Ballina Kryesore “Tronditet” sërish Juventus, Apeli i heq 10 pikë nga klasifikimi i Seria...

“Tronditet” sërish Juventus, Apeli i heq 10 pikë nga klasifikimi i Seria A, ngelen jashtë Champions-it, përfiton Milan

Juventus tronditet sërish, kësaj radhe duket se më vendim përfundimtar. Gjykata e Apelit pranë Federatës Italiane të Futbollit ka dënuar ‘Zonjën e vjetër’ me heqjen e 10 pikëve nga klasifikimi i Seria A.

‘Bardhezinjtë’ u dënuan nga Gjykata, pasi ata akuzohen për çështjen e plusvalencave fiktive.

Vendimi është marrë pas thuajse 8 orëve nga momenti i mbledhjes së Gjyqtarëve, të cilët morën parasysh kërkesën e Prokurorisë Federale edhe pse pjesërisht.

Prokuroria kërkoi heqjen e 11 pikëve, ndërsa Apeli i Federatës Italiane e dënoi me heqjen e vetëm 10 pikëve, për çështjen e plusvalencave.

Gjithashtu Gjykata vendosi të lirojë nga akuzat edhe 7 drejtues të klubit nga Piemonte, Pavel Nedved, Paolo Garimberti, Assia Grazioli Venier, Caitlin Mary Hughes, Daniela Marilungo, Francesco Roncaglio dhe Enrico Vellano, për të cilët Prokuroria kishte kërkuar 8 muaj pezullim.

Juventus ishte dënuan më herët me heqjen e 15 pikëve në renditjen e kampionatit, por Kolegji i Garancive Sportive e anuloi vendimin dhe ktheu çështjen për rigjykim.

Ndërkohë, Apeli la në fuqi dënimin e drejtuesve të lartë të klubit si ish-Presidenti Andrea Agnelli, Fabio Paratici e Federico Cherubini.

Me këtë dënim, Juve zbret në vendin e 7 të renditjes në kampionatin italian, në kuotën e 59 pikëve dhe mbetet jashtë zonës Champions.

Kujtojmë që më herët, Juventus u akuzua për mashtrim financiar dhe për mosdeklarim të saktë të të ardhurave financiare.

E duket se vendimi i Gjykatës ka ‘trullosur’ lojtarët ‘bardhezinj’.

Juventus u mposht në transfertë ndaj Empolit, me rezultatin 4-1. Një lojë tepër e dobët dhe zhgënjyese nga ana e skuadrës së Allegrit.

2 golat e Caputos, Luperto dhe Piccoli vulosën suksesin e Empolit, ndërsa për ekipit torinez shënoi Chiesa.

 

Në fushë që nga minuta e parë e lojës për klubin toskan ishte edhe mbrojtësi i kombëtares shqiptare, Ardian Ismajli, i cili zhvilloi një paraqitje të mirë./Limit.al