Rrezet ultraviolet të diellit janë shaku i goditjeve nga dielli. Sëmundja paraqitet në formën e një inflamacioni steril të meningjeve, që njihet si meningit. Emërtohet “steril”, sepse ky inflamacion nuk shkaktohet as nga bakteriet, as nga viruset, por vetëm nga rrezatimi diellor. Simptomat kryesore të një meningiti steril janë të njëjta me ato bakteriale ose virale: dhimbje koke e fortë dhe ngurtësim i qafës.

Goditja nga dielli ka nevojë të menjëhershme për freskim dhe zhvendosje në hije të personit të prekur. Situata mund të jetë vdekjeprurëse, nëse shkakton ethe të fortë ose humbje të ndërgjegjes.

Shkaqet

Shkak i kësaj situate është rënia e rrezeve të diellit (UV) në zonën e kokës dhe të qafës. Këto rreze përshkojnë flokët, lëkurën dhe kockat e kafkës, duke depërtuar në tru.

Rritja e shkallës së furnizimit të trurit me gjak shkakton nxehje lokale dhe për pasojë, inflamacion të meningjeve. Ashtu si edhe në rastin e goditjes nga nxehtësia, temperatura e jashtme e lartë apo një sforcim fizik i rëndësishëm, mund të ndikojnë në shfaqjen e goditjes nga dielli. Kjo gjendje mund të shkaktohet edhe nga qëndrimi në lartësi apo mbi një sipërfaqe të ngrirë, nën rrezatimin e fortë diellor.

Simptomat

Personi i goditur nga dielli karakterizohet nga këto simptoma:

  • Kokë e skuqur dhe e nxehtë
  • Dhimbje koke të forta
  • Ngurtësim i qafës
  • Të përziera, të vjella
  • Marrje mendsh
  • Humbje e ndërgjegjes (raste të tilla përbëjnë urgjencë mjekësore)
  • Temperaturë në rritje dhe të dridhura
  • Konjuktivit ose djegie sysh
  • Dëmtime të lëkurës (djegie nga dielli)

Trajtimi

Veprimet e menjëhershme në të tilla raste

Kur personi është i ndërgjegjshëm:

  • Duhet të shtrihet në mënyrë korrekte me kokën të vendosur në pozicion të ngritur dhe veshje të lirshme e që nuk e shtrëngojnë në trup.
  • I vendosen kompresa të freskëta në kokë dhe në qafë, mundësisht në të gjithë trupin, për ta freskuar. Kujdes: nuk duhen vendosur asnjëherë qese me akull direkt në kokë.
  • I jepet një pije e freskët, ndoshta e vakët (por jo e nxehtë!) në formën e çajit me sheqer, lëngut të mishit ose të perimeve, ose përzierje e ujit me pak lëng frutash dhe me pak kripë (për të kompensuar humbjen e kripës).

Nëse personi nuk është i ndërgjegjshëm:

  • Të njoftohet ndihma e shpejtë ose një mjek
  • Të vendoset pacienti në pozicionin anësor të sigurisë, dhe të mos lihet vetëm
  • Të mbulohet gjithë trupi me një mbulesë të freskët, por të mos vendoset akull në kokë. /Medinfo.al /Limit.al