Ballina Kryesore Tost me kunguj dhe speca në furrë- Një mëngjes i shpejtë dhe...

Tost me kunguj dhe speca në furrë- Një mëngjes i shpejtë dhe i shëndetshëm

Përbërësit: 3 speca me ngjyrë, 2 thelpinj hudhër, 2 kunguj të njomë, 50 gr domate të thata, 2-3 kokrra vezë, 250 ml qumësht, 3 lugë gjelle parmixhano, 125 gr mocarela, kripë, piper i zi, vaj ulliri, bukë tosti – 12 feta, rozmarinë, trumzë, pak pesto Genovese

Përgatitja: Lajmë dhe pastrojmë specat dhe i presim në kubikë. Kungujt i presim në gjysëm në feta të holla.

Vendosim në tigan 4 lugë vaj ulliri dhe shtojmë në të specat, kungujt, hudhrat e grira hollë, pak trumzë dhe domatet e thata të prera në shirita. I kavardisim perimet për 10 minuta derisa ato të zbuten pak.

Në një tas vendosim 2-3 kokrra vezë, pak qumësht, 1 lugë djathë parmixhano të grirë hollë, kripë dhe piper të zi.

Ndërkohë thekim mirë fetat e bukës derisa të zverdhen pak. Më pas në një tepsi vendosim fetat e bukës në të gjithë sipërfaqen e tavës. Mbi fetat e bukës si mbushje për tost vendosim perimet duke i shpërndarë njësoj mbi çdo fetë. Presim djathin mocarela në feta të holla dhe e shpërndajmë mbi perimet. Përsëri i pudorsim lehtë me pak parmixhano me qëllim që kur të shkrijnë djathërat të ngjiten mbi perime.

Vendosim më pas fetat e tjera të bukës dhe në fund mbi çdo tost vendosim pak nga salca e përgatitur me vezë dhe qumësht. I spërkasim me pak rozmarinë dhe trumzë dhe i vendosim në furrë në temperaturën 200⁰C  për 15 minuta.

Mëngjesi është gati!

T’ju bëjë mirë! /Gatimeshqiptare.com /Limit.al