Ballina Ravijëzime Reportazh/Tokë pa njerëz

Reportazh/Tokë pa njerëz

(Reportazh i munguar nga bjeshkët e Pukës)

Nga Ndue Dedaj

Nëse ke ndarë mendjen të ngjitesh në lartësitë e bjeshkëve për të shkruar, nuk ka nevojë për asgjë, bile as për laps e letër, pasi nuk do të mbash shënim si dikur shifra dhe fakte nga puna në sharra, aq më pak ndonjë diktofon, ngaqë nuk ke se kë të intervistosh, përpos zogjve të malit. Mjafton një fuoristradë nga ato të Rellit dhe kaq. Ti kurrë s’e kishe menduar se do të vinte një ditë që banorë të maleve nuk do të ishin më njerëzit, por vetëm shpezët dhe kafshët e egra. Ah, po, do të bësh kujdes të mos futesh gabimisht në ndonjë “zonë të ndaluar” pa tabelë, ani se jo ushtarake, pasi do të detyrohesh të kthehesh mbrapsht…

Tonin Alia ka udhëtuar 150 kilometra nga Tirana, duke iu bashkuar dhe ne në Rrëshen, për një ditë turistike, thuaj në dash dhe nostalgjie, nëpër bjeshkët e Pukës. Ndalon makinën në Qafë Mali dhe nis e rrëfen për kohën kur shërbente në pyjore e kujdesej për disa parcela eksperimentuese në këto anë, duke na treguar ndanë rrugës një lloji të veçantë pishe italiane, që ai ia thotë emrin në latinisht (Pseudocuga). Nga rrëfimet e tij, nis të rikthehet një botë e shkuar në shuarje dhe jo thjeshtë një kohë e kaluar. Në këtë kuptim, Tonini i “Ardenos”, siç e njohim tashmë, na duket si një “përkthyes” i asaj bote druvarësh, barinjsh, shtegtarësh, që i kanë mbetur vetëm kujtimet, ndonjë copë mur nga themelet e barakave të dikurshme të sektorëve pyjorë, toponimet që nesër do të harrohen dhe një krua në Lak të Hithit, që nuk është prej druri, po prej një tubi çeliku!? Ky copë metal është e vetmja ndotje mjedisore, nëse nuk llogarisim ca kanaqe birre dhe disa qese plastmasi, nga ata që janë ngjitur deri këtu për turizëm ekzotik e kanë lënë prapa pak pisllëk, si kudo tjetër…

Mali është mbi 1600 metra, por ne jemi ndaluar në lartësinë 1250 metra dhe, veç pishës dhe ahut, shohim plot bimë karakteristike të zonës, ku mbizotëron fieri, hithi, që i ka dhënë dhe emrin këtij vendi, ku na bën përshtypje sidomos një bimë që nuk e njihnim më parë, me emrin e çuditshëm shurrëpela, që në Selitë e kemi parë dhe si ujëvarë. Po ashtu na duket interesant Laverdardha si toponim, ku vetëm pak kilometra më tej është Kunorë Dardha, por dhe mikrotoponimi Guri i Ndrikullës, ku ndrikulla ndoshta qe bareshë e ndonjë “kumbarë” iu vardis nëpër pyje deri aty, por që nuk e kapi dot, pasi ajo u mbajt te ky gur. Toponimi Laku i Qymyrit tregon për korçarët që patën ardhur aty si qymyrxhinj, ku rasti e solli që njëri sosh, Pali Miska, të bëhej drejtues i rrethit të Pukës dhe të ngjitej deri në Byronë Politike.

Prej Qafë – Bene mund të kundrosh një malësi të pafundme bjeshkëtare, nga fshatrat më të afërm, si Kryeziu në njërën anë e Fleti në anën tjetër, që kulmojnë këtu, masivin e përthyer luginor deri në Kukës, pllajat e Hasit etj. Është impresionuese ta fotografosh Munellën që këndej dhe në vazhdimësi Malin e Roshit, nga njëra anë e të cilit buron uji “Lajthiza” e në anën tjetër “Qafë Mali”, dy investime serioze në bashkinë e Fushë-Arrësit, që hyjnë në çdo shtëpi. Me ne është dhe Pali nga Fleti, që kujton hapjen e rrugës së Fierzës për të kaluar materialet e hidrocentralit. Ngaqë urat nuk ishin të forta dhe nuk i mbanin peshat e rënda të turbinave dhe makinerive, skoda e Mehmet Delvinës kalonte anash tyre, nëpër rrugë që hapeshin si ato variantet pyjore. Te Kroi i Fletit është vënë një stol dhe një tabelë që uron mirëseardhjen në shqip dhe anglisht, shenjë e një kulture të re. Makinat në këtë rrugë janë të pakta, por edhe pse thuhet se me një lule nuk vjen pranvera, ato pak minuta që ne qëndruam në asfalt kaloi një rulotë (makinë kampingu) me targa çeke. Sigurisht që nuk është vetëm një “lule”, në resortin Sh&Sh (hotel me katër yje) dhe baret e Fushë-Arrësit shumica e atyre që drekonin këtë të premte ishin të huaj. Duhet thënë se nëse në lartësi nuk pipëtin asnjë zë, në pjesën urbane ka lëvizje dhe gallëri, ndërtim vilash të reja nga emigrantët, bisnesmemët etj., por dhe hidrocentralesh mbi përrenj e lumenj si Fani i Madh, që dhe kur duket se “vonojnë”, nuk ndalen.

Ulemi nga bjeshkët e Pukës dhe tashmë është koha për t’u njohur me kronikën e ditës. Për çudi njëri nga lajmet është prej andej nga vinim ne, Fushë-Arrësi, ku qenkeshin zbuluar nga policia 250 rrënjë bimë narkotike, dhe jo vetëm aty po në krejt bjeshkët veriore, Malësi e Madhe, Dukagjin etj. Don të besosh se krimi po luftohet e rendi po vihet deri nalt në bjeshkë, por a është kjo e mundur kur shteti nuk kontrollon pak metra katrorë poshtë Urës së Dajlanit në Durrës, ku këto ditë u vra një vajzë!?… Lajmet sillen rreth këtij fakti tronditës, ngrohjes globale, inceneratorëve, nga të cilët të paktën kjo verë nuk gjen “shpëtim” etj. Fjala është te krimi dhe konfliktet e pronësisë, në rrethinat e qyteteve të mëdha, shpesh janë mbartur nga njerëzit e shpërngulur “për një jetë më të mirë”, duke e lënë bjeshkën e tyre shkret…

E megjithatë, ndonëse të rrallë, nuk mungojnë idealistët, malësidashësit, njerëzit që rreken të mos e lëshojnë malin, por ta rikthejnë jetën atje, në një mënyrë a në një tjetër, pak sot e pak nesër, mjaft që filli të mos këputet; përmes investimesh në turizëm, rikthimit te rrugët e vjetra, që ishin dhe më të shkurtërat etj. Atëherë dhe titulli i reportazhit tonë do të ishte tjetër…

NDUE DEDAJ