KOSOVË– Janë betuar këtë të enjte dy kryetarët e rinj të komunave Zveçanit dhe Zubin Potokut. Në komunën e Zveçanit, kryetari i zgjedhur Ilir Peci u betua në shkollën “Isa Boletini”. Përpos kryetarit janë betuar edhe asambleistët e kësaj komune.
Kryetari i ri i Komunës së Zveçanit Ilir Peci vjen nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK). Pak minuta para tij është betuar edhe kryetari i ri i Zubin Potokut Izmir Zeqiri.
Zeqiri gjatë betimit të tij në Çabër tha se do t’i kryejë detyrat dhe do t’i ushtrojë kompetencat me nder, besnikëri dhe në pajtim me ligjin në mënyrë që të sigurojë kushte për një jetë të qetë për të gjithë.
Pas betimit, ai para asamblistëve kërkoi që të jenë të gjithë në nivel të përgjegjësisë më të lartë duke iu ofruar shërbimet qytetarëve të Zubin Potokut pa asnjë dallim.
Izmir Zeqiri: Uroj që të jemi bashkë në punët dhe përgjegjësit tona, të jemi sa më të fokusuar që të zbatojmë ligjin e Republikës së Kosovës në tërë territorin e komunës së Zubin Potokut.