Brenda stadiumit Yves-du-Manoir, jashtë Parisit, janë xhiruar shumë filma.
Nga Lojërat Olimpike Verore të vitit 1924 – në të cilat Eric Liddell e bëri të famshëm impiantin për breza me radhë, në filmin “Chariots of Fire” – te Kupa e Botës e vitit 1938, stadiumi Yves-du-Manoir ka një histori të pasur me sportet në skenën botërore.
Një skenë e cila do të rishfaqet në vitin 2024.
Falë një projekti të udhëhequr nga studio e arkitekturës sportive “Populous”, stadiumi Yves-du-Manoir do të transformohet për të mirëpritur hokej në bar gjatë Lojërave Olimpike në Paris, në vitin 2024.
Historia e stadiumit Yves-du-Manoir
Historia sportive e Stadiumit Olympique Yves-du-Manoir (rreth 8 milje nga Kulla Eiffel) ka si protagonistë kuajt. Duke mirëpritur garat e kuajve në fund të shekullit XIX, gazeta lokale “Le Matin” (në shqip “Mëngjesi”), bashkëpunoi me organizatorët e garave për të ndërtuar stadiumin e parë në vitin 1907, duke e quajtur “Stade du Matin”.
Me tribuna të bollshme, stadiumi nisi të presë garat e regbisë dhe në vitin 1924 u bë shtëpia kryesore e Lojërave Olimpike të Verës, me kapacitet 45.000 vende, duke organizuar nga ceremonia e hapjes tek atletika e lehtë e deri te futbolli, regbi, pentathlon modern, çiklizëm, e deri te gjimnastikë dhe tenis.
Në vitin 1928, impianti ndryshoi emër në Stadium Yves-du-Manoir, duke nderuar lojtarin francez të regbi, Yves du Manoir. Në vitin 1938, pasi u zgjerua deri në 60.000 vende, në të u luajtën tre ndeshje të Kupës së Botës, duke përfshirë edhe finalen ku Italia mundi Hungarinë, 4 – 2.
Pas kompeticioneve të para në nivel botëror, Stadiumi Yves-du-Manoir është bërë seli e rëndësishme për regbinë dhe futbollin në vitet ‘70 dhe shtëpi jozyrtare e skuadrës kombëtare franceze të regbisë, si dhe seli e Kampionatit të famshëm të 5 Kombeve (sot i njohur si Kampionati i 6 Kombeve) të regbisë.
Në këtë impiant janë zhvlluar rreth 250 kompeticione kombëtare dhe ndërkombëtare, duke qenë stadiumi kryesor i rajonit parisien deri në vitin 1972, kur u hap Parc des Princes.
Në vitet ‘80, u bë shtëpia franceze e kërcimit me shtizë, duke kulmuar me dy medalje për atletët francezë me shtizë në Lojërat Olimpike të Los Anxhelosit të vitit 1984. Deri pak vite më parë ka qenë fusha e lojës së skuadrës së regbi Racing 92.
“Ky vend është pjesë e kujtesës së Francës, si një pjesë e historisë” – thotë Francois Clement, përgjegjës i “Populous France”.
Rivonivimi për Lojërat Olimpike të Parisit në vitin 2024
Për të sjellë më shumë se 100 vite histori të stadiumit të Lojërave Olimpike ishte i nevojshëm rinovimi i projektit të atij që ishte një impiant prej 6500 vendesh, i përdorur kryesisht për regbi.
Clement deklaroi se është entuziast për sfidën, duke dëgjuar historitë e babait të tij, i cili shkonte në stadium për të parë ndeshjet në vitet ‘60
“Kur babai im shkonte në stadium kishte një velodromë në fund të tribunës, kishte dy tribuna si dhe vende në këmbë – tregon ai. – Këto janë trashëgimi të vërteta, trashëgimi të vetë sportit. Për vite me radhë, ishte vendi ku njerëzit shkonin për të parë ndeshje”.
Falë historisë unike, Stadiumi Yves-du-Manoir ndërthur tre elemente projektimi që përplasen, duke bashkuar aspektet historike të impiantit, një seksion të ri të stadiumit që do bëhet pjesë e trashëgimisë, si selia e ardhshme e Federatës Franceze të Hokejit dhe strukturat e përkohshme, të nevojshme për të mirëpritur lojërat e Paris 2024.
“Nga të gjitha strukturat, është e vetmja që i ka të tria karakteristikat” – thotë Clement në lidhje me Lojërat Olimpike.
“Populous”, e cila ka pasur rol në të gjithë Lojërat Olimpike Verore, duke nisur me ato të Atlanta në vitin 1996, po ndihmon në transformimin e stadiumit në një impiant me 16 mijë vende, i cili ndërthur tribunën historike, e përdorur deri pak kohë më parë për regbi, në tribuna të përkohshme.
Në stadium do të ndërtohet një fushë e dytë me një tribunë tjetër të përkohshme, që do të bëhet shtëpia e hokej në barin francez.
“Tribuna, që mund ta shihni që nga viti 1924 është rinovuar dhe rilyer dhe është një pjesë e bukur e arkitekturës” – thotë Clement.
Ky do të jetë impianti i parë olimpik i hokej në bar, i cili do të ketë një çati, që do t’i mbrojë tifozët nga kushtet atmosferike dhe nga zhurmat që kumbojnë në stadium dhe në fushën e lojës.
“Përvoja e tifozëve në këtë stadium do të jetë e jashtëzakonshme – thotë Clement. – Ndeshja e hokej në bar në Paris do të jetë e veçantë.
Atletët do të jenë në një strukturë tipike të një stadiumi. Në lidhje me hokej, këto impiante janë të rralla”.
Përveç tribunave historike origjinale, të rikonstruktuara, me kapacitet 6500 persona, ndenjëset e përkohshme do të përfshijnë tre anët e tjera të fushës kryesore, ku kapaciteti total do të arrijë në afërsisht 16,000 persona.
Fusha e dytë e lojës do të përfshijë një tribunë të përhershme me 1000 vende dhe një tribunë të përkohshme, me më shumë se 4000 vende.
Sipas Clement, “lehtësia e strukturës”, që mban çatinë përfaqëson një “pjesë të mirë të inxhinierisë së fillimit të shekullit XX”. Duke bashkuar këtë histori me Lojërat Olimpike të Parisit 2024, projektuesit mund të “krijojnë pak magji”.
Ndërkohë që “Populus” po punon për të ndërthurur historinë me modernen, Clement thotë se objektivi është që gjithnjë të bëhen të pavdekshme emocionet dhe atmosfera e Olimpiadave, në mënyrë që të gjithë “tifozët në du-Manoir të kujtojnë kohën e kaluar në atë stadium”.
Pikërisht si kujtimet në “Chariots of Fire” të vitit 1924, mes ndeshjeve të Kupës së Botës në vitin 1938 dhe shumë ndeshjeve të futbollit dhe regbi në vitet e mëpasshme, Clement dëshiron të rrënjosë kujtimet kur të realizohet Yves-du-Manoir për Lojërat Olimpike të Parisit 2024.
“Kujtimet janë të përhershme, të cilat kalojnë brez pas brezi” – thotë ai./ Forbes- Limit.al