Ballina Kryesore Si ndikon kriza e kostos së jetesës tek të rinjtë në mbarë...

Si ndikon kriza e kostos së jetesës tek të rinjtë në mbarë botën?

  • Punonjësit e rinj janë goditur rëndë, nga rritja e kostos së jetesës, sipas një sondazhi të ri.
  • Brezi Z dhe mijëvjeçarët, po humbasin shpresën për të pasur shtëpitë e tyre dhe madje, edhe për të krijuar një familje.
  • Studimet e fundit, arrijnë në përfundimin se ne kemi nevojë për punë dhe mundësi më të mira për të gjithë.

Bota po vuan një krizë të kostos së jetesës, pasi inflacioni është rritur dhe të ardhurat e disponueshme janë reduktuar. Ndikimi i plotë tek të rriturit e grupmoshës 18-40 vjeç, është theksuar nga një sondazh i ri.

Firma e konsulencës Deloitte, anketoi 22,000 të brezit Z dhe mijëvjeçarë, në 44 vende, në lidhje me efektin e rritjes së çmimeve në jetën e tyre dhe zbuluan se kostoja e jetesës ishte shqetësimi numër një për të dy grupet, përpara shqetësimeve për humbjen e vendit të punës, ndryshimet klimatike dhe shëndetin mendor.

“2023 Millennial and Gen Z Survey” i Deloitte, është botimi i 12-të i jetës së Brezit Z (Gen Z) – njerëz të lindur midis janarit 1995 dhe dhjetor 2004 – dhe mijëvjeçarëve (Millenials) – njerëzve të lindur midis janarit 1983 dhe dhjetorit 1994.

Studimi zbuloi se shumë prej tyre, po e ndienin shtrëngimin financiar në mënyrë kaq të mprehtë, sa kishin marrë punë të dyta për të ndihmuar në përballimin e jetesës dhe ishin pesimistë për aftësinë, për të shijuar përfitimet e marra si të mirëqena nga brezat e mëparshëm, si shtëpitë dhe familjet.

Një e re nga Zelanda e Re, përshkroi ndjenjat e shumë njerëzve, kur i tha sondazhit: “Nuk kam mundësi të krijoj një familje dhe më është dashur të filloj një punë të dytë, gjë që po ndikon në shëndetin tim.”

Situata është më e vështirë për të rinjtë

Raporti i Forumit Ekonomik Botëror për të Ardhmen e Punës 2023, thotë se pasojat ekonomike nga pandemia COVID-19, kanë “ndikuar në mënyrë të zhdrejtë punonjësit e rinj”, duke u kërkuar udhëheqësve të biznesit dhe politikës, të investojnë për të krijuar vende pune dhe mundësi më të mira për të gjithë.

Që nga pandemia dhe pushtimi i Rusisë në Ukrainë, inflacioni është rritur, veçanërisht për ushqimin, i cili ka parë rritje të çmimeve duke tejkaluar mallrat e tjera. Në vendet më të prekura, çmimi i ushqimeve u rrit me përqindje treshifrore, sipas të dhënave të Bankës Botërore.

Të pyetur nga Deloitte, për burimet e stresit në jetën e tyre, të rinjtë përmendën shqetësimet për të ardhmen e tyre financiare afatgjatë, financat e përditshme dhe shëndetin dhe mirëqenien e familjeve të tyre.

“Kostoja e jetesës po bëhet gjithnjë e më e lartë. Kam shqetësime se nuk mund të paguaj faturat dhe mos t’u jap fëmijëve të mi, arsimin dhe jetën që meritojnë”, shtoi një grua nga Brazili.

Një burrë i Brezit Z u shpreh kështu: “Shqetësimi im kryesor financiar, do të jetë të sigurohem se mund të kem një ekuilibër të rehatshëm punë-jetë, pasi aktualisht po përpiqem ta ruaj këtë, për shkak të marrjes së shumë orëve shtesë për të përballuar jetesën.”

Një e treta e të anketuarve kanë frikë se nëse klima aktuale ekonomike vazhdon, do të bëhet më e vështirë të kërkohet më shumë fleksibilitet në punë, për të përmirësuar ekuilibrin e tyre punë-jetë dhe 15% mendojnë se kjo do të bëhet e pamundur.

Më shumë se gjysma e të dy punonjësve të anketuar nga të dy brezat, mendojnë se situata aktuale financiare e bën të pamundur kërkesën për një rritje rroge ose ngritje në detyrë.

Megjithatë, një e katërta e Brezit Z dhe 13% e Mijëvjeçarëve, që planifikojnë të largohen nga puna vitin e ardhshëm, thonë se paga është arsyeja kryesore për ndryshimin e vendeve të punës.

Arsyet kryesore për të kërkuar një punë të dytë

Burimi: Deloitte

Paratë u përmendën si arsyeja kryesore, për të filluar një punë të dytë, me 46% të mijëvjeçarëve dhe 38% të Brezit Z, që thanë se kishin nevojë për punë shtesë për të përballuar jetesën.

Punët e dyta më të njohura, ishin shitja në internet dhe si profesionist i lirë, të tilla si shpërndarje ushqimi ose aplikacionet për ndarjen e udhëtimit.

Ndryshimi i sjelljes

Të rinjtë po ndryshojnë gjithashtu sjelljen e tyre për të kursyer para, sipas Deloitte, përfshirë shmangien blerjeve të veshjeve dhe blerjen e rrobave të përdorura, mosdrejtimin e një makine dhe kalimin në dietat vegjetariane ose vegane.

Pothuajse dy të tretat, besojnë se blerja e një shtëpie, do të jetë më e vështirë apo edhe e pamundur në të ardhmen, dhe gjysma e Brezit Z dhe 47% e Mijëvjeçarëve, thonë se krijimi i një familjeje do të jetë i paarritshëm ose shumë i vështirë.

Më shumë se gjysma e të dy grupeve, thonë se jetojnë duke u varur nga paga e çdo muaji pa mundësi kursimi, një rritje prej pesë pikë përqindjeje nga sondazhi i mëparshëm në vitin 2022.

Megjithatë, dy të pestat e Brezit Z dhe një e treta e Mijëvjeçarëve, presin që situata e tyre financiare të përmirësohet gjatë vitit të ardhshëm.

Ndërsa mediat online dhe dixhitale, kanë ofruar burime të reja të ardhurash për disa, është bërë gjithashtu një burim ankthi financiar për të tjerët, zbuloi sondazhi.

Mbi gjysma e Brezit Z dhe 43% e Mijëvjeçarëve, thonë se media sociale i bën ata të duan të blejnë gjëra, që nuk mund t’i përballojnë.

Kriza e kostos së jetesës po teston gjithashtu angazhimin e tyre, për të blerë në mënyrë të qëndrueshme.

Gjashtë në 10, nga të dy brezat, thonë se janë të gatshëm të paguajnë më shumë për produkte dhe shërbime të qëndrueshme, por më shumë se gjysma, thonë se nuk do të jenë në gjendje ta përballojnë, nëse situata ekonomike nuk përmirësohet. / “World Economic Forum”- Limit.al