Për të fituar rolin që do ta bënte të famshëm, Pierce Brosnan i duhej vetëm të vishte një kostum të mirë. Sapo kishin filluar vitet 1980, dhe ai dhe gruaja e tij e parë, aktorja australiane Cassandra Harris, lëshuan me qera shtëpinë e tyre në Londër dhe u nisën për të provuar fatin e tyre në Los Anxhelos.
Në vitin 1980, Brosnan kishte bërë debutimin e tij në film me një rol të vogël në “The Long Good Friday”, në të cilën ai luajti Irlandezin Nr.1, një vrasës të IRA-s. Një vit më vonë, mori marrë rolin kryesor në filmin “The Manions of America”, një mini-serial për dramën e emigrantëve irlandezë gjatë zisë së madhe të bukës.
Me atë CV në dorë, ai dhe Harris u zhvendosën në qytetin e yjeve. Brosnan mori me qira një makinë të vjetër AMC Pacer për 50 dollarë në javë, për të marrë pjesë në audicionin e tij të parë. Rrugës, makina u prish. Brosnan shkoi në audicion në këmbë, duke ecur përmes kodrave të Laurel Canyon, një lagje idilike në Los Anxhelos me kabina druri midis pemëve, vetëm 5 minuta larg Hollywood.
Ai mbërriti në kohë dhe e mori rolin. Kostumi që mbante veshur ishte çelësi i suksesit. Roli nuk ishte ai i James Bond, personazhi që do ta shoqëronte rolet pasardhës, por një rol në serialin televiziv “Remington Steele’. Ai luajti atje një aventurier të ri që punonte për një agjenci të veçantë detektivësh.
Kështu ai u bë një yll i kinemasë si në Shtetet e Bashkuara, ku seriali u bë hit, por edhe më gjerë. Sot, është e pamundur të shohësh imazhet nga seriali, në të cilat Brosnan shfaqet me një kostum të zi dhe papijon, dhe të mos shohësh një paraqitje të shkurtër të 007 të përjetshme, megjithëse mes 2 roleve kaluan plot 13 vjet.
Gjatë asaj kohe, ai përjetoi vdekjen e gruas së tij dhe nënës së 3 fëmijëve të tij, të cilët u shpërngulën me të në Hollywood dhe e njohën me producentin e filmave që do ta bënte një ikonë. Në dallim nga agjenti sekret djallëzor dhe imazhi i tij tejet sharmant në Hollywood, Brosnan është një burrë familjar me marrëdhënie të qëndrueshme, që preferon më shumë qetësinë se sa të qenit në qendër të vëmendjes.
I lindur në Drogheda, një nga qytetet më të vjetra të Irlandës, Pierce nuk pati një fëmijëri të lumtur. “Fëmijëria ishte shumë e vetmuar”- deklaroi ai në një intervistë të vitit 1997. Brosnan ishte fëmija i vetëm i May Smith, një infermiere, dhe Thomas Brosnan, një marangozi.
“Unë u rrita në një qytet shumë të vogël në Irlandën Jugore. Nuk e kam njohur kurrë babanë tim. Ai u largua kur unë isha ende i vogël, dhe unë mbeta në kujdesin e nënës sime dhe gjyshërve të mi. Nëna ime ishte shumë e guximshme. Ajo ndërmori vendimin e guximshëm për t’u larguar nga atje dhe për t’u bërë infermiere në Angli. Donte një jetë më të mirë për mua dhe veten e saj. Nëna ime vinte në shtëpi 1 herë ose 2 erë në vit”,- kujton ai.
Në mungesë të nënës së tij, Brosnan u rrit nga gjyshërit. Kur ata vdiqën, ai shkoi të jetonte në një shtëpi me qira në pronësi të një gruaje të quajtur Eileen. “Ajo kishte një shtëpi në një pjesë të varfër të qytetit. Jetonte me fëmijët e saj dhe unë u zhvendosa me të tjerët një kat më lart, që të gjithë burra të rritur dhe me punë. Njëri punonte në mulli. Tjetri në një bankë. Të tre qiraxhinjtë qëndruan bashkë në një dhomë të gjatë me krevate hekuri me dyshekë të vjetër”,- rrëfen ai për “The Guardian”.
Në vitin 1964, në moshën 11-vjeçare, u transferua në kryeqytetin britanik për të jetuar me nënën e tij dhe bashkëshortin e saj të ri, William Carmichael. “Ribashkimi me nënën time ishte një moment i gëzueshëm. Më në fund pata nënën time”- do të thoshte vite më vonë. Njerku i tij u bë një figurë atërore. Bashkë me të Bond shkoi të shohë filmin e parë të Bond nga Brosnan, Goldfinger, me Sean Connery si agjenti 007. “Babai im biologjik nuk bëri asgjë. Unë kam një baba të shkëlqyeshëm, njerkun William”,- do të deklaronte ai.
