoftuar se do t’i paguajë punonjësit të paktën 20 dollarë në orë.