Shkojnë për të kapur një person që kishte thyer masën e sigurisë, dhunohen dy oficerë të policisë së Sarandës

Dy efektivë të Policisë së Komisariatit të Sarandës u dhunuan në krye të detyrës, pasi shkuan për të kapur një person, i cili kishte thyer masën e sigurisë ‘Arrest në shtëpi’.

Ngjarja mësohet të ketë ndodhur pasditen e së mërkurës, teksa dy oficerët shkuan për të kapur 23-vjeçarin Perikli Naçi jashtë banesës së tij.

Ndaj 23-vjeçarit, Gjykata e Gjirokastrës kishte vendosur masën e sigurisë ‘Arrest në shtëpi’ për ‘Prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike’.

Në 16 prill Naçi ishte kapur nga uniformat blu jashtë banesës, por sërish Gjykata e Sarandës kësaj radhe, kishte vendosur masën ‘Arrest në shtëpi’.

Pasditen e djeshme ai u pikas sërish nga Policia jashtë banesës.

Në tentativë për ta ndaluar, Naçi së bashku me shtetas të tjerë kanë goditur punonjësit e Policisë, duke iu shkaktuar dëmtime fizike, për të cilat kanë marrë mjekim në spitalin ‘Petro Nako’ të Sarandës.

Forca të shumta policore kanë shoqëruar të dyshuarin bashkë me disa persona të tjerë në Komisariatin e Sarandës, ku po kryhen veprimet hetimore./Limit.al