Nga: Themi J. TUSHE,
New York-Kingston Pennsylvania, SHBA
Qyteti i Fierit
Duke filluar qysh nga lashtësia, kur Myzeqeja jonë, perla e bukurive të mëdha të Adriatikut quhej me emrin e saj të moçëm Taulanti, kjo trevë ka qenë një krahinë shumë e zhvilluar për ato kohëra dhe mjaft e përmendur në të gjithë botën.
Në qytetet e saj antike me famë si Apollonia, Arnisa, Adria, Daulia(Daullasi), Dimali, Portëza,(Porti), Mbyeti, Dasareti, Pirgu, Spinarica e tjerë, lulëzuan arti, kultura, skulptura, piktura, oratoria, folklori, sportet dhe mjaft shkenca të tjera.
Thesare të shumta të këtij qytetrimi të lashtë, i të parëve tanë, që egzistonte qysh para mijëra vjetësh, por edhe ato të Mesjetës, kanë mbritur deri në ditët tona dhe tashmë, për vlerat e tyre të ç’mueshme që bartin janë bërë pjesë e kulturës botërore.
Në universitetin famoz të Apollonisë së Myzeqesë, vinin student nga e gjithë bota e atëherëshme, mjaft prej të cilëve në auditoret e tij u bënë profesor, dijetar, artist dhe historian të dëgjuar, që lanë pasë një emër të ndritur, por edhe ushtarak të zot, të asaj periudhe të largët.
Tek ky universitet i dërgonin fëmijët e tyre për të marrë njohuri të thella shkencore, dije në fushat e bukura të artit dhe një kulturë të gjerë e të pērparuar, vetëm familje të pasura dhe shtresat e larta të asaj shoqërie, por edhe lider të mëdhenj ushtarak që drejtonin perandorinë dhe ushtritë e saj.
Këtu, në këtë qytet të lavdishëm dhe hijerëndë myzeqaro-ilirian, plot kulturë, stoli dhe skulptura mermeri, studioi për disa vjetë edhe Oktavian Augusti, një nga perandorët më të dëgjuar të Romës së Lashtë, i cili në shenjë respekti e dashurie për të dhe popullin e saj artdashës, i akordoi Apollonisë edhe një status të veçantë vetqeverisës dhe tepër të privilegjuar gjatë periudhës së mbretërimit të tij.
Megjithëse forcat e mëdha të natyrës, por edhe okupatorët e shumët që u derdhën vazhdimisht nëpër shekuj mbi këtë krahinë u sollën keq me atë, duke e dënuar dhe dëmtuar mjaft rëndë këtë trevë iliro-pellazgjike kaq të zhvilluar e me histori të ndritur, por kultura, arti, folklori, muzika dhe sidomos këngët popullore e vallet epike të kësaj treve, nuk u shuan kurrë.
Ato mbijetuan për qindra e qindra vjetë me radhë, tek populli ynë i mbrekullueshëm myzeqar me shpirt artisti, dhe u përcollën nga njeri brez në tjetrin, duke mbritur deri në kohët e sotme.
Trashëgimnia e këtij folklori kaq të pasur e me rrënjê që nga lashtësia, ka një vazhdimësi të pandërprerë qysh nga ato kohëra të herëshme dhe ajo gjendet pothuajse në të gjithë krahinën e Myzeqesë.
Kjo trashëgimni e madhe ka një shtrirje dimensionale mjaft të gjerë dhe fillon që nga fshatrat Spille, Rreth-Greth, Vilë e Boshtovë në veri, vazhdon në Divjakë, Lushnje, Kuçovë, Libofshë ( Karatoprak), Fier, Pojan, Shën Pjetër, Bishan, Pishë Poro dhe përfundon në perlën e bukurive të Nartës, që kufizohet me qytetin e Vlorës, në jug.
E tërë kjo pasuri kaq e vyer folklorike shfaqet dukshëm edhe sot me të gjitha format e egzistencës së saj dhe me një repertor mjaft të larmishëm, duke nisur që nga krijimtaria vokale, (një zëshe, apo shumë zëshe-polifonike), krijimtaria instrumentale dhe deri tek vallet e vjetra qindra vjeçare, të cilat kërcehen edhe tani aq bukur nëpër Myzeqe.
Populli Myzeqar, me një qytetërim të lashtë, megjithëse i okupuar e robëruar, por kurrë i nënshtruar, ai ka bërë vazhdimisht një jetë prej artisti. Njerëzit e kësaj krahine, nuk janë ndarë
kurrë, për asnjë çast nga arti, sporti, oratoria, humori, teatri , muzika, dhe sidomos nga kënga e ëmbël myzeqare e vallet e tij të mbrekullueshme, porsi ato valët e detit plot bukuri, të cilat nën shoqërimin e fyejëve, borive, defit, daulleve dhe melodive të instrumentave të tjera autoktone muzikore, ishin dhe mbetën perla të vërteta të kësaj treve artdashëse .
