Ballina Kryesore Rikthehen sërish emocionet e LaLigës

Rikthehen sërish emocionet e LaLigës

Emocionet e kampionatit spanjoll, LaLiga rikthehen sërish këtë fundjavë me javën e 13-të.

Ndeshja që do të ngrejë siparin e futbollit iberikas do të jetë ajo që do të luhet në rajonin bask mes Athletic Bilbao dhe Celta Vigos. Vendasit kërkojnë fitoren e dytë radhazi pas asaj në transfertë ndaj Villarealit, ndërsa galicianët duan të harrojnë atë barazim me polemika ndaj Sevillas në shtëpi.

Mesdita e së shtunës do të gjejë në fushë kryesuesit e Gironas që do të tentojnë të arrijnë një tjetër 3-piksh dhe të moszgjohen nga ëndrra e titullit ose zonës Champions. Katalanasit do të luajnë në transfertë ndaj Rayo Vallecanos që nga ana e saj vjen me moralin lart pas barazimit në “Santiago Bernabeu” ndaj Realit të Madridit.

Pasditja do të sjellë 3 sfida të tjera, ku luftohet për mbijetesë e për Europë. Konkretisht, Almeria do të presë Real Sociedad që humbi një pikë në minutën e fundit ndaj Barcelonës. Granada e Myrto Uzunit do të përballet ndaj Getafes në shtëpi për të dalë nga kriza. Në Pamplona Osasuna kërkon fitoren ndaj Las Palmas. Këta të fundit mposhtën të premten e shkuar në shtëpi Atleticon e Madridit.

Mbrëmja do të jetë e gjitha për t’u shijuar pasi do të vijë një nga sfidat emblemë të futbollit spanjoll. Real Madrid do të presë skuadrën e Valencias që deri në këto momente ka bërë një kampionat të mirë. “Los Blancos” kërkojnë të harrojnë sa më parë atë ndalesë ndsj Rayos dhe mos krijojnë një klimë jo të mirë rezultatesh.

Kampionët në fuqi të Spanjës, Barcelona do të zbresin në fushë pasditen e së dielës përballë Deportivo Alaves. Një sfidë që konsiderohet e lehtë në letër për blaugranat, por që kërkon përqendrim maksimal.

Ndërsa në orë 18:30 të gjithë të apasionuarit pas LaLigës dhe kulturës iberike do të kenë mundësi të shijojnë “El Gran Derbi” mes Sevilla dhe Real Betis. Kjo ndeshje konsiderohet si një nga më të zjarrtat në spanjë dhe në Europë, pasi të dyja tifozeritë rivale nuk rreshtin në asnjë moment së mbështeturi ekipin e tyre të zemrës. Mbetet për t’u parë se çfarë ngjyrash do marri derbi i Sevilles.

Përballja e fundit e javës do të jetë ajo mes Atleticos së Simeones kundër skuadrës së Villareal. Të dyja skudrat vijnë nga disfatat dhe kërkojnë rikthimet te fitorja. Vlen për t’u theksuar se “Los Colchoneros” kanë një ndeshje më shumë për të zhvilluar.