Ballina Kryesore Fluturimet e gjata hapësinore ndikojnë në dëmtimin e trurit të astronautëve

Fluturimet e gjata hapësinore ndikojnë në dëmtimin e trurit të astronautëve

Fluturimet hapësinore që zgjasin gjashtë muaj ose më shumë dëmtojnë trurin e astronautëve dhe anëtarët e ekuipazhit mund të kenë nevojë të presin të paktën tre vjet përpara se të kthehen në hapësirë, sipas një studimi të ri, citon “CNN”.

Shkencëtarët krahasuan skanimet e trurit të 30 astronautëve të bëra përpara fluturimeve në hapësirë ​​që zgjasin dy javë, gjashtë muaj ose një vit me skanimet e bëra pasi ata u kthyen në Tokë.

Skanimet zbuluan se zgavrat brenda trurit që janë të mbushura me lëng cerebrospinal, u zgjeruan ndjeshëm brenda trurit të astronautëve që shkuan në Stacionin Ndërkombëtar të Hapësirës në misione që zgjasin të paktën gjashtë muaj.

Lëngu cerebrospinal i siguron trurit mbrojtje dhe ushqim ndërsa largon mbeturinat. Por kur astronautët shkojnë në hapësirë, lëngjet brenda trupit zhvendosen drejt kokës dhe e shtyjnë trurin më lart kundër kafkës, duke shkaktuar zgjerimin e zgavrave.

Shkencëtarët nuk e dinë se sa kohë u duhet barkusheve për t’u rikuperuar plotësisht pas fluturimit në hapësirë, por analiza e tyre tregoi se astronautët përjetuan një rikuperim 55% deri në 64% drejt niveleve të tyre para fluturimit rreth gjashtë deri në shtatë muaj pas një misioni gjashtë mujor në stacionin hapësinor.

Bazuar në rezultatet e hulumtimit, ekipi arriti në përfundimin se astronautëve u duhen të paktën tre vjet ndërmjet misioneve për të lejuar që barkushet e tyre të rikuperohen plotësisht.

Gjetjet mund të përdoren ndërsa NASA dhe agjenci të tjera hapësinore planifikojnë misionet e ardhshme.