Ja si i përshkruan vlerat e mëdha folklorike të Popullit artdashës Myzeqar rilindasi i madh, dijetari, ideologu, folkloristi, ekonomisti dhe shkrimtari ynë Zef Jubani (1818-1880), që i njihte mjaft mirë dhe i respektonte aq shumë myzeqarët:
“…Emri Myzeqe vjen nga emri Muzikë …banorët e Myzeqesë, janë të prirur nga Muzika…Filozofët tanë të vjetër zbuluan praninë e saj tek ata(myzeqarët) dhe prandaj i kushtuan Perëndisë së Muzikës qytetin e Pojanit mbi brigjet e Adriatikut dhe e ngritën atë për të qenë si mësim dhe si model për kombin e vet dhe për popujt e huaj…banorët e atyre vendeve e mbajnë me vehte emrin myzeqar, që donë me thanë, njerëz të prirur ka muzika, të cilët i përgjigjen edhe sot me fakte këtij tributi tradicional… Kur shpirti i tyne tronditet nga misticizmi i muzikës, shihen si të dehur deri në ekstazë dhe atëhere duket çasti me të cilin improvizojnë këngë sipas shijeve kombëtare me koncepte të madhnueshme dhe të jashtëzakonshme, tue ua përshtat melodinë e ëmbël dhe prekse në mënyrë origjinale… Këngët e Myzeqesë janë nga më të mirat dhe nga më të kërkuemet e këtij kombi…”.
Dhe kishte shumë të drejtë ky erudit shkodran me analizat dhe konkluzionet e tij të sakta shkencore për Myzeqenë. Ai si një dijetar i përmasave të mëdha, i ishte referuar pikërisht mitologjisë klasike iliro-pellazgjike, të përvetsuar e vjedhur nga okupatorët greko-sllav, e cila na tregon qartë edhe për hyjnorin më të rëdësishëm të botës antike me emrin Apolon, (të birin e Zeusit), që ishte Perëndia e Muzikës, e Arteve dhe e Poezisë. Jo më kot në zemër të Myzeqesë, mbi dy kodra me bukuri magjike, pran detit dhe buzë lumenjëve, ne gjejmë emrat e dy hyjnorëve, vëlla e motër, atë të Apolonit dhe pran tij Artemidën(Ardenicën e sotme). Të parët tanë(pellazgo-ilir) i prunë dhe i ngritën mbi piedestale natyrore këto dy hyjni në Myzeqe(Taulanti), sepse ishin njerëz të artit, të muzikës, poezisë, por edhe të punës. Në antikitet njerëzit preferonin më tepër ato hyjni, që u përshtateteshin më mirë zakoneve, traditave dhe shijeve për plotsimin e nevojave të tyre shpirtërore. Taulantët, duke jetuar në një trevë mjaft të pasur si Myzeqeja dhe të dhënë shumë pas argëtimit, artit dhe muzikës, por edhe trimërisë, preferuan Hyjnorin Apolon, Perëndinë e Muzikës, që ta kishin në shtëpinë e vet, duke lartësuar kështu edhe më shumë emrin e tyre në ato periudha tepër të herëshme.
Po kështu edhe diplomati, shkrimtari, fizikanti, historiani dhe konsulli francez pranë Ali Pashë Tepelenës, Français Pouqueville (1770-1838), që i njihte jo pak historinë, kulturën, artin dhe famën e myzeqarëve, kur flet për këta dhe cilësitë e tyre, ndër të tjera ai ka shkruar:
“…Gratë myzeqare dhe të rrafshit të Tomorrit, janë thesare me vlera të vërteta bukurie për kurorën e dashurisë…me sy të mëdhenjë, të kaltër e të ndriçuar me flakë qiellore, me flokët gështenjë në të verdha, hundë të hollë, gojë të ëmbël…me lëkundjet e tyre trupore, elegante dhe të ndjeshme, me finesën e këmbeve të tyre, çdokush mund ti marrë për Perëndesha të Lashtësisë, apo Nimfa, me të cilat profeti zbukuroi parajsën kur priste miqët e tij më të nderuar…të gjitha shfaqen si prototipe të përkryera të bukurisë…toskët janë rraca më e bukur ndër tërë shqiptarët, janë rracë burrërore, luftarak, mikpritës, këmbngulës, besnik ndaj miqëve dhe aq të fort, sa është vështirë ti lëvizësh nga vendi i tyre…”.
Populli vital i kësaj krahine, plot me virtyte të larta e gjithëfarë zakonesh të bukura, u qëndroi gjithmonë besnik traditave të veta, të cilat mbetën bashkëudhëtare me të, në githë jetën e tij.
Myzeqari edhe kur shkonte në luftë, apo në arë për të punuar, mbrëmjeve në stane, ose duke ruajtur e kullotur tufat e bagëtive nëpër fushat e tij të lulëzuara, anës së lumenjëve plot me ujëra të ftohta malesh dhe brigjeve të detit gjithë freski e kaltërsi, atë e shikoje gjithmonë me fyej në dorë dhe këngë në gojë. Ai i ka kënduar vazhdimisht gjithë pasion bukurive pafund të krahinës së tij, heronjëve e trimave të rënë nëpër luftra e beteja për liri, dashurisë dhe sidomos vashës myzeqare, kësaj shtojzavalle me flokët e saj gështenjë në të verdha dhe me sy të kaltër, që shquhet për zgjuarsinë, nazet, inteligjencën, elegancën, finesën dhe bukurinë e saj të rrallë.
