Ballina Bota SHBA, ndryshimet e pyetësorit për Censusin, të parat prej 27 vjetësh

SHBA, ndryshimet e pyetësorit për Censusin, të parat prej 27 vjetësh

Për herë të parë prej 27 vjetësh, qeveria e Shteteve të Bashkuara po ndryshon mënyrën se si i kategorizon njerëzit sipas racës dhe përkatësisë etnike, një përpjekje që zyrtarët federalë besojnë se do të japë një tablo më të saktë të banorëve që identifikohen si hispanikë dhe atyre me prejardhje nga Lindja e Mesme dhe Afrika Veriore.

Rishikimi i kategorizimeve minimale mbi racën dhe përkatësinë etnike, të shpallura të enjten nga Zyra e Menaxhimit dhe Buxhetit, janë përpjekja më e fundit për të identifikuar në mënyrë më të saktë popullatën e Shteteve të Bashkuara. Ky proces shpesh pasqyron ndryshimet në shoqëri dhe imigracion, si dhe një dëshirë që njerëzit në një shoqëri gjithnjë e më të larmishme të përfaqësohen në statistikat e publikuara nga qeveria federale.

“Nuk mund të nënvlerësohet ndikimi emocional që kjo ka tek njerëzit”, tha Meeta Anand, drejtore e lartë në organizatën Censusi dhe Barazia e të Dhënave, në Konferencën për të Drejtat e Njeriut. “Kjo është mënyra se si ne e konceptojmë veten si shoqëri. … Shohim një dëshirë të njerëzve për t’u vetëidentifikuar dhe pasqyruar në të dhënat e publikuara nga qeveria, në mënyrë që ata të jenë në gjendje të tregojnë historitë e tyre në të ardhmen.”

Ndryshimet parashikojnë krijimin e një pyetjeje të vetme rreth racës dhe përkatësisë etnike. Kjo do t’u japë të anketuarve mundësinë për të zgjedhur nga një listë e gjatë e kategorive si “Afrikano-amerikan”, “Indiano-amerikan” dhe “Hispanik”. Hulumtimet kanë treguar se një numër i madh hispanikësh nuk janë të sigurt se si t’i përgjigjen pyetjes së racës kur kjo pyetje bëhet veçmas, sepse ata e kuptojnë se raca dhe përkatësia etnike janë të ngjashme dhe ata shpesh zgjedhin “ndonjë racë tjetër” ose nuk i përgjigjen pyetjes.

Një kategori e Lindjes së Mesme dhe Afrikës së Veriut do t’i shtohet pyetjes rreth racës dhe përkatësisë etnike. Njerëzit me prejardhje nga vende si Libani, Irani, Egjipti dhe Siria në të kaluarën janë inkurajuar të identifikoheshin si të bardhë, por tani do të kenë mundësinë të identifikohen si njerëz me prejardhje nga Lindja e Mesme. Rezultatet nga regjistrimi i vitit 2020, i cili u kërkonte të anketuarve të shpjegonin prejardhjen e tyre, sugjerojnë se 3.5 milionë banorë identifikohen si njerëz me prejardhje nga Lindja e Mesme dhe Afrika Veriore.


Anna Eskamani

“Me vjen mirë që tani do të jemi të përfaqësuar”, tha ligjvënësja e shtetit të Floridës Anna Eskamani, një demokrate nga Orlando, prindërit e së cilës janë nga Irani. “Familja ime në të kaluarën zgjidhte opsionin ‘të bardhë’ sepse nuk kishte alternativë tjetër.”

Pjesë e ndryshimeve ishte heqja e fjalëve “Negro” dhe “Lindja e Largët”, që tani konsiderohen gjerësisht si poshtëruese, si dhe fjalët “shumicë” dhe “pakicë”, sepse ato nuk pasqyrojnë larminë komplekse racor dhe etnike të vendit, thonë disa zyrtarë.

Ndryshimet, të cilat u bënë nga një grup ekspertësh që punuan për një periudhë dy vjeçare, kanë pasoja afatgjata mbi kufijtë legjislativë, ligjet për të drejtat civile, statistikat shëndetësore dhe ndoshta edhe politikat pasi numri i njerëzve të kategorizuar si të bardhë do të zvogëlohet.

