Ballina Kryesore Një supë verore me plot vlera ushqyese

Një supë verore me plot vlera ushqyese

Përbërësit: 3 lugë gjelle miell misri, 2 lugë gjelle gjalpë ose vaj ulliri, 2 gota me lëng mishi, 1 gotë qumësht, 1 kokërr vezë, 4-5 lugë gjelle kos, 2 feta bukë, kripë, piper

Përgatitja: Në një tenxhere shtojmë gjalpin e freskët, ose vajin e ullirit dhe miellin e misrit. E vendosim në zjarr mesatar derisa të ketë marrë një ngjyrë kafe të hapur. Shtojmë pak nga pak lëngun e mishit duke e përzierë vazhdimisht, që të mos krijohen kokrriza.

Nëse nuk keni lëng mishi, mund të hidhni në masën e ujit një tabletë me koncentrat perimesh ose lëngu mishi. Më pas i shtojmë kripë sipas dëshirës, masa e krijuar lihet në zjarr të ngadalshëm, derisa të jetë në një trashësi mesatare.

Pasi të ketë zierë, e heqim tenxheren nga zjarri dhe e lëmë mënjanë që të ftohet.

Në një tas rrahim vezën dhe gotën e qumështit, dhe kur supa të jetë e ftohur e shtojmë aty. Kur të rrihni vezën, qumështin t’a keni ngrohur fare pak, kështu ajo nuk do të pritet kur ta hidhni tek supa.

Në një tigan hedhim pak gjalpë dhe kur ai të jetë ngrohur shtojmë aty bukën që e kemi prerë më parë në kubik të vegjël. I spërkatim me kripë dhe piper dhe i lëmë në zjarr derisa të kenë marr ngjyrë të artë.

Kur shërbehet, në pjatë hidhet supa, më pas një lugë me kos. Në fund shtohen kubikët e bukës së skuqur.

T’ju bëjë mirë! /Receta-gatimi.info /Limit.al