Janë të shumëta këngët e vjetra të kësaj krahine, që vijnë qysh para qindra vjetësh dhe na flasin edhe sot për bukurinë, trimërinë dhe oratorinë e vashave myzeqare.
Ndër këto këngë, ne mund të veçojmë dy perla të kësaj treve, që gati po shuheshin përgjithmonë prej kujtesës së popullit tonë, nga errësira e gjatë nën robërinë turke, si ajo e Bukuroshes së Strumit dhe Çupës së Pojanit. Ato u kushtohen dy vajzave të bukura myzeqare, të cilat, ashtu si dikur gratë e Sulit, e mbrojtën me kobure në dorë dhe trimëri nderin e vet, të familjes dhe kombit të tyre, për të mbetur kështu përjetësisht të gjalla në mendjen dhe zemrën e çdo myzeqari.
Ndërsa Bukuroshja e Strumit u ringjallë rastësisht përsëri, nga ndërhyrja e një lideri diktatoro-proletar, e i gjithëpushtetshëm, Çupa e Pojanit vazhdonte rrugën e saj nëpër humnerën e harresës pa kthim, për të humbur përgjithmonë.
Falë dëshmive të disa burrave të nderuar nga fshati Pojan i rrethit Fier, si mësuesi i talentuar, veprimtari dhe këngëtari popullor Mihal Stefan Gjeçi, Mihal Lena, Ndoni Rrezhdo, Nasi Golemi, Koçi Mandro, Andrea Kili Dimo, Jorgji Tushe, Aleks Loni Gjeçi, Mihal Prevazi e shumë të tjerë, që hodhën dritë me tregimet e tyre për këto akte trimërie të pashoqe, të dëgjuara prej të parëve të vet, sot ne kemi një informacion disi më të qartë rreth ekzistencës së tyre dhe këngëve kushtuar këtyre dy heroinave myzeqare.
Nuk po merrem fare me mendimet e ndonjë intelektuali arkaik e nihilist, apo paranojaku krahinor, të cilët mund të thonë, se këto ngjarje trimërie nuk kanë ndodhur në Myzeqe. Sot e kam të lehtë përgjigjem ndaj tyre, pasi ne tani më shumë i besojmë kujtesës se popullit tonë, gojdhënave, tregimeve dhe këngëve të tij, sesa njerëzve të tillë të painformuar, apo pērrallave pa ndonjë vlerë shkencore të disa pseudohistorianëve tanë të Tiranës, të cilët vuajnë ende sëmundjen e rëndë të verbērisë dhe sklerozës, prej leksioneve antishqiptare të shkollës greko-ruso-sllave mbi historinë.
Tashmë dihet shumë mirë nga të gjithë ne, se historia e kësaj treve dhe e gjithë trojeve tona nuk është shkruar fare, sepse shqiptarët janë përdjekur, burgosur, dënuar e vrarë pa mëshirë, edhe pse mësonin gjuhën e vet e jo më të shkruanin historinë e krahinës, apo të kombit të tyre.
Aktet e larta heroike të liderëve tanë kryengritës myzeqar Mihal Kërraba, Nikoll Lushi, Martin Kolashi, Bartol Palesi më 1603, ai i Alush Frrakullës e Filip Zhukës më 1835, por edhe i kapedanëve Gori Myzeqari, Trifon Lala, papa Jorgji Karavastaja, Jorgji Perriu, Mançe Malko, Sul Sinani, Met Roshe më 1840, në këto tre beteja të lavdishme kundër Perandorisë Osmane e të tjera, të mbetura në errësirë dhe zbuluar vetëm kohët e fundit, janë dëshmitë më të sakta, që na tregojnë ne për dhunën e madhe të përjetuar nga populli ynë gjatë asaj periudhe.
Po kështu edhe kalvari i vuajtjeve të rilindasve tanë të mëdhenj fierak, si Kostandin Minga, Jani Kostandin Minga, at Irakli Pylli(papa Isai), Llazi Spiro të Shën Pjetrës, Jovan e Zoi Ndreko të Libofshës, At Ikonom Kozma Dhima e papa Spiro Saqellari të Kolkondasit, hoxha i Radostinës (Ujëmirës) Ymer Driza”Hoxha”(1867-1941) e qindra të tjerë, para, gjatë dhe pas shpalljes së pavarsisë, që ende nuk janë zbardhur plotsisht, ka qenë tepër i pashembullt.
Të gjitha kēto fakte, por edhe mijëra ngjarje si këto, na rrëfejnë më së miri, se kush ishte okupatori turk, përse erdhi në Ilirik(jo Ballkan) dhe çfarë masakrash e terrori ka bërë ai për pesë shekuj ndaj myzeqarëve të krishter, artit, kulturës, folklorit dhe historisë së tyre, por edhe kundër tërë Kombit Shqiptar.
