Ish-presidenti polak, Leh Valesa inkurajon rininë të marrë përsipër përgjegjësi për formësimin e Europës. Ai gjithashtu shpreson për impulse nga rinia në Gjermani.
“Polonia askohe mundi ta shmangë rendin e vjetër – dhe këtë e bëmë ne. Por ne duhet të arrijmë diçka të re. Polonia nuk mund ta arrijë këtë – Gjermania duhet ta marrë përsipër”, thotë Valesa në bisedë për DW në Gdansk.
Valesa vet për një dekadë drejtoi sindikatën polake Solidarnost dhe dha kontribut të gjerë në kthesën politike të Polonisë dhe të Europës. Globalizimi, thotë Valesa, u ka dhënë më shumë mundësi të rinjve sot por njëkohësisht u ka dhënë edhe më shumë përgjegjësi: “Ju keni shansin e madh në stafetën e brezave për liri e mirëqenie. Por lexoni sfidat e kohës.”
Leh Valesa, çfarë do të dëshironti t’u thoni të rinjve sot?
Leh Valesa: “Që në kohën e jetës sonë epokat ndryshojnë. Ne jemi transformuar nga vende të vogla në kontinente të globalizimit. Kjo nuk është çështja, nëse e bën, por si e bën këtë. Për këtë koncept, që unë po e jetoj prej 40 vjetësh, nevojiten disa vende lider. Polonia asokohe mundi ta shmangte rendin e vjetër – e këtë ne e bëmë. Por ne duhet të arrijmë diçka të re. Polonia këtë nuk mund ta arrijë e vetme – këtë duhet ta marrë përsipër Gjermania. Një rend në Europë edhe me Francën e Italinë së bashku – dhe në nivel global pastaj edhe me SHBA-në. E unë them: Si duhet ta bëjmë këtë? Por kjo është një çështje për një ditë tjetër. Rinia, ju duhet ta kuptoni kohën. Ju keni shansin e madh në stafetën e brezave për liri dhe miqërenie. Por lexoni sfidat e kohës. Rinia në Gjermani: Merrni drejtimin. Unë do të kisha preferuar poloninë, por Polonia nuk është ndërkohë në gjendje për këtë. Gjermania mund t’ia dalë. Ju keni gjithashtu edhe përvojë. Dhe ende jetoni kompleksin e luftës.
Eshtë kështu: Deri në fund të shekullit të 20-të interesi i madh konsistonte në marrjen e territoreve, ndaj janë zhvilluar luftra. Sot synohet globalizimi, bëht fjalë për kontinente. Ndaj kjo duhet bërë për të mos ngecur në strukturat e vjetra. Unë kam humubur babain në luftë. Pra nuk jam shumë sentimental. Bota duhet ndryshuar.”
Lëvizja e Solidarnostit dhe roli udhërrëfyes i Leh Valesës
Më 31 gusht 1980, elektricisti i kantiereve Leh Valesa, i cili përfaqësonte punëtorët grevistë polakë, u ul në një tryezë me zëvendëskryeministrin e Polonisë, Mieczyslav Jagielski, për të nënshkruar një marrëveshje të përbashkët.
Koncesioni më i rëndësishëm i bërë nga qeveria pas grevave prej javësh në disa ndërmarrje polake ishte lejimi i formimit të një sindikate të lirë. Më 17 shtator, Solidarnosc(që do të thotë ‘Solidaritet’) u themelua zyrtarisht si sindikata e parë e pavarur pas vendosjes së Perdes së Hekurt.
Por në atë kohë, Valesanuk e besonte vërtet premtimin e dhënë nga regjimi komunist. “Ata do ta shkatërrojnë; do të jenë të detyruar ta bëjnë, kjo është ajo që mendova atëherë,” është shprehur Valesa në një intervistë të mëhershme për DW. Ai ende i kishte të freskëta kujtimet e protestave të mëparshme antikomuniste në Poloni në vitet 1956, 1970 dhe 1976, të cilat përfunduan në përplasje të përgjakshme me policinë.
Miliona kundër komunistëve
Valesa kishte punuar si elektricist në Kantierin detar Lenin (sot Kantieri Gdansk) në Gdansk që nga viti 1967.
Kantieri detar i Gdanskut ndërtonte anije për tregun ndërkombëtar duke i sjellë sasi të konsiderueshme valutash të huaja shtetit komunist. Grevat në kantierin detar filluan në mes të gushtit 1980, por në korrik kishte pasur edhe më parë protesta më të vogla në ndërmarrje në pjesë të tjera të Polonisë.
Papa Gjon Pali i lindur në Poloni shërbeu si një burim i rëndësishëm frymëzimi kur, gjatë një meshe në Varshavë në vitin 1979, ai shqiptoi fjalinë “Mos ki frikë”. Këto fjalë u bënë lajtmotiv për miliona polakë, të cilët qenë të zemëruar me mënyrën sesi pushtetarët komunistë të vendit u kishin siguruar privilegje vetes dhe e kishin lënë ekonominë të ecte drejt shkatërrimit gjatë 35 viteve të pushtetit të tyre. Brenda pak javësh, 10 milionë nga 35 milionë shtetas të Polonisë ishin bashkuar me lëvizjen Solidarnosc.