Donald Trump, i cili pritet të jetë kandidat i republikanëve për president, së fundmi aludoi në argumentet e bëra nga njerëz që pretendojnë se demokratët po nxisin imigracionin e paligjshëm për të dobësuar fuqinë e popullatës së bardhë. Gjatë mandatit të tij si president, zoti Trump u përpoq pa sukses të skualifikonte njerëzit që ndodheshin në Shtetet e Bashkuara ilegalisht nga përfshirja në censusin e vitit 2020.

Ndryshimet do të reflektohen në mbledhjen e të dhënave, formularët, sondazhet dhe pyetësorët e regjistrimit të popullsisë, që bëhen një herë në dekadë nga qeveria federale, si dhe nga qeveritë shtetërore dhe sektori privat, sepse bizneset, universitetet dhe grupet e tjera zakonisht ndjekin shembullin e institucioneve të Uashingtonit. Agjencitë federale kanë 18 muaj afat për të paraqitur një plan për zbatimin e këtyre ndryshimeve.

Standardet e para federale mbi racën dhe përkatësinë etnike u publikuan në vitin 1977 për të ofruar të dhëna të qëndrueshme nëpër agjenci dhe për të nxjerrë shifra që mund të ndihmonin në zbatimin e ligjeve për të drejtat civile. Ato u përditësuan për herë të fundit në vitin 1997 kur u përcaktuan pesë kategoritë bazë – indianët amerikanë ose vendasit e Alaskës, aziatikët, afrikano-amerikanët, popullsia autoktone e Havait ose banorët e tjerë të ishullit të Paqësorit dhe të bardhët. Të anketuarit kishin mundësinë të bënin më shumë se një zgjedhje. Kategoritë minimale etnike u grupuan veçmas si jo hispanike ose hispanike apo latine.

Grupi ndërinstitucional që punoi në rishikimet e fundit vuri në dukje se kategoritë janë konstruksione sociopolitike dhe raca dhe përkatësia etnike nuk përcaktohen biologjikisht ose gjenetikisht.

Kategoritë racore dhe etnike të përdorura nga qeveria amerikane pasqyrojnë kohën e tyre. Në vitin 1820, kategoria “Njerëz të lirë me ngjyrë” u shtua në censusin e atij dhjetëvjeçari për të pasqyruar rritjen e numrit të njerëzve të lirë me ngjyrë. Indianët e Amerikës nuk u numëruan në mënyrë eksplicite deri në vitin 1860. Pas viteve të imigrimit nga Kina, “kinezët” u përfshinë në censusin e vitit 1870. Nuk kishte një pyetje formale për origjinën hispanike deri në censusin e vitit 1980.

Jo të gjithë mbështesin ndryshimet e fundit të pyetësorit mbi censusin.

Disa Afrikano-Latinë mendojnë se kombinimi i pyetjes së racës dhe përkatësisë etnike do të zvogëlojë numrin dhe përfaqësimin e tyre në të dhënat zyrtare, megjithëse hulumtimi i mëparshëm nga Byroja Amerikane e Regjistrimit të Popullsisë nuk gjeti dallime të mëdha mes përgjigjeve “Afrikano-Latinë” në pyetjet me kategori të veçantë për këtë dhe ato të me pyetje të kombinuar mbi racën dhe përkatësinë etnike.

Mozelle Ortiz, për shembull, është me origjinë të përzier afrikano-portorikane. Ajo mendon se ndryshimet mund ta eliminojnë atë identitet, edhe pse njerëzit mund të zgjedhin më shumë se një përgjigje pasi të kombinohen pyetjet e racës dhe përkatësisë etnike.

“E gjithë linja ime, ajo e gjyshes sime afrikano-portorikane dhe të gjithë njerëzve të tjerë jo të bardhë që flasin spanjisht, do të fshihet”, thotë ajo.

William Chalmers, në një letër drejtuar grupit, shprehu shqetësimin se kombinimi i pyetjeve të racës dhe përkatësisë etnike do të ngatërronte dy përkufizimet.

“Ashtu si gjinia dhe orientimi seksual, që trajtohen si kategori të veçanta, edhe ‘raca’ dhe ‘kultura’ duhet të jenë kategori të ndryshme”, thotë zoti Chalmers./VOA