Ballina Diaspora Ndërgjegjësimi i mërgimtarëve, motivim për ndërgjegjësimin e qytetarëve!

Ndërgjegjësimi i mërgimtarëve, motivim për ndërgjegjësimin e qytetarëve!

Shkruan: Florim Zeqa        29.07.2023

Shpresa mbetet tek ngjizja e një alternative të re politike dhe tek vetëdijësimi i qytetarëve, me mosvotimin e politikanëve mashtrues si e vetmja mundësi për largimin e kësaj klase të papërgjegjshme nga skena politike.

Parashikimet e sakta politike

Ashtu siq e kam parashikuar vite më parë në shkrimet e mia analitike dhe prononcimet politike për mediat e shkruara dhe elektronike, të gjitha po dalin të vërteta. Këto i vërtetojë kësaj radhe hapja e dyerve të Parlamentit për mërgimtarët që jetojnë në vendet evro-perëndimore, të cilët e bojkotuan në mënyrë masive hyrjen në ndërtesën e Kuvendit të Kosovës dhe të institucioneve të shtetit në përgjithësi, Ky është treguesi më i mirë i vetëdijësimit dhe ndërgjegjësimit të mërgatës sonë pas mashtrimeve serike të politikanëve në pushtet dhe opozitë.

Thënë të vërtetën, institucionet e shtetit nuk e merituan nderimin e mërgimtarëve siq ka ndodhur në të kaluarën kur stërmbushej salla e madhe e Kuvendit me bashkatdhetarë nga të gjitha vendet e botës.

Ky duhet të jetë një sinjal i kuq për pushtetarët dhe për të gjitha partitë politike dhe politikanët në përgjithësi, e në veçanti për deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës, të cilët nuk janë përfaqësues të partive politike në Kuvend, por përfaqësues të popullit të zgjedhur me votën e lirë të qytetarëve të Kosovës.

Atdhetarët dhe ushtarët e atdheut nuk paguhen nga shteti

Unë nuk kam asgjë personale me asnjë liderë partiak, politikan apo parti politike, nuk e kam asnjë preferencë të veçantë për asnjë subjekt të caktuar politik, por unë e kam një preferencë dhe një dashuri të skajshme për vendin dhe qytetarët e vendit tim, për të cilët jam angazhuar me tërë qenjen time për më tepër se katër dekada dhe do të angazhohem pa u ndalur derisa të jemë gjallë për të mirën e popullit tim.

Ndjehem tepër krenar, që për katër dekada rresht kam punuar për vendin tim krejtësisht në baza vullnetare pa u paguar nga shteti dhe i tillë do të mbetëm përgjithmonë, ushtarë besnik i atdheut tim. Ushtarët e atdheut nuk paguhen, ata e kryejnë borxhin ndaj atdheut dhe nuk marrin asgjë prej tij, kurse mercenarët paguhen dhe zhvatin krejt çka të munden nga shteti i cili i paguan!

Betimin e ushtarit e ka bekuar edhe Zoti

Eshtë mirë që kanë filluar ta kuptojnë qytetarët e vendit dhe bashkatdhetarët se këto parti aktuale të skenës politike nuk janë alternativë e ecjes përpara, pasi të gjitha e kanë dëshmuar vetën në (keq) qeverisjen e vendit deri tek kjo e fundit e cila kishte premtuar shumë dhe nuk realizojë asgjë për qytetarët dhe mërgimtarët.

Andaj, qytetarë të dashur të Republikës së Kosovës dhe bashkatdhetarë në botën mbarë, e vetmja mundësi dhe shpresë për zgjidhjen e shumë problemeve të akumuluara ndër vite ka mbetur ngjizja e një alternative të re politike, siq po e quaj unë ADN apo Alternativa Demokratike për Ndryshim, apo thënë edhe më mirë alternativa shqiptare e cila do t’i hapë rrugë dhe shtigje të reja zhvillimit ekonomik dhe mirëqenjes së qytetarëve.

Qytetarë të dashur të vendit tim, ju lutem që të keni mirëkuptimin dhe konsideratën për këto fjalë hyjnore të dalura nga thellësia e shpirtit tim. Me këto fjalë nuk ndërlidhet asnjë interes personal apo grupor, ky është qëllim dhe objektiv i imi jetësorë që ta bëjë Republikën e Kosovës shtet ligjor dhe demokratik, të barabartë për të gjithë, e jo të mbetet siq ka qenë dhe është aktualisht “për dikë nënë, e për dikë tjetër njerkë”.

Ju garantoj dhe zotohem para jush dhe para Zotit, që nëse e kërkoni që unë të bëhem pjesë e qeverisjes së vendit në të ardhmen e afërt, unë ushtari besnik i atdheut tim do t’i realizojë të gjitha premtimet dhe në plotni siq i realizon ushtari i lirisë objektivat e tij në vijat e frontit.

Vërtetë ndjehem mirë që parashikimet e mia dhe të gjitha ato që i kam shkruar e thënë ndër vite për këtë klasë politike, të gjitha po dalin të vërteta, ku për fatin e keq, të gjitha partitë aktuale që ishin dhe janë në pushtet kanë dështuar në bërjen e Kosovës shtet funksional, shtet ligjor, demokratik dhe të barabartë për të gjithë qytetarët e vendit.