Ja disa nga këngët e humbura, që janë shkruar përsëri mbi bazën e kujtimeve të disa myzeqarëve nga Andy Apolloni për këto dy vajza trimëresha dhe për dy trima të tjerë, të cilat kanë zënë një vend të nderuar edhe në librin”Këngët e Bilbilëve të Myzeqesë” të kētij autorit, i cili po përgatitet së shpejti për botim.
Bukuroshe e Strumit
Bukuroshe e Strumit.
———————————
1.
Shkoje anës lumit
Dhe hidhëshe ne vah
Bukuroshe Strumit
Me shtëma në krah
Koburen në brez
Fshehur nën kērma
2.
Te burimi vije moj
Çdo darkë dhe sabah
Bukuroshe Strumit
Me shtëmat në krah
Koburen në brez
Fshehur nën kërma
3.
Ç’bukuri të rrallë
Zoti se ç’ të dha
Bukuroshe Strumit
Me shtëmat në krah
Koburen në brez
Fshehur nën kërma
4……
13.
Ngrije pak shaminë
Përmbi vetulla
Bukuroshe Strumit
Me shtëmat në krah
Koburen në brez
Fshehur nën kërma
14.
Ta shoh bukurinë
Por si luleja
Bukuroshe Strumit
Me shtëmat në krah
Koburen në brez
Fshehur nën kërma
15…..
19.
Oficeri turk
Një ditë se ç’të pa
Bukuroshe Strumit
Me shtëmat në krah
Koburen në brez
Fshehur nën kërma
20.
Nga pas se ç’tu qep
Edhe nuk tu nda
Bukuroshe Strumit
Me shtëmat në krah
Koburen në brez
Fshehur nën kërma
21.
Mos më prek me dorë
Turçelisë i tha
Bukuroshe Strumit
Me shtëmat në krah
Koburen në brez
Fshehur nën kërma
22.
Shpejt koburen nxorri
Dhe në ball ç’i ra
Bukuroshe Strumit
Me shtëmat në krah
Koburen në brez
Fshehur nën kërma
A J. A
Çupa e Pojanit
———————-
1.
Çi kish dalë nami
Në gjithë njerëzinë
Çupa e Pojanit
Si ylli që ndrinë
Shqiponjë e vatanit
Nderoi tërë nahinë
2.
Nëna ja kish falur
Pa masë bukurinë
Çupa e Pojanit
Si ylli që ndrinë
Shqiponjë e vatanit
Nderoi tërë nahinë
3.
Zoti ja patë dhënë
Edhe trimërinë
Çupa e Pojanit
Si ylli që ndrinë
Shqiponjë e vatanit
Nderoi tërë nahinë
4.
Rrugës tek burimi
Se ç’ja zunë pusinē
Çupa e Pojanit
Si ylli që ndrin
Shqiponjë e vatanit
Nderoi tërë nahinë
5.
Një zabit ja mori
Përmbi kokë shaminë
Çupa e Pojanit
Si ylli që ndrin
Shqiponjë e vatanit
Nderoi tërë nahinë
6.
Menjëherë nga brezi
Nxori shpejtë alltinë
Çupa e Pojanit
Si ylli që ndrin
Shqiponjë e vatanit
Nderoi tërë nahinë
7.
Dhe në tokë e shtriu
Zabit osmanllinë
Çupa e Pojanit
Si ylli që ndrin
Shqiponjë e vatanit
Nderoi tërë nahinë
A J. A
Kënga e Rrapos
————————
1.
Se ç’i hipe kalit dhe e le Zhavar’ë
Koburja në bres, ndriste tërë ar
Lule trim o Rrapo
O djalë myzeqar
2.
Dhe në Fier u sose, duke fluturuarë
Zbrite që nga shala dhe ndeze cigar
Lule trim o Rrapo
O djalë myzeqar
3.
Aty se çu poqe me ca taksidarë
Bashkë me ta na qenë dhe ca tradhëtar
Lule trim o Rrapo
O djalë myzeqar
4.
Që kudo nga shkonin, bënin si të marrë
Dhe grabisnin njerëzit, njësoj si kusar
Lule trim o Rrapo
O djalë myzeqar
5.
Kur ti drejt burimit ishe duke shkuarë
Tyja se çtë panë dhe të janë afruarë
Lule trim o Rrapo
O djalë myzeqar
6.
Mos pi ujë këtu, të thanë këta zuzarë
Unë do pi u the, se këtu jam i parë
Lule trim o Rrapo
O djalë myzeqar
7.
Do ti jap dhe kalit, se për ujë është tharë
Dhe pastaj të pij, kush të vij me rradhë
Lule trim o Rrapo
O djalë myzeqar
8.
Por këta të krisur, mbenë të turpëruarë
Dhe e ngritën zërin, ty duke të ngarë
Lule trim o Rrapo
O djalë myzeqar
9.
Mu në mes të Fierit, brenda në pazar
Së ç’ja nise sherrit me këta qyqar
Lule trimi o Rrapo
O djalë myzeqar
10.
Dhe tek ti dyfektë, se ç’na i drejtuanë
Menjëherë i shkrepën, gati sa të vranë
Lule trim o Rrapo
O djalë myzeqar
11.
