Ballina Kryesore Sot Dita Botërore e Diabetit

Sot Dita Botërore e Diabetit

Në vitin 2007 Asambleja e Përgjithshme miratoi rezolutën 61/225 duke përcaktuar 14 Nëntorin si Ditën Botërore të Diabetit.

Rezoluta inkurajoi gjithashtu shtetet anëtare të zhvillojnë politika kombëtare për parandalimin, trajtimin dhe kujdesin e diabetit në përputhje me zhvillimin e qëndrueshëm të sistemeve të tyre të kujdesit shëndetësor.

Dita Botërore e Diabetit ofron një mundësi për të rritur ndërgjegjësimin për diabetin si një çështje globale e shëndetit publik dhe çfarë duhet bërë, kolektivisht dhe individualisht, për parandalimin, diagnostikimin dhe menaxhimin më të mirë të gjendjes.

Diabeti shkaktohet nga nivelet e larta të glukozës në gjak gjatë një periudhe të gjatë kohore.

Disa nga simptomat më të shpeshta të diabetit janë etja e shtuar, tharja e gojës, shikimi i mjegulluar, dehidratimit, mpirja e gjymtyrëve, lodhja e tepërt, shtimi i oreksit dhe humbja drastike e peshës. Këto simptoma mund të shkaktojnë edhe probleme më të rënda shëndetësore si sëmundje të zemrës, sëmundje të veshkës, sulm në tru, probleme me sy e probleme dentare.

Ekzistojnë tri forma kryesore në të cilat paraqitet diabeti: diabeti tip 1 paraqitet në 10-15% të rasteve te fëmijët dhe të rinjtë. Te tipi 1 ka një mungese absolute të hormonit të insulinës. Të sëmurët janë të varur nga insulina, andaj duhet të injektohen me insulinë çdo ditë për të mbijetuar.

Diabeti tipi 2 është lloji më i përhapur i diabetit, që haset në 90% të rasteve tek personat në mbipeshë, njerëzit pas moshës 40 vjeçare dhe disa të rinj gjithashtu. Kryesisht trashëgohet apo shkaktohet nga faktorët e mënyrës së jetesës. Në tipin 2 pankreasi nuk prodhon mjaftueshëm insulinë.

Diabeti i shtatzënisë apo gjestacional shfaqet në 2-5% të rasteve te gratë shtatzëna. Ky lloj i diabetes mellitus ka shansa të zhduket pas lindjes apo edhe të përparojë më tutje. Përafërsisht 5-10% e grave të cilat kanë pasur diabetin gjestacional gjatë shtatzënisë hasin më vonë në diabetin e tipit 2.

Llojet e tjera të diabetit, që janë më pak të përhapura, janë diabeti monogjen dhe diabeti i fibrozës cistike. Diabeti monogjen është një sëmundje e cila trashëgohet gjenetiksht në breza.

Në nivel global, rreth 422 milionë të rritur jetonin me diabet në vitin 2014, krahasuar me 108 milionë në vitin 1980. Prevalenca globale e diabetit është pothuajse dyfishuar që nga viti 1980, duke u rritur nga 4.7% në 8.5% në popullatën e rritur.

Gjatë dekadës së fundit, prevalenca e diabetit është rritur më shpejt në vendet me të ardhura të ulëta dhe të mesme sesa në vendet me të ardhura të larta.