I quajtur “irlandezi” nga shokët e tij të klasës, Brosnan u interesua shpejt për artet. Ai e braktisi shkollën në moshën 16-vjeçare për të studiuar për pikturë në shkollën prestigjioze Saint Martins. Më pas vazhdoi për 3 vite studimet për aktrim në The Drama Center në King’s Cross në Londër, ku nisën karrierën figura të tjera të njohura si Colin Firth, Michael Fassbender dhe Emilia Clarke.
Në vitet 1970, Brosnan u njoh me Cassandra Harris. Ajo ishte australiane dhe ishte zhvendosur në Londër me 2 fëmijët e saj, Charlotte dhe Christopher, të cilët Brosnan i adoptoi. “Në fillim nuk u ndjeva si baba për ta. Për ta isha thjesht Pierce. Dhe pastaj u bëra Babi Pierce. Dhe pastaj u bëra babai i tyre”,- kujton ai.
Ndoshta për shkak të vështirësive gjatë fëmijërisë, aktori nuk e fshehu kurrë synimin e tij për të krijuar një familje, dhe për të qenë një baba i pranishëm për të gjithë fëmijët e tij. “Dua që fëmijët e mi të kenë dashuri në jetën e tyre kur janë të vegjël. Dua që ata të dinë kuptimin e vërtetë të dashurisë”- tha ai më vonë.
Brosnan dhe Harris u martuan në vitin 1977. Në vitin 1981, Harris u bë një vajzë Bond në filmin “For Your Eyes Only“, me protagonist Roger Moore. Falë këtij roli, Brosnan u takua me Albert R.Broccoli, producentin e sagës së famshme. Në vitin 1983, lindi fëmija i tretë i çiftit dhe fëmija i parë biologjik i aktorit, Sean Brosnan.
Në vitin 1987, ndërsa Brosnan po xhironte një film në Indi, Cassandra u sëmur rëndë. Ajo u diagnostikua me kancer në vezore. Vdiq në vitin 1991, në moshën 43-vjeçare. Brosnan mbeti i ve dhe me kujdestarinë e 3 fëmijëve të tyre.
“Ishte dhe mbetet një humbje e tmerrshme për mua. Si mund të vazhdosh më pas? Ngadalë. Shumë, shumë ngadalë. Sepse të dhemb. Dhe duhet ta durosh. S’ka asgjë tjetër për të bërë, dhimbja nuk do të largohet kurrë”,- shprehet aktori.
Në vitin 1994, jeta e tij mori një kthesë të madhe. Brosnan u shpall si James Bond-i i ardhshëm pas Timothy Dalton, i cili luajti agjentin e M16 në vetëm 2 filma. Zërat se ai do të ishte 007-i i ardhshëm qarkullonin prej vitesh, pasi gruaja e tij e ndjerë kishte luajtur rolin e një vajze Bond.
Brosnan ishte James Bond-i i pestë në histori dhe luajti personazhin e famshëm për 4 filma. Po atë vit Brosnan u njoh me gazetaren Keely Shaye Smith, pasi të dy kaluan verën në Meksikë. Ata filluan një marrëdhënie. “Kam gjetur një grua të shkëlqyer tek Keely Shaye. Edhe nëse do të kërkoja një milion herë më shumë, nuk do të gjeja një më të mirë”- deklaroi ai për “People Magazine”.
Në vitin 1997, lindi fëmija i tyre i parë, Dylan. Në vitin 2001, ata u martuan në Irlandë. Atë vit, mirëpritën ardhjen në jetë të një fëmijë tjetër, Paris. Së bashku, ata janë një nga çiftet më të qëndrueshme në Hollywood, me një lidhje që po zgjat prej 29 vjetësh.
Brosnan e thërret gruan e tij me nofkën “Ylli i Veriut”. I pyetur mbi sekretin e martesës së tyre, ai deklaroi për revistën “People”:Zgjidhja e problemeve çdo ditë, vit pas viti, duke e pëlqyer njëri-tjetrin, dhe duke u ballafaquar për çdo problem me njëri-tjetrin”.
Por në vitin 2003, Brosnan përjeton një tjetër tragjedi:vajza e tij, Charlotte, vdiq nga i njëjti lloj kanceri që i dha fund jetës së nënës së saj. Shumë gjëra mund të ndodhin në të 70-at e një njeriut. Sot, Brosnan i kalon ditët së bashku me gruan e tij në Hawaii.
Aktori ka treguar në intervista se i është rikthyer pasionit të parë, pikturës, së cilës i kushton pjesën më të madhe të kohës. Përveç 4 fëmijëve, ai ka edhe 4 nipër e mbesa. Si çdo gjysh i mirë, ai ndan foto të tyre në profilin e tij në Instagram. Hera e fundit që kishte veshur kostum ishte për diplomimin e djalit të tij në fillim të këtij muaji. Tani preferon të veshë bluzat e zeza prej pambuku./ Përkthyer dhe përshtatur nga “El Pais”-Limit.al