Ballina Aktualitet Hetimi i kryer nga “The Sunday Times” zbulon origjinën e Covid-19

Hetimi i kryer nga “The Sunday Times” zbulon origjinën e Covid-19

Në një kohë kur duket se Covid-19 është pjesë e të kaluarës, zbulime tronditëse kanë rikthyer vëmendjen tek pandemia që tronditi botën, pasojat e të cilës ndihen ende sot. Që nga fillimi i pandemisë më shumë se tre vjet më parë, ka pasur një debat nëse virusi u shfaq për shkak të një rrjedhjeje laboratori apo ishte nga natyra. Dhe studiuesit që gjatë këtyre viteve janë përpjekur të gjejnë përgjigjen janë penguar nga mungesa e transparencës nga Kina, vendi nga ku u shfaq për herë të parë virusi.

Shkencëtarët në qytetin kinez Wuhan punuan së bashku me ushtrinë kineze për të kombinuar viruset më vdekjeprurëse në botë përpara fillimit të pandemisë Covid. Këto janë rezultatet tronditëse të një hetimi të kryer nga media prestigjioze britanike “The Sunday Times”, e cila shkruan se një nga arsyet pse nuk ka informacion të publikuar për komplotin është sepse është bërë në bashkëpunim me studiues ushtarakë. Hetuesit amerikanë thonë se është dashur kaq shumë kohë për të identifikuar zinxhirin e ngjarjeve, sepse vetë projekti ishte një operacion i fshehtë.

Konfirmimi i FBI

Hetuesit amerikanë thuhet se analizuan për shumë kohë përgjimet dhe arritën në përfundimin se shkencëtarët kinezë po drejtonin një projekt sekret në Institutin e Virologjisë në Wuhan. “Sunday Times” pretendon se ka shqyrtuar qindra dokumente, duke përfshirë raporte konfidenciale, memorandume të brendshme, dokumente shkencore dhe se instituti Wuhan ishte i angazhuar në eksperimente gjithnjë e më të rrezikshme mbi koronaviruset që mblodhi nga shpellat e lakuriqëve të natës në Kinën jugore. Shkencëtarët në mbarë botën fillimisht besonin se shpërthimi ishte i natyrshëm, por teoria e rrjedhjes së laboratorit ka fituar besueshmëri muajt e fundit, veçanërisht pasi FBI e mbështeti teorinë.

Në fillim të marsit të këtij viti, Drejtori i Byrosë Federale të Hetimeve (FBI), Christopher Wray, tha se byroja besonte që koronavirusi e ka origjinën në një “laborator të kontrolluar të Qeverisë kineze”. “FBI-ja tani e një kohë vlerëson që origjina e pandemisë, besohet shumë, që është rezultat i një incidenti në laborator”, tha ai asokohe për Fox News. Ky ishte edhe konfirmimi i parë publik i FBI-së për origjinën e koronavirusit, që vrau rreth 7 milionë njerëz në gjithë botën. Shtetet e Bashkuara kanë regjistruar numrin më të madh të viktimave, dhe ndiqet nga India dhe Brazili.

Misteri i minierave

Për më tepër, “Sunday Times” raportoi se laboratori ndaloi publikimin e gjetjeve të tij në 2016 pasi studiuesit zbuluan një lloj të ri të koronavirusit në disa miniera në Mojiang, provincën Yunnan, ku njerëzit po vdisnin nga simptoma të ngjashme me Sars. Megjithatë, nuk u raportua asnjë vdekje.

Hetuesit amerikanë besojnë se një program ushtarak kishte për qëllim t’i bënte viruset nga minierat më infektive për njerëzit dhe mund të ketë çuar në krijimin e virusit Covid-19 dhe se ai është përhapur në qytetin e Wuhanitpas një incidenti laboratorik. “Po bëhet gjithnjë e më e qartë se Instituti i Virologjisë Wuhan ishte i përfshirë në krijimin, dhe përhapjen e pandemisë Covid-19”, tha një nga hetuesit.

Një tjetër hetim zbuloi gjithashtu se laboratori ishte shumë më afër tregut, që dihet se është epiqendra e shpërthimit. Kishte gjithashtu prova shtesë që sugjeronin se instituti kishte qenë në procesin e zhvillimit të një vaksine përpara se Perëndimi të dinte për virusin. Profesori i Universitetit të Rutgers, Richard Ebright, i cili punon në Institutin e Mikrobiologjisë Waksman, tha se eksperimentet ishin “ndër më të pamaturat dhe më të rrezikshmet” të ndërmarra në historinë njerëzore. Raporti i “Sunday Times” theksoi gjithashtu se ekspertët e huaj që kërkonin të identifikonin burimin e pandemisë nuk kishin më akses të hetonin në Kinë. Alice Hughes, një eksperte britanike e lakuriqëve të natës, ishte profesore në Akademinë Kineze të Shkencave e cila mbikëqyr Institutin Wuhan. Ajo kishte punuar në miniera por tha se nuk ishte e lejuar të fliste për mediat në lidhje me hulumtimin e saj. Kufizimet e detyruan të largohej nga Kina dhe të transferohej në Hong Kong.