Pesë shtetas të huaj që shpërndanin doza të drogave të forta, në Dhërmi ka rënë në prangat e policisë.
Nga operacioni u sekuestruan 160 doza të lëndës narkotike GHB dhe doza të drogave të tjera të forta MDMA, Poppers, ekstazi, kokainë dhe kanabis, shuma parash në euro, dollarë dhe pesos (monedha argjentinase), që dyshohet se janë përfituar nga shitja e lëndëve narkotike, si dhe 5 aparate celulare.
Me finalizimin e operacionit policor të koduar “Parts 7”, si rezultat i të cilit u arrestuan në flagrancë shtetasit e huaj:
-T. G., 28 vjeçe, shtetase spanjolle;
-C. M., 28 vjeç, shtetas brazilian;
-Y. I., 32 vjeçe, shtetase argjentinase;
-R. D., 40 vjeç, shtetas argjentinas;
-N. M., 27 vjeç, shtetas italian.
Njoftimi i Policisë:
Dhërmi, Himarë/Kapen dhe vihen në pranga 5 shtetas të huaj, turistë në Dhërmi, të cilët kryenin veprimtarinë kriminale të shpërndarjes së drogave të forta.
Finalizohet nga Seksioni i Narkotikëve i DVP Vlorë, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Himarë, operacioni policor i koduar “Parts 7”.
Arrestohen në flagrancë 5 shtetasit e huaj që shpërndanin doza të drogave të forta, në Dhërmi, gjatë sezonit turistik.
Sekuestrohen 160 doza të lëndës narkotike GHB (Gamma-hydroxybutyrate) dhe doza të drogave të tjera të forta MDMA, Poppers, ekstazi, kokainë dhe kanabis.
Sekuestrohen edhe shuma parash në euro, dollarë dhe pesos (monedha argjentinase), që dyshohet se janë përfituar nga shitja e lëndëve narkotike, si dhe 5 aparate celulare.
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme dhe Narkotikëve të DVP Vlorë, në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Himarë, në vijim të operacioneve të njëpasnjëshme me fokus parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarive kriminale në fushën e narkotikëve, bazuar dhe në informacionet e siguruara nga inteligjenca informative se disa shtetas që kishin ardhur si turistë në zonën bregdetare të Dhërmiut, kryenin veprimtarinë kriminale të shpërndarjes së drogave të forta, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Parts 7”, si rezultat i të cilit u arrestuan në flagrancë shtetasit e huaj:
-T. G., 28 vjeçe, shtetase spanjolle;
-C. M., 28 vjeç, shtetas brazilian;
-Y. I., 32 vjeçe, shtetase argjentinase;
-R. D., 40 vjeç, shtetas argjentinas;
-N. M., 27 vjeç, shtetas italian.
Gjatë kontrollit fizik dhe kontrollit të ambienteve ku këta shtetas ishin akomoduar, shërbimet e Policisë gjetën një sasi lënde narkotike të llojit GHB (Gamma-hydroxybutyrate), të ndarë në 160 doza, 30 doza Poppers, 49 doza ekstazi, 2 doza MDMA, 18 doza kokainë dhe 3 doza kanabis, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, së bashku me 5 aparate celulare.
Gjithashtu, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan edhe 2 610 pesos (monedha argjentinase), 340 euro dhe 400 dollarë, të dyshuara të përfituara nga shitja e lëndëve narkotike.
Nga veprimet hetimore dyshohet se këta 5 shtetas kishin ardhur si turistë në Dhërmi dhe në bashkëpunim me njëri-tjetrin, shpërndanin lëndë narkotike në doza, në këtë zonë bregdetare, kryesisht për turistët e tjerë, në lokalet e natës dhe në aktivitetet e ndryshme të argëtimit që zhvillohen në bregdet, gjatë sezonit turistik.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme./Limit.al