Ballina Kryesore SHBA rikthehet në Hënë pas 50 vitesh

SHBA rikthehet në Hënë pas 50 vitesh

Një mjet privat hapësinor u rrotullua përqark Hënës ndërsa synonte uljen të enjten, duke i rikthyer Shtetet e Bashkuara në sipërfaqen hënore për herë të parë që nga ecja e famshme mbi të e astronautëve të misioneve Apollo të NASA-s.

Kompania Intutitive Machines bëhet kështu biznesi i parë privat që realizon me sukses një ulje në Hënë, një arritje kjo e realizuar nga vetëm pesë shtete. Një tjetër kompani rivale nuk arriti të bënte ulje në Hënë muajin e kaluar.

U mësua se sinjali që u mor në Tokë nga mjeti hapësinor Odysseus ishte i dobët dhe se kontrollorët bënë përpjekje për ta përforcuar atë duke siguruar kontakt më të mirë. Edhe orët përpara uljes ishin të tensionuara për shkak të dështimit të sistemit të navigimit me lazera. Ekipi i kontrollorëve vendosi të provonte një sistem eksperimental të NASA-s që nuk ishte përdorur më parë dhe mjetit hapësinor iu desh të bënte edhe një tjetër rrotullim përreth Hënës për të mundësuar këtë ndryshim të momentit të fundit.

Anija hapësinore iu afrua Hënës të mërkurën, gjashtë ditë pasi u nis me një raketë nga Qendra Hapësinore Kennedy në Florida. Anija arriti të futej në orbitën e Hënës për të filluar përgatitjet për uljen në sipërfaqe.

Kontrollorët monitoruan fluturimin në një distancë prej gati 400 mijë kilometrash, nga një qendër komandimi të kompanisë në Hjuston.

Anija e ndërtuar me fibra karboni dhe titaniumi, me një lartësi prej 4.3 metrash, mban në bord gjashtë paisje eksperimentale të NASA-s, e cila i pati paguar kompanisë 118 milionë dollarë për prodhimin dhe fluturimin e anijes, në kuadrin e përpjekjeve për të komercializuar udhëtimet drejt Hënës, ndërsa është planifikuar edhe rikthimi atje i astronautëve, pak vite më vonë.

Operacioni i kompanisë Intuitive “Machines” është përpjekja më e fundit në një seri përpjekjesh nga shtete dhe kompani private. Japonia arriti një ulje në Hënë muajin e kaluar, duke iu bashkuar kështu uljeve të suksesshme nga Rusia, Shtetet e Bashkuara, Kina dhe India.

Shtetet e Bashkuara hoqën dorë nga prania në sipërfaqen e Hënës në vitin 1972, pasi programi Apollo i NASA-s dërgoi 12 astronautë në sipërfaqen e Hënës. Një kompani nga Pitsburgu, Astrobotic Technology, bëri një përpjekje muajin e kaluar, por pësoi një rrjedhje karburanti që e detyroi anijen t’i drejtohej sërish atmosferës së Tokës ku edhe u dogj.

Zona e uljes së përzgjedhur nga kompania Intuitive Machines është pranë polit jugor të Hënës, e rrethuar nga kodra dhe kraterë që mund të përmbajnë ujë të ngrirë.

Anija furnizohet me energji diellore dhe u projektua që ta vazhdojë aktivitetin për rreth një javë pas uljes.

Krahas eksperimenteve teknologjike dhe të navigimit të NASA-s, kompania Intuitive Machines u pagua edhe nga entitete të tjera, si p.sh. nga kompania e veshjeve Columbia Sportswear për të dërguar në Hënë materialin e saj më të ri për veshjet izoluese; nga skulptori Jeff Koons për të dërguar atje 125 mini-statuja; si dhe nga Universiteti Embry-Riddle i Aeronautikës për disa kamera që do të regjistronin momentet e uljes mbi sipërfaqe.