Ballina Kryesore Njihuni me hotelin më të thellë në botë

Njihuni me hotelin më të thellë në botë

Keni nevojë për pak pushim? Tani mund të paguani për të fjetur 419 metra nën tokë.

Hoteli Deep Sleep, i vendosur nën malet e Snowdonia në Uells, është zyrtarisht hoteli më i thellë në botë.

Kompania Go Below hapi dyert e saj në prill, ku të ftuarit duhet të udhëtojnë nëpër një minierë të braktisur të pllakave viktoriane, për të arritur akomodimin e tyre.

Hoteli ka katër kabina private me dy krevate dhe një shpellë romantike me një krevat dopio.

Një natë e vetme për dy persona në një kabinë private kushton 350 £ ndërsa çmimi për dy persona në shpellën romantike është 550 £. Dhe nëse jeni vetëm, do të duhet të paguani çmimin e dy personave.

Ju mund të rezervoni hotelin vetëm për një natë të së shtunës deri të dielën në mëngjes dhe arritja në dhomën tuaj nuk është aspak relaksuese.

Pas mbërritjes në bazën Tanygrisiau pranë Blaenau Ffestiniog, të ftuarit takohen me drejtuesin e tyre të udhëtimit në orën 17:00.

Nga atje do duhet të bëhet një udhëtim 45 minutash deri në male dhe në fund duhet vendosur një përkrenare, dritë, parzmore dhe çizme përpara se të hysh në thellësitë e minierës më të madhe dhe më të thellë të braktisur në botë.

Udhëtimi poshtë minierës përbëhet nga shkallët e lashta të minatorëve, ura të vjetra, ndërkohë që instruktori jep informacione.

Duhen 60 minuta rraskapitëse për të mbërritur tek hoteli. Njerëzit duhet të vishen trashë pasi temperatura në këtë hotel është rreth 10 gradë celsius dhe të nesërmen në mëngjes dalja në sipërfaqe është më e vështirë sesa zbritja.