Ballina Diaspora Hava Bekteshi, shqiptarja që performon me çifteli në Filarmoninë e Hamburgut

Hava Bekteshi, shqiptarja që performon me çifteli në Filarmoninë e Hamburgut

Iu deshën hiç më pak se 12 vite punë për të arritur rezultatin që synoi. Madje, për Hava Bekteshin shëtitjet pranë ndërtesës madhështore të Elbphilharmonie-së, ishin kthyer në ëndrra se a do të performojë ndonjëherë me çifteli këngë shqipe në skenën e mrekullueshme të kësaj shtëpie prestigjoze muzikore. Kurse sot, ajo po prek majet e suksesit, pikërisht si pjesë e kësaj Filarmonie.

“Jam përkushtuar me gjithë shpirt që sidomos çiftelia të bëhet e njohur edhe për publikun gjerman dhe më gjerë. Në ëndrrat e mia dhe në shëtitjet pranë ndërtesës madhështore të Elbphilharmonie-së, gjithnjë e shikoja veten duke performuar me çifteli këngët tona në skenën e mrekullueshme të kësaj shtëpie prestigjoze muzikore. Falë punës sime të palodhur, dashurisë së madhe që kam për artin dhe kulturën shqiptare, kam arritur të realizoj projekte të ndryshme me artistë të huaj, të cilët kanë mbështetur dhe pëlqyer jashtëzakonisht këngët nën tingujt e çiftelisë”, thotë ajo për Revistën Kosovarja.

Muzika autoktone shqiptare dhe instrumenti më i njohur shqiptar, çiftelia, ka qenë gjithmonë pjesë përbërëse e kohës së lirë në shtëpinë ku është rritur Hava. Madje vëmendje projekteve muzikore të saj i kushtuan shumë edhe mediat gjermane.

“Tingujt e çiftelisë janë bërë pjesë edhe e kolonave zanore të filmave me tematikë shqiptare të krijuara nga produksionet gjermane. Të gjtha projektet dhe bashkëpunimet kanë ardhur njëra pas tjetrës, duke parë performancat e mia dhe pasi kanë dëgjuar për mua si e vetmja femër që e zotëroj këtë instrument, artistë të ndryshëm të huaj dhe shqiptarë kanë shrehur dëshirën për të bashkpunuar. Mund të pëmend këtu bashkpunimin me Kouko një artiste vjetnameze e lindur dhe rritur në Hamburg, me të cilën kemi relizuar këngën Aromë Portokalli në stilin Electro – Çifteli ku ajo ka kënduar shqip bashkë me mua. Kam bashkpunuar po ashtu me grupin Trio-Band- Love – Songs , grup gjerman, tre djem të mrekullueshëm me të cilët kemi realizuar dy këngë në stilin psychedelic – Çifteli këngën Bukuroshja e Lalës, e shumë të tjera”.

Por, si nis një ditë e zonjës Bekteshi dhe a ka studiuar ajo për muzikë, apo krejtësisht diçka tjetër, përgjigjet vetë ajo?!

“Në “Elbphilharmonie”-në e Hamburgut jam e vetmja shqiptare që vazhdoj të jem ende pjesë e koncerteve të ndryshme dhe mund ta them lirshëm që kjo më bën të ndjehem shumë krenare, duke patur parasysh që unë jam me punë të rregullt në shkollë si mësuese e gjuhës gjermane (studimet e dyta). Një ditë e imja e zakonshme nis me punën time të rregullt si mësuese e gjuhës gjermane dhe vazhdon me shumë aktivitete, takime të shumta, prova të rregullta për parapërgatitjet për koncerte deri orët e vona të mbrëmjes. Për të finalizuar një koncert në “Elbphilarmonie” nevojitet përafërsisht një vite punë intensive me parapërgatitje dhe prova deri kur koncert te përmbyllet ne mënyrën më profesionale dhe çdo gjë të jetë në perfeksion”, tha ajo.

Hava Bekteshi ka migruar nga Maqedonia në Gjermani, me prindërit, kur ishte 14 vjeçe.