Të rinjtë në Beograd, Prishtinë dhe Berlin kanë pikëpamje të ndryshme për kthimin e shërbimit të detyrueshëm ushtarak. Gjithnjë e më shumë po flitet për të, por ka probleme serioze.
“Konfliktet ndodhin në botë dhe vendi duhet të mbrohet nëse ndodh një konflikt,” thotë një i ri në rrugët e Beogradit, i pyetur nga DW nëse e mbështet rikthimin e shërbimit të detyrueshëm ushtarak. Ai e mbështet, thotë ai, sepse vendi duhet të jetë më i përgatitur. Të tjerë i thanë DW-së, se burrat sot janë “shumë të feminizuar”, “të paaftë” që ushtria duhet t’i sjellë në linjë, si “të parët tanë”.
Një i ri thotë se i gjithë diskutimi është “morbid” pas dy vrasjeve masive majt e kaluar në Serbi. “Nuk ka kaluar as një vit që nga ajo kohë dhe tashmë të rinjtë dhe fëmijët po përballen me vringëllimën e armëve mbi kokë, gjë që nuk është në përputhje me arsyen e shëndoshë.
Ushtritë kanë mangësi
Shërbimi i detyrueshëm ushtarak ka qenë temë e debatit dhe e pikave politike në Serbi prej vitesh. Mirëpo, në fillim të vitit u duk se u aktualizua, pasi Shtabi i Përgjithshëm i propozoi “komandantit suprem” Aleksandar Vuçiq që të rinjtë të kryenin shërbimin e detyrueshëm ushtarak. Nuk dihet ende se çfarë lloji të ushtrisë dhe sa kohë, kjo ende duhet të diskutohet.
“Na duhet të na jepet një periudhë e caktuar kohore që qendrat tona të rekrutimit të punojnë me kapacitet të plotë”, tha së fundmi ministri i Mbrojtjes, Millosh Vuçeviq. “Kanë kaluar 13 vite nga pezullimi, nga ajo periudhë kemi 13 gjenerata që nuk janë as pjesë e reparteve rezervë. Pyetja kryesore mbetet, a duam një ushtri më të fortë apo më të dobët?”
Nga ana tjetër, ekspertët i përshëndetën njoftimet me komente të ndryshme. Ata thonë se ushtria profesionale po bie. Ashtu si në shumë vende evropiane, ushtria nuk ka mjaftueshëm njerëz.
“Oficerët në mbarë Evropën thonë se të rinjtë janë gjithnjë e më pak të interesuar për ushtrinë, për armët dhe luftën”, tha për DW analisti ushtarak Vlade Raduloviç.
“Edhe ata që aplikojnë në shërbimin profesional, për shkak të filmave dhe lojërave, kanë menduar se do të jenë si Rambo. E më pas përballen me realitetin në kazermë që dallon shumë nga marketingu. Zhgënjimi ndodh shpejt tek një pjesë e të rinjve dhe ata nuk e gjejnë veten në ushtri”, shton ai. Në Serbi, thotë ai, ushtarët profesionistë, nënoficerët dhe oficerët përballen me pyetje banale – a kanë të drejtë për një fundjavë falas, pushime, sa është orari i punës dhe sa është paga, a mund të avancojnë nëse nuk kanë lidhje të mira etj? E gjithë kjo shpesh i bënte të vendosnin të punonin në sektorin privat për para më të mira dhe jo në ushtri.
Trendi në rajon dhe Evropë
Edhe kryeministri kroat Andrej Plenkoviq ka paralajmëruar rikthimin e shërbimit të detyrueshëm ushtarak pas mbarimit të shkollës së mesme. Debati në Kroaci është i ngjashëm me atë në Serbi. Njoftime vijnë edhe nga Lëvizja “Vetëvendosje” e Albin Kurtit në Kosovë.
“Do të ishte mirë që çdo i ri të jetë i gatshëm për çdo gjë, nëse vendi përballet me ndonjë lloj konflikti”, na thotë një i ri në Prishtinë. Një tjetër thotë: “Unë mendoj se do të ishte më e arsyeshme nëse të gjithë do të kishin një zgjedhje të lirë, dhe jo nëse ushtria është me detyrim apo e imponuar”.