Shpejt nxore koburen, dy të vdekur ranë
Dhe pesë i plagose, me vigje i çuanë
Lule trim o Rrapo
O djalë myzeqar
12.
Të tjerët ç’ja mbathën, vrapit se ç’ja dhanë
Por njëzetë xhandar, shpejtë të rrethuanë
Lule trim o Rrapo
O djalë myzeqar
13.
Koburen ç’ja dhe, një plaku xhanan
Në thes shpejt ja fute, brenda në duhan
Lule trim o Rrapo
O djalë myzeqar
14.
Kur mbritën tek ti, kobure s’të panë
Dhe njerëzit për ty, asnjë fjalë, nuk thanë
Lule trim o Rrapo
O djalë myzeqar
15.
Dhe pastaj xhandarët, ikën dhe të lanë
Ata nuk të prekën, as me dorë, s’të nganë
Lule trim o Rrapo
O djalë myzeqar
16.
Se ç’i hipe hatit, porsi kapedan
Dhe shpejt i the ecë e ngave revan
Lule trim o Rrapo
O djalë myzeqar
17.
Në shtëpi sa mbrite e gëzove fshan’ë
Lajmi se çu hap, mori tërë dynjanë
Lule trim o Rrapo
O djalë myzeqar
18.
Shtatë shok kaçak, se çtu gjendën pranë
Të thanë të lumt dora, nderove vatan’ë
Lule trim o Rrapo
O djalë myzeqar
A J. A
Kaçak Tasi me manxerrë
—————————————
1.
Ndër milet qe shumë i ndjerë
Ngrite shtëpi edhe në Fier
Shkallët i bëre me mermer
E thure përqark me tel
Kaçak Tasi trim
Trimi me manxerrë
2.
Dhe të gardhi vure derë
Prisje miq me shumë vlerë
Ta kishin frikën bejler’ë
Kurrë nga ata, spate qeder
Kaçak Tasi trim
Trimi me manxerrë
3.
Me dovletin gjithmonë sherr
Ta rrethuan shtëpinë një herë
Gardh e bënë me asqer’ë
Krisi luftë e paprerë
Kaçak Tasi trim
Trimi me manxerrë
4.
Kokën lanë disa të mjerë
Vet zabiti shkoi si derr’ë
Shumë ja mbathën nëpër terr
Drejtë Beratit shkuanë si erë
Kaçak Tasi trim
Trimi me manxerrë
5.
Në Ardenicë e kishe folenë
Bashkë me shumë burra të tjerë
Shtyre pushkë për Mëmëdhenë
Na e nderove Myzeqenë
Kaçak Tasi trim
Trimi me manxerrë
A J. A
Myzeqeja si një krahine ku jetonte një popull me besim fetar i krishter, ku çdo fshat ka patur edhe kishën e tij, që drejtoheshin nga pesë manastiret e saj të mëdha si ai i Apollonisë, Ardenicës, Kolkondasit, Sheqishtes dhe Zvërnecit, të cilat kishin edhe shkollat e tyre në gjuhën greke me mësonjës priftërinj shqiptar, bënte një jetë më të përparuar, të organizuar dhe me aktivitete të pasura kulturoro-artistike.
Shfaqet, koncertet, këngēt, humori, lodrat popullore dhe vallet e bukura myzeqare me sensin kombëtar, të shoqëruara edhe nga grupet e sazeve, fyejëve, defave, daulleve e tjerë , që zhvilloheshin nëpër dasma, ditë të shënuara shenjtorësh, gëzime familjare dhe festa, të cilat ishin të vazhdueshme në jetën e myzeqarit, si dhe urrejtja e madhe ndaj okupatorit turk, e bënin këtë krahinë që të dallohej dukshëm në çdo drejtim nga trevat e tjera shqiptare.
Në shkollën e kishës së Manastirit të Apollonisë, mësonjësi dhe rilindasi ynë i shquar myzeqar Kostandin Minga(i ati i Jani Mingës), zbuloi këngētarin brilant, bilbilin e Myzeqesë Llazi Spiro, nxënësin e vet, tek i cili ndikoi shumë edhe në formimin e tij si një patriot e luftētar i madh.
Ura e Gjanicës
Ndërtimi i urës së gurtë mbi Gjanicë dhe i katedrales së bukur të Shën Gjergjit në katundin Fier më 1777, pranë këtij lumi, midis livadheve plot lule anës tij dhe me burime ujë të freskët, përmbi një tempull të mëparshëm kulti kristian mesjetar, ku gojëdhënat e shumta rrëfejnë se në këtë vend të shenjtë pushonte edhe heroi ynë kombëtar Gjergj Kastrioti (Skëndërbeu) kur udhētonte shpesh në këto anë, si dhe karvanet e shumta tregëtare, lider ushtarak e perandorak, solli disa ndryshime të ndjeshme në jetën ekonomiko-shoqërore, arkitekturore dhe kulturoro-artistike të këtij fshati e më gjerë.
