Ballina Kosova Çfarë ka ndodhur deri më tani mes Kosovës dhe Serbisë?

Çfarë ka ndodhur deri më tani mes Kosovës dhe Serbisë?

BEOGRAD- Tre muaj më parë u fol për një “marrëveshje historike” të arritur në Ohër dhe një zgjidhje përfundimtare të diskutimeve mes Kosovës dhe Serbisë, e më pas në vetëm dy javë marrëdhëniet midis Beogradit dhe Prishtinës u përshkallëzuan sa askush nuk e kishte imagjinuar. Gjatë asaj kohe, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian (BE) paralajmëruan, kërcënuan, bënë thirrje për partneritet, prezantuan dhe përgatitën masa të reja, por nuk pati asnjë efekt.

Gjithçka u nisi nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, fillimisht me mbajtjen e zgjedhjeve në katër komuna të veriut të Kosovës pa përfaqësues serbë, e më pas me marrjen e komunave në veri të Kosovës. Ndërkohë janë arrestuar tre forca speciale të Kosovës, prangosje të cilës Kurti u përgjigj duke ndaluar importin e mallrave nga Serbia

Çfarë po bën BE-ja?

BE-ja propozoi një sërë masash kundër Kurtit dhe Qeverisë së Kosovës, ndër to edhe pezullimin e dërgimit të ftesave për ngjarje të nivelit të lartë dhe vizita bilaterale (në Kosovë) përveç atyre që synojnë zgjidhjen e krizës në veri të vendit.

Propozohet të zvogëlohet pjesëmarrja në ngjarjet publike që kanë të bëjnë me bashkëpunimin financiar të BE-së, ku përfshihen anëtarët e Qeverisë së Kosovës, si dhe pezullimi i fondeve nga BE-ja, duke filluar me pezullimin e miratimit dhe zbatimit të propozimeve të paraqitura nga Kosova.

Çfarë po bëjnë SHBA?

SHBA-të ishin të parat që morën masa, ndër to edhe përjashtimin e Kosovës nga stërvitja ushtarake “Defender Europe 2023”. Më pas erdhi ndalimi i zyrtarëve të Qeverisë së Kurtit për të vizituar Amerikën deri në një njoftim të dytë, dhe po ashtu ata u kërcënuan me vendosjen e një protektorati ndërkombëtar në veri të Kosovës.

E gjithë kjo, sepse Kurti refuzon të përmbushë tre kushtet që i kërkohen: de-përshkallëzimi në terren, mbajtjen e zgjedhjeve në veri sa më shpejt dhe kthimin në dialog dhe procesin e normalizimit .

Si filloi gjithçka?

Në veri të Kosovës, trazira të mëdha shpërthyen më 29 maj, pasi policia e Kosovës siguroi hyrjen e kryetarëve të sapozgjedhur në komunat e Zveçanit dhe Leposaviqit. Në konfliktin mes KFOR-it dhe serbëve u lënduan 30 ushtarë të KFOR-it.Situata është komplikuar edhe më shumë nga fakti se tre forca speciale të armatosura të Kosovës janë arrestuar në territorin e Serbisë në një aksion të Njësive Speciale të Policisë së Serbisë. Policia e Kosovës pretendon se ishin rrëmbyer, ndërsa presidenti serb Aleksandër Vuçiç tha se ata ishin justifikuar se po mblidhnin kërpudha.

Si kundërpërgjigje, Qeveria e Kosovës të njëjtën ditë ka marrë vendim për ndalimin e hyrjes në Kosovë të automjeteve me targa të Serbisë dhe ndalimin e importit të mallrave nga Serbia.

Barrikadat në dhjetor

Një krizë e ngjashme ndodhi edhe në fund të vitit të kaluar, kur serbët, duke reaguar ndaj arrestimit të policëve serbë dhe hyrjes së policisë së Kosovës në veri të Mitrovicës, vendosën barrikada. Autoritetet në Prishtinë thanë në atë kohë se forcat e tyre do të largonin barrikadat nëse forcat ndërkombëtare të udhëhequra nga NATO (KFOR) nuk do të ndërhynin.

Në fund, më 29 dhjetor 2022, barrikadat e fundit u hoqën, pas një thirrje nga presidenti serb Aleksandër Vuçiç.

Paraprakisht, në nëntor, serbët kishin braktisur të gjitha institucionet dhe bojkotuan zgjedhjet në katër komuna në veri të Kosovës, për shkak të arrestimit të serbëve dhe qëndrimit se Asociacioni i Komunave Serbe nuk duhet të formohet kurrë.

Dhe viti 2022 u shënjua nga kriza

Ashtu si gjysma e parë e këtij viti, edhe viti i kaluar 2022 u shënua me fërkime Beograd – Prishtinë. Kriza më e madhe ndodhi në fund të korrikut, kur qeveria e Kurtit, në prag të nënshkrimit të marrëveshjes për energjinë, papritur mori vendim për lëshimin e dokumenteve hyrëse-dalëse për shtetasit serbë që hyjnë në Kosovë dhe ndërimin e targave të Serbisë.

Përfaqësuesit e Quintës dhe BE-së reaguan, ndërsa serbët bllokuan edhe rrugët në veri me kamionë dhe automjete të tjera.

Në fund gjithçka u zgjidh duke shtyrë ndryshimin e targave për në vitin 2023.

Marrëveshje në Ohër

Një nga pikat e pakta ‘të ndritura’ në dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës është marrëveshja në selinë e BE-së dhe më pas ajo në Ohër. Marrëveshja e Brukselit, e cila pret plot dhjetë vjet për t’u përmbushur, u “plotësua” nga propozimi europian që të dyja palët pranuan më 27 shkurt në Bruksel dhe nga aneksi prej 12 pikëve që iu dha drita jeshile më 18 mars në Ohër. Aneksi i marrëveshjes është pranuar verbalisht në Ohër dhe përbëhet nga 12 pika. Në listë përfshihet edhe pranimi i Deklaratës për Personat e Zhdukur, si dhe një konferencë e donatorëve brenda 150 ditëve me qëllim të krijimit të pakos së ndihmës investuese dhe financiare për Kosovën dhe Serbinë./Përkthyer dhe përshtatur nga Blic-Limiti.al