Ballina Bota Si do të ndikojë fenomeni El Nino në motin e gjithë botës?

Si do të ndikojë fenomeni El Nino në motin e gjithë botës?

Shtetet në gjithë botën janë duke u përgatitur për mot ekstrem, më vonë gjatë vitit, meqë bota do të përballet me El Ninon – femonenin klimatik që nxit ciklone tropikale në Paqësor, ashtu sikurse shira të rrëmbyeshëm dhe rrezik për vërshime, në kontinentin amerikan dhe rajone tjera.

Të enjten, Administrata amerikane për Oqeane dhe Atmosferë, ka deklaruar se El Nino është duke ardhur.

Në tre vjetët e fundit, ky fenomen është dominuar nga fenomeni tjetër, La Nina.

Shkencëtarët besojnë se ky vit është shqetësues.

Herën e fundit kur El Nino është shtirë në kapacitet të plotë ka qenë viti 2016, kur bota e ka regjistruar vitin më të nxehtë ndonjëherë.

Meteorologët presin që El Nino këtë vit, i përzier me ndryshimet klimatike, do ta përballë botën me temperatura edhe më të larta.

Ekspertët janë të shqetësuar edhe se çfarë mund të ndodhë me oqeanet.

Shtrirja e El Ninos nënkupton që ujërat në lindje të Paqësorit janë më të nxehta sesa zakonisht.

Mirëpo, edhe para se të niste El Nino, në maj, temperatura mesatare në det ka qenë 0.1 për qind më e lartë.

Ky fenomen mund t’i bëjë kushtet klimatike edhe më ekstreme.

“Ne jemi në një territor të pashembullt”, ka thënë Michelle L’Heureux, meteorologe në Qendrën për Parashikime Klimatike.

Këtë vit, El Nino mund të rezultojë me humbje prej 3 trilionë dollarëve në nivel global, sipas një studimi të publikuar muajin e kaluar në gazetën shkencore Science, pasi moti ekstrem ndikon në prodhimet bujqësore, në prodhim të mallrave tjera dhe ndihmon në përhapjen e sëmundjeve.

Qeveritë në shtetet e cenueshme janë duke marrë shënime.

Peruja i ka ndarë 1.06 miliard dollarë për t’u përballur me dëmet e shkaktuara nga El Nino, derisa Filipinet – të rrezikuara nga ciklonet – e kanë krijuar një qeveri speciale për t’u përballur me atë që mund të ndodhë.

El Nino është fenomen natyror klimatik, i cili ngroh ujërat në temperatura jonormale në lindje të Paqësorit.

Ai krijohet kur erërat që fryjnë në drejtimin lindje-perëndim, e ulin intensitetin, apo marrin drejtim të kundërt, duke e ndryshuar presionin e ajrit.

Megjithatë, shkencëtarët nuk janë 100 për qind të bindur që këto kushte rezultojnë me një fenomen të tillë.

Në periudhën 2015-2016 – kur është regjistruar El Nino-ja më e fuqishme në histori – gjallesat dhe bimët nënujore e kanë pësuar keq.

Ujërat e ngrohta në lindje të Paqësorit barten më pas të atmosferë, duke nxitur stuhi.

“Kur El Nino lëviz me ujëra të ngrohta, lëviz ku ndodhin stuhitë”, ka thënë meteorologu Affil DiLiberto.

“Kjo është dominoja e parë atmosferike që bie”.

Ky ndryshim në aktivitetin e stuhive ndikon në ajrin që lëviz nëpër gjithë botën, duke ndikuar që mot të ngjashëm të kenë edhe shumë rajone tjera që janë në atë gjerësi gjeografike.

Në kohën e aktivitetit të El Ninos, jugu i Shteteve të Bashkuara përjeton mot të ftohtë dhe të lagësht, derisa pjesë tjera në perëndim të SHBA-së dhe Kanadasë, janë më të nxehta dhe më të thata.

Aktiviteti i uraganeve bëhet më i lëkundshëm, pasi stuhitë nuk arrijnë të formohen në Atlantik, për shkak të ndryshimit të drejtimit të erës.

Mirëpo, ciklonet tropikale forcohen.

Disa pjesë në qendër dhe jug të kontinentit amerikan përballen me reshje të rëmbyeshme shiu, ndonëse rajoni i Amazonës, zakonisht vuan nga kushtet e thata klimatike.

Australia, në anën tjetër, përballet me të nxehtë ekstrem, thatësi dhe zjarre pyjore.

Por, El Nino mund ta gëzojë Gadishullin e Somalisë, i cili është përballur me pesë sezone të dështuara të shiut.

El Nino mund t’i sjellë atij rajoni më shumë shi, për dallim prej La Nina-s.

Historikisht, si El Nino, si La Nina, aktivizohen përafërsisht çdo dy deri në shtatë vjet.

La Nina, që zakonisht ndodh kur ujërat janë më të ftohta në lindje të Paqësorit, mund të zgjasë një deri në tre vjet.

Si mund të ndikojë El Nino në ndryshimet klimatike, është “pyetje e madhe kërkimore”, ka thënë DiLiberto.

Ndonëse ndryshimet klimatike bëhen më të dukshme kur ndodh El Nino – me temperatura të larta, apo shira të rrëmbyeshme – ende nuk dihet saktë nëse ndryshimet klimatike ndikojnë në vetë fenomenin.

Shkencëtarët nuk janë të sigurt nëse ndryshimet klimatike do ta ndryshojnë balancën në mes të El Ninos dhe La Ninas, për ta bërë më të shpeshtë, apo më të rrallë ndonjërin prej tyre.

Shkencëtarët kanë thënë se nëse temperaturat e oqeaneve janë duke u rritur në vazhdimësi, ka pak mundësi që cikli të ndryshojë, pasi baza mbrapa fenomenit është e njëjtë.

Megjithatë, nëse disa pjesë të oqeanit janë më të ngrohta sesa tjerat, atëherë kjo mund të ndikojë se si El Nino luan rol në ndryshim të temperaturave./REL-Limit.al