Ballina Kryesore Si e bënë eksploruesit bullgarë shpellën ‘zbulim të vitit’?!

Si e bënë eksploruesit bullgarë shpellën ‘zbulim të vitit’?!

Eksploruesit e shpellave (foto lart nga e majta në të djathtë) Simeon Nenkov, Georgi Nenchev, Stanislav Asenov, Konstantin Stoichkov dhe Slaveya Kostadinova zbuluan një sallë të bukur brenda kompleksit të shpellave të grykës së Iskarit të Stara Planina pranë Lakatnikut, Bullgari.

Ata hetuan hyrjen shpeshherë të anashkaluar të shpellës Zidanka, e cila ndodhet 15 metra nga pika e hyrjes në një nga shpellat më të famshme dhe më të vizituara të quajtur “Temnata Dupka”.

E vogël, plot pluhur dhe e papërshkrueshme, hyrja Zidanka u kalua nga speleologë dhe shpellarë për dekada.

Harta e skajit të sipërm të sallës “Kosio Kasabov” në shpellën Zidanka.

Kjo ndodhi derisa pesë entuziastët po gërmonin pak më thellë në Zidanka për të zbuluar një pjesë të panjohur dhe çuditërisht të bukur të shpellës.

Rajoni është i mbushur me shpella për shkak të sasisë së madhe të ujit nëntokësor që derdhet në burimin Zhitolyub dhe në lumin Iskar. Zgavrat dhe galeritë nëntokësore në zonë janë të lidhura me një sistem të madh shpellash.

Muri që ndante eksploruesit e shpellave nga korridori që ata e zbuluan më vonë.

Në duar dhe gjunjë

Pak nga pak, ata po zvarriteshin ngadalë e më thellë, duke hapur hapësira të ngushta dhe duke hequr fragmente të rrezikshme shkëmbinjsh. Ata u ndihmuan nga një robot që shpiku Asenov, të cilin ai e quan “shkopi i tij selfie”.

Pajisja i ngjan një shufre të gjatë prej shtatë metrash me një kokë të montuar në majë që mund të rrotullohet në të gjitha drejtimet dhe përmban një kamerë me rezolucion të lartë, një dritë dhe disa lloje sensorësh, duke përfshirë laser dhe sensorë tejzanorë për matjen e distancave.

Pas shumë vizitash dhe mbi 100 orë pune të palodhur, ata arritën të pastrojnë masën e shkëmbinjve që bllokuan Zidankën.

Vendin ku ata gërmuan Kostadinova e quajti “të pashpresë”.

Gjatë gjithë ditës mendova se po bëja punë të klasit të parë pa para dhe se isha shumë budallaqe për këtë. Kjo ndodhi derisa zbuluam pjesën e re”, shtoi Kostadinova.

Ne e dinim nga hartëzimi se pas disa metrash do të arrinim në një vend në Temnata Dupka, ku shpellarët mund të arrijnë për rreth dy orë nga hyrja e saj”, tha Stoichkov.

Slaveya Kostadinova regjistron pamjen e kompleksit të shpellave të zbuluar së fundmi.

Shpellat Zidanka dhe Temnata Dupka janë pjesë e një sistemi të madh shpellash që u shkëput nga mbeturinat nga një shembje. Pasi hynë në Zidanka, pesë eksploruesit menduan se kishin ardhur në një rrugë qorre pa asnjë mënyrë për të kaluar 8 metrat e fundit për në Temnata Dupka.

Aty vunë re një çarje në tavan. Nenkovi arriti të ngjitej deri në të, rreth 4-5 metra mbi faqen shkëmbore. Çarja çoi në një rrugë pa krye, ku ai u vonua për një moment para se të kthehej te të tjerët.

Ndjeva një tërheqje të lehtë, që është një shenjë e sigurt se ka një zgavër. Kontrollova me frymën time për të parë nëse ajri po dilte nga diku”.

Pastaj Nenkov shkoi zhagas sa më shumë në kthinën e ngushtë dhe mbi kokën e tij pa një hapësirë të vogël, nëpër të cilën mund të zvarritej. Pas disa metrash, hapësira e zezë e sallës së re u hap para syve të tij.

Unë prisja të shihja të njëjtën gjë si më parë — baltë, gurë, hapje të ngushta — por ishte e tëra një befasi”, tha ai.

Një stalagmit i madh i formuar nga ujëvara në Zidanka.

Salla ishte e bardhë dhe e madhe, me përmasa 72 metra e gjatë, 17 metra e gjerë dhe 15 metra e lartë. Kostadinova e përshkroi atë si “surreale”. Ndryshe nga shpellat e tjera në zonë, salla Zidanka është e mbushur me të gjitha llojet e formacioneve dytësore të shpellave, si stalaktite, stalagmite, draperie dhe kristale.

E gjithë dyshemeja e saj është e mbushur me pishina të vogla dhe të mëdha kalciti. Një ujëvarë rrjedh nga tavani, duke lënë depozita që formojnë një stalagmit të bardhë të lartë përpara se të derdhen në pjesë të tjera të shpellës.

Një liqen i bërë nga kalciti, një mineral që gjendet në gur gëlqeror.

Aleksey Zhalov nga bordi drejtues i Shoqërisë Bullgare të Shpellave i tha Radios Evropa e Lirë se zbulimi i ri në Zidanka është “zbulimi i vitit”.

Për Nenkovin, “Ndjenja e depërtimit atje ku asnjë njeri nuk ka shkelur kurrë, është e pakrahasueshme, duke përjashtuar të gjitha ndjesitë e tjera të njohura për njerëzimin. Ndoshta vetëm astronautët mund ta përjetojnë atë në ditët e sotme.”

Ai e quajti sallën ‘Kosyo Kasabov’, për të nderuar figurën e instruktorit të shpellave, tashmë i ndjerë.

Perde të mëdha stalaktitesh lëshohen nga tavani i sallës.

Pas zbulimit të tij, problem tani është ruajtja e faqes së shpellës nga dëmtimi. Duke hyrë në sallë, duhet të ecësh nëpër baltën e thellë, ngjitëse, të shoqëruar nga formacione të brishta të bardha si bora që mund të dëmtohen ose ndoten lehtësisht.

Një problem tjetër është se tani që ka dalë informacioni për shpellën, njerëz me pak përvojë mund ta arrijnë lehtë atë.

Në mungesë të mbrojtjes ligjore për shpellat, ne duhet t’i mbrojmë ato vetë”, tha Stoiçkov.

U kërkojmë të gjithëve që vizitojnë sallën, ta ndjekin vetëm rrugën e shkelur mirë, t’i pastrojnë paraprakisht këpucët e tyre nga balta dhe të bëjnë përpjekje për ta mbajtur sallën të bukur”, shkruan anëtarët e ekipit në ditarët e klubit, të cilët e përshkruajnë zbulimin ditë pas dite.

Qëllimi i ri i shpellarëve është të gjejnë një mënyrë për të lidhur Zidankan dhe Temnata Dupkan.

Eksplorimi i shpellave nuk do të jetë kurrë, thjesht, vetëm një hobi”, tha Kostadinova./REL-Limit.al