Megjithatë, pavarsisht nivelit disi të përparuar që kishte kjo trevë për atë kohë, ngritja e qytetit të Fierit më 1864 nga ana e Kahreman Pashë Vrionit, i sarajeve të tij luksoze dhe i një tregu mjaft të madh me mbi 100 dyqane nga një studio franceze arkitektësh sipas stilit europian perndimor, krijoi një bum të fuqishëm në zhvillimin e gjithanshëm ekonomiko-politiko-shoqëror të këtij qyteti gjatë asaj periudhe.
Këto zhvillime kaq të mëdha pēr kohën, si dhe dy hanet e mëparëshme tepër të dëgjuara për aktivitetin e tyre çuan gradualisht edhe në ndryshime tē tjera mjaft të rëndësishme në gjallërimin e jetës kulturoro-artistike të popullit të këtij qyteti të ri, por edhe në gjithë krahinën e Myzeqesë.
Tregu i Fierit
Duke përjetuar këto ndryshime të mëdha, tregtar(biznesmen) të suksesshēm fierak, me shije dhe kulturë perndimore italo-francezo-austriake, filluan të bënin investime të fuqishme në të gjitha fushat, për tē rritur me shpejtësi edhe fitimet e tyre.
Kështu gjatë vitit 1900-të, tregtari myzeqar Taçi Mandi ndërtoi kazinon e parë pranë urës së Gjanicës, në qytetin e bukur të Fierit, e cila shumë shpejt u bë tepēr e famëshme, jo vetëm për biznes, por edhe si qendër shfaqesh artistike, që frekuentohej vazhdimisht nga këngëtarët më të njohur myzeqar si dhe ata të Vlorës, Beratit, Përmeti, Leskovikut dhe gjithë Shqipërisë së Jugut. Kjo kazino e ngritur afër sarajeve të pashallarëve Vrionas, me koncerte për çdo mbrëmje, ku ushtonte fuqishëm muzika dhe kënga myzeqare, i detyroi bejlerët beratas që të hapnin një proces gjyqësor dhe të kërkonin mbylljen e saj. Duke ndjekur shumë seancave gjyqësore maratonë, pas dy dekadash aktivitet suksesi, aty rreth vitit 1920 kjo kazino me famë u mbyllë përfundimisht.
Qytetarët artdashës fierak, të drejtuar nga liderët patriot, kapedanët e çetave të tyre të armatosura kryengritëse dhe “ Komiteti i Fshehtë i Fierit”, duke parë se paria e Vrionëve e fitoi gjyqin me gjyqtarët e vet të korruptuar të asaj kohe, për ti sfiduar dhe turpëruar atë, morën një vendim të shpejt dhe tepër të guximshëm, që të ndërtonin përsëri dy kazino të tjera në qytetin e vet.
Disa kohë pas mbylljes se kazinosë së parë më 1920-të, tregtari dhe atdhetari trim Sotir Ikonomi për të sfiduar bejlerët Vrionas, në oborrin e katedrales së Shën Gjergjit ndërtoi një kazino të bukur, e cila mjaft shpejt u bë tepër e dëgjuar në të gjitha krahinat e jugut. Fama e saj u rrit edhe më shumë, sepse në këtë kazino filloi të këndonte për çdo natë këngētari i madh, poeti, luftētari, komandanti i çetës kryengritëse Pojan-Shën Pjetër-Boçovës, bilbili i Myzeqesë Llazi Koli Spiro( Shën Pjetra) me grupi në tij.
Ky akt i atdhetarëve fierak i irritoi edhe më tepër bejlerët beratas, të cilēt para vendosmërisë dhe forcës së popullit të këtij qyteti, nuk mundën tē bēnin dot më asnjë veprim për t’ju kundërvënë kohës dhe vrullit të fuqishëm patriotik të tyre.
Duke parë përpjekjet dhe reagimet e dëshpēruara të Vrionasve kundër hapjes së kësaj kazinoje të dytë, patriotët triumfator të këtij qyteti planifikuan edhe hapjen e një kazinoje tjetër, për ti neutralizuar plotsisht përpjekjet e tyre dhe turpëruar ata përfundimisht në ndërmarjen e aventurave të tilla.
Menjëherë e pa humbur kohë, një pasanik tjetër fierak, nga një fis tepër i shquar për veprimtari patriotike Nasi Toska, po gjatë këtij viti, ndërtoi edhe kazinon e tretë te Porta e Tregut të Madh, në breg të Gjanicës, e cila shumë shpejt hyri në rrugën e suksesit të pandalshëm, si edhe të parat. Edhe kësaj kazinoje ju shtua më shumë nami, pasi ajo u bë shtëpia e dytë për kēngëtarin e dëgjuar fierak Kiu Poro dhe partnerët e tij.
Kështu të treja këto kazino, pas dy haneve të mëparëshme të këtij qyteti, hapēn një epokë të re dhe u bënë qendra tepër të rëndësishme për zhvillimin e mëtejshëm të artit, kulturës dhe këngës së bukur fierake dhe asaj myzeqare.
