Një ngjarje e rëndë u regjistrua pasditen e së mërkurës në Dibër.
Një fëmijë 13-vjeçar dyshohet se është mbytur aksidentalisht, pasditen e djeshme, në liqenin e fshatit Shumbat në Dibër.
Trupi i pajetë i 13-vjeçarit me inicialet E. S është gjetur rreth mesnatës nga banorë të fshatit, të cilët kishin dalë për t’a kërkuar, pas alarmit të dhënë nga familjarët e të miturit se ai nuk ishte kthyer në shtëpi.
Menjëherë është njoftuar edhe policia e Dibrës e cila ka mbërritur në vendin e ngjarjes dhe ka nisur kërkimet bashkë me banorët.
Banorët e fshatit tregojnë ngjarjen se si e kanë gjetur trupin e pajetë të 13-vjeçarit, ndërsa dyshojnë se ai mund të jetë mbytur aksidentalisht, pasi mund të ketë rrëshkitur në pjesën anësore të liqenit e cila është prej betoni.
Policia e Dibrës dhe grupi hetimor kanë nisur hetimet lidhur me ngjarjen e mbytjes së 13-vjeçarit, për të zbuluar nëse ka patur arsye të tjera, apo është mbytur aksidentalisht.
Njoftimi i Policisë:
Dibër
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Dibër, mbremjen e djeshme, pas kallëzimit nga shtetasi A. S. për humbjen e djalit të vëllait të tij, shtetasit E. S., 13 vjeç, kanë nisur menjëherë kërkimet në zonën e fshatit Shumbat, bazuar në informacionet se ky shtetas ishte parë afër liqenit të këtij fshati.
Pas rreth 2 orësh kërkime, në bashkëpunim me banorët e zonës, është bërë e mundur gjetja dhe nxjerrja nga liqeni i fshatit Shumbat, e trupit të pajetë të shtetasit E. S., 13 vjeç.
Nga këqyrja paraprake, në trupin e 13-vjeçarit nuk janë konstatuar shenja dhune apo dëmtime të tjera.
Nga veprimet e para hetimore dyshohet se ky shtetas është mbytur aksidentalisht.
Grupi hetimor, në drejtimin e Prokurorisë, vijon punën hetimore për zbardhjen e plotë të rrethanave të kësaj ngjarjeje./Limit.al