Shtetet e Bashkuara janë të shqetësuara se Koreja e Veriut mund të jetë duke planifikuar t’i dërgojë më shumë armë Rusisë, tha të hënën një zëdhënës i Departamentit të Shtetit pasi udhëheqësi i Koresë së Veriut Kim Jong Un u angazhua të forcojë bashkëpunimin strategjik me Moskën.
Agjencia shtetërore e lajmeve KCNA e Koresë së Veriut tha të hënën se Kim e bëri këtë premtim në një mesazh drejtuar presidentit rus Vladimir Putin për të shënuar Ditën Kombëtare të Rusisë. Kim bëri thirrje për “bashkëpunim më të ngushtë strategjik” me Moskën, tha KCNA.
Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit tha se pavarësisht mohimeve të Phenianit se i kishte shitur armë Rusisë për luftën ndaj Ukrainës, Shtetet e Bashkuara kanë konfirmuar se Koreja e Veriut kishte bërë një dërgesë armësh, përfshirë raketa për grupin mercenar Wagner të mbështetur nga Kremlini në nëntor 2022.
“Ne jemi të shqetësuar se Koreja e Veriut po planifikon të dërgojë më shumë pajisje ushtarake në Rusi,” shtoi zëdhënësi.
Koreja e Veriut ka ndërmarrë hapa për të krijuar lidhje më të ngushta me Kremlinin dhe ka mbështetur Moskën pasi ajo filloi agresionin ndaj Ukrainës vitin e kaluar, duke fajësuar “politikën hegjemoniste” të Shteteve të Bashkuara dhe Perëndimit.
Shtetet e Bashkuara thanë në mars se kishin informacione se Rusia po përpiqej në mënyrë aktive të merrte armë nga Koreja e Veriut në këmbim të ndihmës ushqimore./VOA-REL