Siç ka shkruar tashmë DW, një sërë vendesh evropiane kanë rikthyer shërbimin e detyrueshëm ushtarak në dhjetë vitet e fundit. Ukraina dhe Lituania e bënë këtë pas aneksimit të Krimesë, Suedia që nga viti 2018, Letonia që nga ky vit.
Në Norvegji dhe Danimarkë, ushtria është e detyrueshme, por ka mjaft vullnetarë për të rimbushur forcat, kështu që askush nuk detyrohet të shkojë në fund. Edhe në Gjermani ka një diskutim të gjallë për kthimin e shërbimit të detyrueshëm ushtarak.
Një sondazh i fundit tregon se 52 për qind e gjermanëve mbështesin shërbimin e detyrueshëm, ndërsa 32 për qind janë kundër tij. Megjithatë, sa më të vjetër të jenë të anketuarit, aq më të zjarrtë janë ata që mbështesin shërbimit ushtarak.
Të rinjtë në rrugët e Berlinit japin përgjigje të ndryshme në një sondazh të DW: “Mendoj se të gjithë duhet të bëhen ushtarë që nga mosha 18-vjeçare e tutje, sepse aktualisht kemi shumë pak ushtarë këtu”, thotë një i ri.
Një tjetër shprehet se është çmenduri që njerëzit i bashkohen ushtrisë vetëm për të vrarë më vonë veten në luftërat e organizuara nga dikush që rri komod në zyrë. “Ndoshta duhet të fusim sërish duele me armë? Lërini ata (ata nga zyrat) të vrasin njëri-tjetrin dhe të tjerët të jetojnë të lirë”, thotë ai.
Vlade Raduloviç thotë se, përpos problemeve reale, arsyeja e bisedimeve të vazhdueshme për shërbimin ushtarak duhet kërkuar edhe në politikë. “Shpesh është një marketing i lirë, veçanërisht në rajonin e Ballkanit. Është bukur të shtrosh temat e armëve dhe ushtrisë, sepse ndez emocionet e votuesve”.
Sipas sondazheve të deritanishme, mbi dy të tretat e njerëzve në Serbi mbështesin futjen e shërbimit të obligueshëm ushtarak. Edhe shumica e të rinjve e mbështesin këtë. Disa vite më parë qarkulloi një sondazh i agjencisë House of Wine, sipas të cilit 72.5 për qind e të rinjve (nga 17 deri në 30 vjeç) u deklaruan për ushtrinë e detyrueshme.
Analisti ushtarak Raduloviq thotë se kornizat mediatike në Serbi po përsëriten: vazhdimisht thuhet se edhe të rinjtë e mbështesin shërbimin e detyrueshëm. “Por pyesni ata konkretisht nëse do të shkojnë për të shërbyer? Ose, kur dikush është 27 vjeç, pyesni pse nuk ka shërbyer vullnetarisht, kur ka mundur?”
Ai mendon se ekziston një frikë reale se disa të rinj mund të shmangin shërbimin e detyrueshëm ushtarak. Duke marrë një alibi nga mjeku, gjë që bëhej më parë, apo edhe duke emigruar nga vendi. Prandaj, sipas Raduloviqit, duhet pasur kujdes dhe të veprohet gradualisht në ngritjen e reputacionit të ushtrisë, për të tërhequr gjithnjë e më shumë të rinj që të shërbejnë vullnetarisht, para se të futet ndonjë detyrim.
Së fundi, çfarë do të thotë ideja e rikthimit të rekrutimit në rajon, a po vjen era konflikte të reja? “Kur jeton në një rajon të paqëndrueshëm dhe ke edhe një kontekst të paqëndrueshëm gjeopolitik, kur ke edhe njoftime nga fqinjët që përmendin edhe shërbimin e detyrueshëm ushtarak… e gjithë kjo sugjeron se ka përgatitje për konflikte të mundshme”, thotë Raduloviq. Megjithatë, ai shton: “Por kjo nuk është çështja. Qendrueshmëria afatgjatë e sistemit të mbrojtjes është thelbësore. Çfarë ndodh nëse vazhdon të ulet numri i njerëzve në ushtri?”./DW