Ballina Kryesore City triumfon në FA Cup, mposhtin rivalët e përjetshëm të United dhe...

City triumfon në FA Cup, mposhtin rivalët e përjetshëm të United dhe janë shumë pranë tripletës

Manchester City është një hap harg tripletës në këtë sezon. ‘The citizens’ mposhtën në finalen e FA Cup rivalët e përjetshëm të qytetit të Manchester United, me rezultatin 2-1. Heroi për skuadrën e Guardiolës ishte Gundogan i cili shënoi të dy golat për ekipin e tij në këtë përballje.

Mesfushori turko-gjerman shkroi historinë në kompeticionin më të vjetër në botë.

Gundogan zhbllokoi sfidën që në sekondën e 12-të, duke u bërë kështu lojtari që realizon golin më të shpejtë në historinë e FA Cup.

Rekordi i mëparshëm mbahej nga Luis Saha, i cili kishte shënuar me fanellën e Evertonit në sekondën e 25-të të duelit ndaj Chelseat, në vitin 2009.

Në minutën e 30-të të sfidës, të besuarit e Ten Hag pretendojnë për një penallti.

Gjyqtari pas një rishikimi të rastit në VAR, akordon një 11-metërsh për ‘Djajtë e kuq’, për një prekje të topit me dorë nga ana e Grealish.

Penalltinë e merr përsipër Bruno Fernandez dhe nga 11 metra larg nuk gabon, duke çuar topin në fundin e rrjetës, në minutën e 33-të të takimit.

Pjesa e parë u mbyll në baraspeshë 1-1.

Në fraksionin e dytë të lojës, të besuarit e Guardiolës kaluan sërish në avantazh.

6 minuta pas rifillimit të lojës, Gundogan me një goditje të majtë nga jashtë zone, shtangu De Gean duke tundur rrjetën.

Futbollistët e Manchester United nuk mundën dot të reagonin dhe të ndryshonin rezultatin, duke u dorëzuar në mitikun ‘Wembley’ ndaj ‘qytetarëve’.

City nga ana tjetër, është shumë pranë shkrimit të historisë, ku tashmë i pret edhe finalja e madhe e Champions League ndaj Interit më 10 qershor, për të kompletuar tripletën./Limit.al