Fuqia e punëtoreve
Valesa ishte vazhdimisht i vetëdijshëm për rrezikun që protestat mund të shtypeshin përsëri në mënyrë brutale. “Duhet të jesh plotësisht i vendosur; përndryshe nuk mund t’i udhëheqësh të tjerët. Duhet të mendosh: Nuk ka më familje, as vdekje, as para. Unë e dija që ata mund të më vrisnin në çdo kohë. Por mendova: Ata mund të më vrasin, por jo të më mposhtin”, kështu e shpjegon Valesa vendosmërinë e tij.
Lufta për liri
Disidenti i Gjermanisë Lindore Joachim Gauck, i cili më vonë u bë president në Gjermaninë e ribashkuar, reagoi ndaj ngjarjeve në Poloni “me entuziazëm dhe skepticizëm”, ka theksuar Gauck.
Ai i tha DW se njerëzit në ish-Gjermaninë Lindore komuniste kishin humbur çdo shpresë për ndryshim pas ngjarjeve të tilla si shtypja e protestës së 17 qershorit 1953 dhe ndërtimi i Murit të Berlinit, duke çuar në një ndjenjë pafuqie politike. Në të kundërt, nënvizon Gauck, polakët kishin treguar për shekuj me radhë se ishin gati të luftonin për identitetin e tyre sa herë që ishte e mundur. Gauck gjatë një vizite në Poloni është shprehur se: “gjuha e lirisë është polonishtja”.
Kur u shemb Muri i Berlinit në nëntor 1989, Polonia tashmë kishte kryeministrin e saj të parë jo komunist. Kishte pasur bisedime në “tryezën e rrumbullakët” midis qeverisë dhe Solidarnosc-it në pranverën e vitit 1989 dhe zgjedhjet e para gjysmë-demokratike pas Perdes së Hekurt në Poloni u zhvilluan në qershor.
Çmimi i lartë i lirisë
Por ky rol udhëheqës në luftën kundër komunizmit erdhi me një çmim të lartë. Më 13 dhjetor 1981, ëndrra e lirisë që kishin pasur polakët një vit më parë u shkatërrua. Qeveria vendosi ligjin ushtarak, një gjendje që vazhdoi deri në vitin 1983 dhe kufizoi në mënyrë dramatike liritë civile. Rreth 10.000 disidentë u arrestuan dhe dhjetra u vranë. Solidarnosc-i u detyrua të kalonte në ilegalitet dhe nuk u lejua të regjistrohej përsëri deri në vitin 1989.
Situata në Poloni në atë kohë shkaktoi reagime shumë të ndryshme në shtetet perëndimore. Kancelari i atëhershëm gjerman, Helmut Schmidt i socialdemokratëve të qendrës së majtë (SPD), e pa ligjin ushtarak në vendin fqinj si një faktor stabilizues. Por SHBA dhe Britania e dënuan imponimin e tij. Opozita anti-komuniste në Poloni mori një nxitje nga Norvegjia në vitin 1983, kur Valesa, që ndodhej në burg në atë kohë, mori Çmimin Nobel për Paqen.
Hero apo tradhtar?
Në gati pesë vjetët që kur partia kombëtare-konservatore Ligji dhe Drejtësia është në pushtet, ata njerëz të Solidarnoscit që janë politikisht në përputhje me qeverinë, nderohen si heronj në ceremonitë zyrtare dhe ngjarjet kulturore. Valesa, që ishte presidenti i Polonisë nga 1990 deri në 1995, nuk është një prej tyre; ai shpesh ka kritikuar ashpër politikat antiberale të qeverisë së PiS.
Në tetor 1983 Walesa mori Çmimin Nobel për Paqen, para se të zgjidhej Presidenti i Polonisë më 1990
Valesa është një gjemb në mishin e PiS. Në mediat e afërta me qeverinë, ai është përshkruar më shumë si agjent i Shërbimit Komunist të Sigurisë, një polici sekrete dhe agjensi informative e ngjashme me Stasi-in e Gjermanisë Lindore dhe KGB-në Sovjetike.
Në vitin 2015, u gjetën dokumente që tregojnë për bashkëpunimin e tij me ish-policinë sekrete. Valesa thuhet, se ishte shtyrë në këtë bashkëpunim në vitin 1970, kur e arrestuan me rreth 130 punëtorë të tjerë gjatë protestave antiqeveritare në Gdansk. Por në fund të viteve 1970, përpara se të bashkohej me lëvizjen e opozitës, kontaktet e tij me shërbimin sekret komunist ishin ndërprerë.
Debati a është hero apo tradhtar Valesa dhe nëse arritjet e tij të mëvonshme e eleminuan fajin e tij, e ndan ende Poloninë.