Përbërësit:
- 1 kg patëllxhanë
- 400 gr selino
- 250 gr qepë të bardha
- 200 gr domate të buta
- 200 gr ullinj
- 60 gr sheqer
- 60 ml uthull e bardhë
- 40 ml salcë domatesh
- 1 tufë borzilok
- Vaj ulliri
- Kripë
Përgatitja:
Për të nisur me përgatitjen e kësaj recete AgroWeb ju këshillon të pastroni qepët dhe t’i grini hollë. Më pas grini selinonë dhe prini përgjysmë edhe ullinjtë, duke i hequr bërthamën.
Lani dhe pastroni patëllxhanët dhe pritini në kubikë siç bëni zakonisht për turlinë apo gjellëra të tjera.Po kështu veproni edhe me domatet e ndërkohë vini të skuqen patëllxhanët derisa të marrin ngjyrë të artë. Kur të keni mbaruar me skuqjen e tyre për disa minuta, vendosini në një pjatë të shtruar me letër në mënyrë që të largoni vajin e tepërt.
Ndërkohë në një tigan me pak vaj shtoni qepën dhe lëreni të zbutet për disa momente, më pas shtoni selinonë e grirë dhe ullinjtë.
Në fund shtoni domatet dhe lërini për disa minuta të mbuluara me kapak në mënyrë që të zbuten e të skuqen që të gjitha për 15-20 minuta. Teksa prisni që perimet të gatuhen, përgatisni salcën e ëmbël të domateve.
Në një enë përzieni salcën, sheqerin dhe uthullën e bardhë të mollës dhe hidhjani të gjithën perimeve e në fund shtoni pak kripë. Përzieni mirë të gjithë perimet dhe në fund shtoni patëllxhanët, përzieni sërish dhe shtoni disa gjethe borzilok të freskët.
Pasi të gjithë përbërësit të jenë bashkuar me njëri tjetrin, vendoseni në një pjatë dhe shërbejeni menjëherë.