Ballina ED/OP Tërmetet, shpërthimet, cunamet – Militarizimi i natyrës si mjet në luftërat e...

Tërmetet, shpërthimet, cunamet – Militarizimi i natyrës si mjet në luftërat e ardhshme

Nga Emmanuel Pietrobon – “Il Giornale”

Që nga vitet 1940, shkencëtarët ushtarakë të fuqive të mëdha, kanë studiuar fenomenet e mëdha shkatërruese të natyrës, nga tërmetet deri tek stuhitë, me objektivin e dyfishtë të kuptimit të sekreteve të tyre dhe nëse është e mundur aktivizimin artificial dhe kontrollimin e tyre.

Njerëzit e zakonshëm janë kryesisht të pavetëdijshëm për eksperimentet mbi militarizimin e natyrës, disa prej të cilave janë kryer në natyrë, në kontekste lufte. Por armët mjedisore të shkatërrimit në masë janë një realitet. Sepse luftërat e së ardhmes, do të zhvillohen ndoshta edhe me tajfunë dhe stuhi të krijuara artificialisht.

Në kërkim të cunamit artificial

1944, Universiteti i Okland, Zelanda e Re. Është kultimi i Betejës së Paqësorit midis kamikazëve të Perandorisë Japoneze dhe Forcave Ajrore britanike dhe amerikane. Dëshira për t’i dhënë fund konfliktit është e madhe, edhe sepse po rritet numri i të vdekurve në radhët e aleatëve.

Shkencëtari nga Zelanda e Re, Tomas Liç beson se ka gjetur zgjidhjen: një cunami artificial. Ideja e e tij për shkaktimin e një cunami apokaliptik nëpërmjet bombave të hedhura në det, arrin fillimisht në Londër dhe më pas në Uashington. Në SHBA po punohej prej disa kohësh për ndërtimin e bombës atomike, ndaj kishte një interes të veçantë për idetë e neo-zelandezit.

Në vitin 1944, falë kontributeve themelore të Uashingtonit, ekipi i Liç nisi eksperimentet brenda një kantieri ndërtimi ushtarak ultra sekret, Seal (Vula), që mendohej të zgjasnin për 1 vit. Duke u zhvilluar pranë gadishullit Uangaparaoa në veriun e largët të Zelandës së Re, projekti “Seal” thuhet se realizoi afro 4000 shpërthime në shkallë të vogël gjatë një periudhe 7-mujore. Objektivi: të kuptohej nëse ishte e mundur të nxitej krijimi i dallgëve të mëdha me anë të shpërthimit.

Nëse tezat e Liç do të rezultonin të sakta, Shtetet e Bashkuara mund ta kishin nënshtruar Japoninë përmes goditjes me cunami gjigantë të krijuara ndoshta nga bombat atomike të hedhura pranë brigjeve të saj. Sipas dokumenteve të projektit, të de-klasifikuara në vitin 1999, Liç kishte të drejtë: eksperimentet e tij kishin demonstruar mundësinë e shkaktimit të cunamit shkatërrues pas shpërthimit të të paktën 2 tonëve eksploziv 8 km larg nga bregu i synuar për të goditur.

Por ëndrra e bombës tektonike nuk u shua me projektin “Seal”. Ajo u mor nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Sovjetik menjëherë pas Luftës së Dytë Botërore, e ndihmuar nga fillimi i Luftës së Ftohtë, dhe u shqyrtua më tej në kontekstin e projekteve të reja.

Ndërsa nuk dihet asgjë për kërkimet e kryera nga Shtetet e Bashkuara për çështjen e tërmetit artificial, cunamit dhe induksionit të shpërthimit, sepse ende sot janë sekrete, diçka ka dalë nga kërkimet sovjetike pas shembjes së Bashkimit Sovjetik.

Shkencëtarët ushtarakë të Bashkimit Sovjetik, përfshirë fizikanin e famshëm Andrej Sakharov, besonin vërtet në mundësinë e destabilizimit të pllakave tektonike të kores së Tokës përmes manipulimit të dhunshëm të elektromagnetizmit. Dhe duke ndjekur ëndrrën distopike të zgjimit të pllakës nën Parkun e Jelloustoun në SHBA, apo fundosjes së Kalifornisë duke ngacmuar çarjen tektonike San Andrea, ata investuan kohë dhe burime në tre projekte: Lavina, Merkuri dhe Vullkani.