Në këto kazino të Fierit me emër, vinin vazhdimisht edhe grupet e sazeve nga më të mirat e asaj kohë si dhe këngëtarët më të dëgjuar prej gjithë jugut, si gjirokastriti Bilbil Cenko Vlora, Tefik Hyskja nga Skrapari, Isuf Berati, Jonuz e Vangjel Leskoviku nga Përmeti, Kili Gjonçe nga Mifoli e shumë të tjerë, për të kënduar sëbashku me bilbilin tonë të Myzeqesë Llazi Spiro.
Instrumentisti dhe sazexhiu prestigjioz përmetar Isuf Pērmeti, një nga më të famëshmit e asaj periudhe që vinte shpesh në kazinotë e Fierit ndêr të tjera ka thënë:
“…shumë vende unë kam bredhur e gjezdisur, por këngëtar qeflinj të rrallë, që nuk ua gjen dot shokun, nuk kam parë kund si në Fier”.
Kulmin e saj bukuria magjike e kēngës fierake e arrinte vetēm atëherë kur këndonin sëbashku dy kolosët e mëdhenj tē kēngës, Llazi Spiro si marrës dhe Kiu Poro si mbajtës(kthyes), një duet i veçantë dhe i paarritshēm për nga vokali dhe zëri i tyre tepër i ëmbël e melodioz që kishin.
Llazi Spiro, ky këngētar i një niveli mjaft të lart”high class “, në çdo shfaqe dhe koncert me partner të tjerë në Fier, Vlorë, Tiranë, apo qytete të tjera kudo gjetkë, ky ishte dhe mbeti gjithmonë violinë e parë e këngës dhe për vlera të tilla ai respektohej nga të gjithë edhe si bilbili me kobure i Myzeqesë, me të cilin nuk mund të krahasohej dot askush, jo vetëm në këtë krahinë, por as edhe në tërë Shqipërinë e Jugut.
Koçi Mandro dhe Andon Rrezhdo, dy pojanak të nderuar, miq të shkrimtarit tonë fierak Jakov Xoxa dhe punonjës pran serave të eksportit të këtij fshati, ruanin kujtime mjaft të bukura për këngētarin Llazi Spiro.
Aty rreth vitit 1974-1975, ata rrëfenin se kur ishin të rinj, sëbashku me shok të tjerë shkonin vazhdimisht mbrëmjeve prej Pojanit në Fier, në kazinon e Sotir Ikonomit, te kisha e Shën Gjergjit, vetëm pēr të parë këngëtarin e famshëm Llazi Spiro, i cili ishte mjaft i preferuar dhe pëlqejej shumë, jo vetëm nga qytetarët e Fierit, por edhe gjithë myzeqarët.
Kjo kazino ishte gjithmonë plot me njerëz dhe zotrinjēt që mereshin me sigurimin e qetësisë së saj shpesh na thoshin, shkoni te kazinoja e Nasi Toskës, sepse atje këndon Kiu Poro dhe do të kënaqeni, por djemēria nuk pranonin të largoheshin prej oborrit të kishës, sepse donin të shikonin elegantin bukurosh Llazi Spiro të veshur me kostumet e bukura myzeqare dhe dëgjonin zërin e ëmbël magjik të tij. Edhe Kiu Poro ka qenë këngëtar i mirë tregonin ata, por jo si Llazi Spiro, sepse shënpjetaraku ynë ishte kēngëtari më i mirë pothuajse në të gjithë jugun.
Ndërsa Jorgji Uani Tushe, lidhur me këngētarin shënpjetarak me famë ndër të tjera tregonte:
“… kur isha i ri mësova se origjina ime ishte nga Pojani, por na kishte dëbuar Turqia, për shkak të gjyshit tim Mitrush(Tushi) Kristo, i cili kishte luftuar kundër ushtrisë turke, sëbashku me disa nga Shën Pjetra, për të mbrojtur pasurinë e Apollonisë nga grabitja që i bënte një hoxhë prej Stambolli me xhandarët Osman…Shpeshherë gjatë kësaj periudhe vija nga Petoshaj në qytetin e Fierit, që të bleja plaçka të ndryshme në tregun e madh. Aty takoja njerëz nga kjo zonë dhe i pyesja rreth gjyshit tim të vrarë nga ushtria turke. Në Fier jam takuar edhe me kapedanin e Shën Pjetrës Llazi Spiro, i cili fliste me respekt të madh për luftëtarin e Apollonisë Mitrush Kristo(gjyshin tim). Njëherë Llazi më ftoi të shkoja në kazino se do të këndonte atë mbrëmje. Qysh nga kjo natë sa herë që vija në Fier, nuk kthehesha kurrë në shtëpi pa u parë me këngētarin më të madh myzeqar Llazi Spiro, që këndonte aq bukur në kazinon te kisha e Shën Gjergjit”.
Ky vigan i kēngës fierake dhe asaj myzeqare veç të tjerash ishte edhe poet, krijues, kompozitor, patriot dhe luftëtar i shquar e komandant i çetës kryengritëse të armatosur të Pojan-Shën Pjetër-Boçovës.
