Ballina Kryesore Tavë e shëndetshme me bamje

Tavë e shëndetshme me bamje

Përbërësit: 1 kg bamje, 500 gr tul mish viçi, 1 qepë, 2 karrota, 3 domate, 1 tuf majdanoz i freskët, 2 lugë gjelle uthull e bardhë rrushi, vaj ulliri, kripë

Përgatitja: Pastrojmë bamjet duke i prerë bishtin në formë konike, në këtë mënyrë gjatë gatimit ato nuk do të shpërbëhen. I vendosim në një enë dhe i mbulojmë me ujë të ftohtë, i spërkasim me dy lugë uthull, pak kripë dhe i lëmë kështu për gjysëm ore. Uthulla dhe kripa do t’i zbusë pushin që kanë në siperfaqe.

Kavardisim në vaj ulliri qepën e grirë hollë derisa të rezultojë transparente. Shtojmë domatet e grira në mikser, karrotat e prera në copa të vogla, majdanozin e grirë hollë dhe vazhdojmë kavardisjen në zjarr të ngadaltë derisa perimet të zbuten me lëngun e tyre (raportuar sipas recetës së Unëgatuaj.com). 

Shtojmë thelat e mishit të cilave i japim një faqe shumë të lehtë nga të dyja anët, shtojmë një gotë ujë dhe i ziejmë të gjitha bashkë për rreth 30 minuta në tenxhere me presion.

Ndërkohë bamjet i shplajmë dhe i thajmë me letra kuzhine, i spërkasim me pak vaj ulliri dhe i pjekim në furrë të parangrohur në 180°C për 10-15 minuta. Hedhim sipër tyre harxhen me mishin tashmë të zierë dhe sipas dëshirës disa copa patate të cilat e trashin paksa lëngun. E mbulojmë tavën me letër alumini dhe e pjekim në 180°C për rreth 30 minuta. Heqim letrën e aluminit dhe i lëmë derisa të marrin ngjyrë në sipërfaqe. Bamjet janë gati.

T’ju bëjë mirë!