Të cilësuara nga gjeofizika perëndimore si projekte me rezultate “pa shumë gjasë për sukses, por jo të pamundura”, Lavina, Merkuri dhe Vullkani i angazhuan sovjetikët nga vitet 1970 deri në ditët e fundit të BRSS. Në fakt shpërthimi i fundit eksperimental brenda projektit Vullkani, u krye midis viteve 1991-1992.

Përmbytja e madhe mbi Ho Shi Min

Të hulumtuara dhe të testuara në vende të largëta nga disa ushtri, por asnjëherë të prezantuara zyrtarisht nga askush, bombat tektonike kanë hyrë në imagjinatën kolektive falë teoricienëve të konspiracionit. Sa herë që ndodh një tërmet i fuqishëm apo cunami, konspiracistët pretendojnë se ngjarja tragjike mund të ketë qenë rezultat (i synuar apo dëm anësor) i një eksperimenti.

Kështu ndodhi në vitin 1998, në kohën e tërmetit të fortë që goditi Afganistanin, dhe që iu atribua testeve të kryera ose nga Pakistani ose nga India. Dhe po kështu supozohet se ndodhi sërish në vitin 2004, me cunamin e Oqeanit Indian në vitin 2010, kur lideri i atëhershëm i Venezuelës Hugo Çavez akuzoi publikisht Shtetet e Bashkuara se qëndronin pas tërmetit shkatërrues që goditi Haitin.

Ndërsa bombat tektonike vazhdojnë që të ndajnë gjeofizikantët, armët mjedisore të shkatërrimit, që kanë të bëjnë me ndryshimet e motit të shkaktuara nga njeriu, kanë qenë një realitet i dokumentuar, edhe pse pak i kuptuar, që nga fundi i viteve 1960.

Gjatë viteve 1967-1972, në kuadër të operacionit Popeye, Forcat Ajrore të Shteteve të Bashkuara mbollën re në rajonin e Indokinës me jodur argjendi dhe jodur plumbi me synimin për të zgjatur (dhe përkeqësuar) sezonin e shirave musonikë.

Lufta e parë e motit në histori ishte një sukses i papritur. Mbjellja e reve çoi në një përkeqësim të sezonit musonik, duke i zgjatur ato edhe me 30-45 ditë në krahasim me mesataren. Kjo solli përmbytje të pjesëve të tëra të zonave në xhungël dhe ngadalësimin e ndjeshëm të lëvizjeve të revolucionarëve vietnamezo-veriorë.

E ardhmja e luftës është manipulimi i Tokës

E drejta ndërkombëtare është “kafazi” i fuqive të vogla dhe të mesme, dhe një shaka për fuqitë e mëdha. Kështu ka qenë gjithmonë. Për këtë arsye, pavarësisht ekzistencës së Konventës për ndalimin e përdorimit të teknikave të modifikimit të mjedisit për qëllime ushtarake apo për çdo qëllim tjetër armiqësor, e vitit 1978, protagonistët e arenës ndërkombëtare, të djeshme dhe të sotme, janë përpjekur dhe po përpiqen të zhvillojnë armët mjedisore të shkatërrimit në masë.

Nëse dje pionierët e armëve të tilla ishin Bashkimi Sovjetik dhe Shtetet e Bashkuara, përkatësisht në kërkim të bombave tektonike dhe të përfshira në një luftë meteorologjike, sot programet ushtarake kanë në fokus ndryshimin e klimës dhe prodhimin e dukurive katastrofike.

Në Rusi, një nëndetëse autonome e gjeneratës së re me energji bërthamore, Poseidon, është në një fazë të avancuar zhvillimi. Prodhuesit e saj e kanë reklamuar si të aftë për të gjeneruar dallgë me një ndikim shumë të madh. Nëse do të ketë sukses, ai do të jetë fryt i përpjekjeve të nisura me Lavina, Merkuri dhe Vullkani.

Në fillim të këtij viti, Koreja e Veriut testoi një dron nënujor, që sipas asaj që u raportua nga shtypi shtetëror “është i aftë të gjenerojë cunami radioaktivë”. Kina, një vend ku programet e super-armëve mbahen shumë sekret, është periodikisht në qendër të teorive konspirative që e shohin atë të angazhuar në zhvillimin e armëve tektonike, të cilat më pas përdoren kundër Japonisë dhe Tajvanit.

Ndoshta armët tektonike mund të mos ekzistojnë ende, por ekuivalentët e tyre të motit kanë ekzistuar që nga vitet 1960. Me gjasë frika e nisjes së një lufte botërore do të jetë pengesa që do të bindë fuqitë e mëdha të mos i përdorin ato, duke krijuar një ekuilibër të ri.