Gojëdhënat tregojnë se para, apo pas vdekjes se Llazi Spiros dhe Kiu Poros, në Fier është kënduar edhe një këngë për kazinotë e Fierit dhe dy këngëtarët e mëdhenj të tyre. Mbi bazën e disa vargjeve të mbetura qysh nga ajo kohë, Andy Apolloni ka shkruar edhe një tekst për këtë këngë kaq të njohur e cila po shkonte drejt humbje së saj
Kazinotë e Fierit.
———————-
1.
Kazinotë në mes të Fierit
Të treja janë bërë me nam
Pranë Kishës së Shën Gjergjit
Çdo ditë tundin tërë dynjanë
2.
Brenda në qoshetë e nderit
Burra të mëdhenj ato kanë
Që i njohin shumë prej emrit
Se janë këngëtar me famë
3.
Aheng bëhet për çdo ditë
Por dhe gjatë tërë javës
Këtu këngët dhe meloditë
Nuk pushojnë gjer vonë pas darkë
4.
Mbledhur bashkë sazexhinjtë
Ardhur që nga anë e anës
Berat, Përmet dhe Leskovik
Por edhe sazet prej Tiranës
5.
Kënga jonë myzeqare
Është e ëmbël porsi mjaltë
Në Fier kurrë nuk pushon fare
Gjer vonë ndihet për çdo natë
6.
Dhe këto vajzat lozonjare
Dalin, rrinë nëpër çdo prak
Luajnë e hidhen si sorkadhe
Bërë të gjtha për merak
7.
Sa fillon të bjerë qendia
Dhe nis bëhet errësirë
Në Fier mblidhen njerëzia
Të dëfrejnë e bëjnë sehir
8.
Nga çdo anë këta djelmëria
Plot me gaz dhe me dëshirë
Bredhin këto kazinotë të treja
Deri vonë më të gëdhirë
9.
Se për truall edhe për fe
Jo s’të falë kurrë myzeqari
Por dhe për këngë edhe valle
Ky ka qenë gjithmonë i pari
10.
Me rradhë këngët nis i ze
Por si një bilbil prej mali
Dhe trashëgim ato i le
Nëpër breza, djalë pas djali
11.
Se ç’na ngritën dhe bejlerët
Sherr dhe gjyq me kazinotë
Por edhe me këngëtarët
Bënë dava të mëdha Vriont’ë
12.
Pa na shkruan dhe defterët
Se çi mbushën kartat plot
Por çe do mbenë si të mjerët
Kazinotë si mbyllën dot
13.
Këndon bukur Llazi Spiro
Afër mu tek portë e Kishës
Dhe bilbilat i mbajnë iso
Që nga pylli i Ardenicës
14.
Po ja thotë dhe Kiu Poro
Mu tek Ura e Gjanicës
Se ç’i mbajnë thëllëzat iso
Që nga Qafa e Koshovicës
Andy J. Apolloni
New York 2020
Vargje për këngë
————————
Kazinotë e Fierit.
———————-
1.
Kazinotë e Fierit
Të treja me nam
Te kishë e Shën Gjergjit
Tundin tërë dynjanë
2.
Në qoshet e nderit
Burra të mëdhenj kanë
Që njihej prej emrit
Këngētar me famë
Refreni
———-
Këndon Llazi Spiro
Mu tek portë e Kishës
Mbajnë bilbilat iso
Nga pylli Ardenicës
Ja thotë Kiu Poro
Te urë e Gjanicēs
Mbajnë thëllëzat iso
Nga qafë e Koshovicës
3.
Aheng për çdo ditë
Dhe gjatë tërë javës
Këngët e meloditë
Deri vonë pas darkës
4.
Mbledhur sazexhinjtë
Që nga anë e anës
Përmet dhe Leskovik
Dhe sazet e Tiranës
Refreni
———-
5.
Kënga myzeqare
E ëmbël si mjaltë
Në Fier s’pushon fare
Dëgjohet çdo natë
6.
Vajzat lozonjare
Dalin në çdo prak
Luajnë si sorkadhe
Bërë për merak
Refreni.
———-
7.
Sa fillon qëndija
Dhe merrë errësirë
Mblidhen njerëzia
Për të bërë sehir
8.
Dhe këta djelmuria
Bredhin plot dëshirë
Kazinotë të treja
Deri më të gëdhirë
Refreni
———-
9.
Se për truall dhe fe
S’të falë myzeqari
Dhe për këngë e valle
Është gjithmonë i pari
10.
Këngët radhë i ze
Si bilbil prej mali
Dhe trashēgim i le
Ato djalë pas djali
Refreni
———-
11.
Ç’na ngritën bejlerët
Sherr me kazinotë
Dhe me këngëtarët
Bënë dava Vriontë
12.
Shkruan dhe defterët
Se çi mbushën plot
Por çe do të mjerët
Nuk i mbyllën dot
Refreni
———-
Këndon Llazi Spiro
Mu të portë e Kishës
Bëjnë bilbilat iso
Që prej Ardenicës
Ja thotë Kiu Poro
Te urë e Gjanicës
Bëjnë thëllëzat iso
Nga qafë e Koshovicës
- J. Apolloni
New York 2020
Nga:
Themi J. Tushe
New York-Kingston Pennsylvania
July 2023.