Studiuesit në Sidnei kanë bërë një hap para në lidhje me endometriozën, që mund të ndryshojë mënyrën si trajtohet sëmundja dhe të përmirësojë shëndetin e grave që jetojnë me këtë gjendje të rëndë.
Studiuesit kanë rritur indet nga çdo lloj endometrioze e njohur, duke vëzhguar ndryshimet dhe duke krahasuar se si reagojnë ndaj trajtimeve. Kjo do të thotë se studiuesit do të jenë në gjendje të ndryshojnë trajtimet dhe kurat në varësi të llojeve të ndryshme të endometriozës.
Profesori i obstetrikës dhe gjinekologjisë, Jason Abbott, tha se studimi është i krahasueshëm me studimet e bëra në trajtimin e kancerit të gjirit tre dekada më parë.
“Tridhjetë vjet më parë, ne i trajtonim të gjitha kanceret e gjirit njësoj,” tha ai. “Tani e dimë se ka shumë lloje të ndryshme të kancerit të gjirit dhe i trajtojmë ato në përputhje me rrethanat. Duke ditur llojin e endometriozës, ne do të jemi në gjendje të parashikojmë nëse një paciente ka të ngjarë të përjetojë një formë agresive, invazive të sëmundjes dhe të ofrojmë trajtim për të ruajtur fertilitetin e saj.”
Endometrioza ka të bëjë me rritjen e indeve jashtë mitrës, të cilat në fakt duhet të zhvillohen brenda saj. Këto inde nuk kanë mundësi të largohen nga trupi dhe mund të shkaktojnë dhimbje të shumta e madje edhe ndërlikime të tjera, përfshirë infertilitetin.
Simptomat e endometriozës shpesh shfaqen para moshës 30-vjeçare dhe mund të përfshijnë shkarkime të mëdha menstruale, ngërçe të dhimbshme menstruale, dhimbje gjatë ose pas seksit, dhimbje gjatë kryerjes së nevojave personale, dhimbje të barkut ose të fundshpinës si edhe vështirësi për të mbetur shtatzënë.
Endometrioza mund të shfaqet që në ciklin e parë menstrual, gjë që mund ta bëjë personin e prekur të mendojë se niveli aq i lartë i dhimbjes, është diçka normale, citon Anabel.
Një tjetër arsye përse një person mund të mos i identifikojë simptomat e endometriozës, është sepse ato janë ciklike, pra ndodhin në të njëjtën kohë me ciklin menstrual.
Mungesa e diskutimit për këtë çështje dhe turpi, bëjnë që shpesh gratë që vuajnë nga kjo gjë të mos diagnostikohen kurrë, duke e vështirësuar së tepërmi jetën e tyre.