Ballina Aktualitet Letër e një studenti të Mjekësisë…

Letër e një studenti të Mjekësisë…

TIRANË– Ajo se çfarë po ndodh apo pritet të ndodhë me studentët e Universitetit të Mjekësisë në Tiranë është padyshim një nga temat më sensitive të ditës së sotme dhe që ka mbajtur të angazhuar studentët prej ditësh më radhë. Kjo e martë ka shënjuar dhe një protestë simbolike të tyre para Rektoratit ku një zëri kërkuan të hiqej dorë nga ajo që për fat të keq nuk dihet se çfarë është, propozim, draft, projektligj apo vendim i Ministrisë së Arsimit dhe Shëndetësisë që detyron studentët e mjekësisë që të qëndrojnë e punojnë në vend pas studimeve për një periudhë të caktuar që do parashikohet në vendim.

Kjo është kundërshtuar fort nga studentët, të cilët kërkojnë që e drejta e tyre për studim dhe punësim të mos kushtozohet me kushte të tilla që në botën demokratike duken kaq qesharake. Dhe vetë Ministria e Arsimit nuk do se çfarë emri ti vërë asaj që po përpiqet të gatuajë në furrën e madhe të politikës ndërkohë që presionet ndaj studentëve nuk “pijnë më ujë”. Një student i mjekësisë në një letër të hapur ka radhitur dhe të gjithë ato arsye që propozimin dy dikastereve qeveritare e njxerrin nul. Përpara se të flasim për presione duhet të flasim për standarte.

LETRA E PLOTË:

Kohët e fundit ju si opinion publik jeni njohur me një situatë të vështirë me të cilën përballen studentët e Fakultetit të Mjekësisë në Shqipëri. Prej një viti tashmë herë Kryeministri, herë Ministrja e së fundmi edhe Rektori i UMT po na ftojnë të qëndrojmë në vendin tonë, a thua se ne duam të largohemi me çdo kusht. Na lejoni ne studentëve t’u tregojmë si qëndron e vërteta.

Si fillim, të shohim cila është strategjia e tyre?

Strategjia e tyre mund të përmblidhet në dy pika të rëndësishme:

Së pari, proklamojnë se ‘problemi janë studentët’ dhe jo kushtet e tmerrshme të punës, nepotizmi dhe vështirësia ekonomike që na presin sapo të marrim diplomën.

‘22% e mjekëve janë larguar 6 vitet e fundit’ – dëgjohet shpesh nëpër studio televizive por harrojnë se 20% e shqiptarëve janë larguar 8 vitet e fundit. Pra ritmi i largimit të mjekëve ndjek atë të gjithë popullsisë, dhe po ashtu largohen për të njëjtat arsye: korrupsioni, nepotizmi, siguria e jetes, cilesia e jetes, kushtet e punës dhe gjendja ekonomike.

Së dyti, duke na vendosur në vështirësi ekonomike, me shpresen se ‘të gjithë binden kur bëhet fjala për bukën e gojës’. Universitetet publike në Shqipëri dhe kudo në botë i sigurojnë të ardhurat e tyre në dy menyra: së pari nga fondet publike(‘universitet publik’), së dyti nga pagesa e shërbimeve që kryen universiteti për entitete publike apo private dhe në disa universitete në botë studentet paguajnë një shifër simbolike, në disa të tjera aspak (Kosovë, Gjermani etj). Duke qënë se Universiteti i Mjekësisë i Tiranës nuk siguron mjaftueshëm të ardhura nga shërbimet që kryen për entitete publike e private, një pjesë të mirë të kostove të studimit paguhen nga fondet publike dhe kjo është e vërtetë për të gjithë universitet publike ne Shqipëri. Propozimi i Minsitres së Arsimit është: ‘Ne nuk paguajmë më, bëni si të doni’, rektorati nga ana tjeter shprehet ‘sherbimet nuk sigurojnë kostot, andaj duhet të paguajnë studentët’ dhe ne si studentë po na propozohet mbi supe barra e universitetit publik që është i mbushur me ekselentë që përveç mijëra faqeve studim vetsakrifikues tani duhet të sigurojnë dhe mirqënien ekonomike të universitetit të tyre.

Pasi na vendosin në këtë vështirësi ekonomike, Ministria e Arsimit na ofton një kontratë ku ne detyrohemi të qëndrojmë në Shqipëri per disa vite pas përfunimit të studimeve, të punojme ‘atje ku na çon partia’ – në këmbim të pagimit të tarifës të kripur prej mijëra eurosh që shumë prej nesh nuk e përballojmë dot.

Përse kjo është strategjia e gabuar?

Së pari kjo nuk adreson në asnjë moment arsyet pse mjekët, të rinj apo të vjetër, largohen nga Shqipëria. Arsyet që i përmenda më sipër si: korrupsioni, nepotizmi, siguria e jetes, cilesia e jetes, kushtet e punës dhe gjendja ekonomike. Nëse nuk jeni në dijeni, ne studentët e mjekësisë kalojme plot 10 vite studime vetësakrifikuese për ne dhe familjet tona dhe presim që se paku të mundemi të jetojmë me dinjitet në vendin tonë, pa nevojën për t’u shkuar pas drejtorëve politikë të spitaleve, gjobvënësve të Mjekësisë Ligjore apo për të punuar punë të dyta në klinika private për të siguruar jetesën e familjes.

Së dyti, ideja ‘të plagosim dikë dhe pastaj ti ofrojmë ndihmë’ është totalisht absurde dhe shihet si një përçmim dhe fyerje nga ana jonë.

Së treti, kjo është një padrejtësi selektive që po kryhet vetëm ndaj studentëve të mjekësisë dhe ndaj asnjë studenti tjetër të Republikës.

Së katërti, nese ky plan zbatohet do të ndodhë një eksod i mjekëve i ngjashëm me atë që ndodhi në vitet 90’ sapo ne të përfundojmë ‘detyrimin kontraktual’ dhe kjo dëshmohet qartë në diskutimet që kemi pasur me njëri-tjetrin ditët e fundit.

Por më e rëndësishmja, a duam ne të qëndrojmë?

Të jeni të sigurt se të larguarit nuk është rrugëzgjidhje për asnjë prej nesh por përkundrazi është rrugëdalje, pra kur nuk kemi asnjë rrugë tjetër vendosim të largohemi dhe ata që ikin, ikin duke kthyer kokën pas. Dhe pjesa me e madhe prej nesh janë të gatshëm të punojnë këtu edhe pas gjithë ketyre vështirësive.

Andaj ju lutem, të mos na detyroni të largohemi! Dhe së fundmi, cila është zgjidhja?

Padyshim që kjo situate do të zgjidhej nëse Ministria e Arsimit dhe ajo e Shëndetësisë gjithë këtë energji që kanë mbledhur për të fajësuar dhe mbajtur në llogari studentët, ta kanalizojnë kah drejtuesit e Universitetit të Mjekësisë, drejtorët e spitaleve, zbatuesit e tenderave në mjekësi, shefat e reparteve mjekësore etjera. E kuptojmë që për ministren është më e lehtë të drejtojë gishtin nga ne, por i bëjme të ditur se rruga e lehtë nuk është rrugëzgjidhja e kësaj situate.

K.Xh, student ne Fakultetin e Mjekesise.

Post scriptum. përparëset tona nuk janë ‘të kuqe’, ‘blu’ apo ‘vjollcë’ por ‘Të Bardha’./Newszone