Qeni është miku më i mirë i njeriut dhe marrëdhënia që krijohet mes kafshës dhe pronarit është shumë e fortë.
Miqtë me katër këmbë bëhen partnerë të jetës në një masë të tillë, saqë kur ata largohen nga ne, mund të flasim për zi të vërtetë që shkakton një ndjenjë dhimbjeje shumë të madhe.
Mosha mesatare e qenve, pavarësisht racës së cilës i përkasin është llogaritur statistikisht nga 10 deri në 13 vjeç dhe për rrjedhojë, kushdo që vendos të kujdeset për një të tillë, fatkeqësisht duhet të përballet edhe me humbjen e tij.
Dhe duke folur për moshën, renditja e rekordeve botërore Guinness së fundmi është pasuruar me një emër të ri si qeni më i vjetër i gjallë në botë. Ai quhet Bobi, jeton në Portugali dhe së fundmi ka festuar 31-vjetorin e lindjes së tij.
Siç thuhet në dosjen zyrtare GWR, qeni ka lindur më 11 maj 1992, i regjistruar në Serviço Medico-Veterinário do Município de Leiria (Shërbimi Mjekësor Veterinar i Komunës së Leiria), i cili konfirmoi datën e lindjes.
Mosha u verifikua gjithashtu nga SIAC, një bazë të dhënash për kafshët shtëpiake e njohur nga qeveria portugeze dhe e menaxhuar nga SNMV (Sindicato Nacional dos Médicos Veterinários; Unioni Kombëtar i Veterinarëve). Bobi thyen kështu rekordin e mëparshëm të australianit Bluey, i cili kishte mbushur ‘vetëm’ 29 vjet e pesë muaj jetë.
Qeni i një race të pastër (ai është një Rafeiro do Alentejo), Bobi nuk u mjaftua vetëm me një titull, por me dy të tillë. Në fakt, ai jo vetëm që është qeni më jetëgjatë, por edhe qeni më i vjetër ndonjëherë.
Prandaj, për të u organizua një festë e rëndësishme për të festuar momentin historik me të ftuar nga disa kontinente. Ferma portugeze ku jeton Bobi, në qytetin e vogël rural të Conqueiros, në Leiria, ka mirëpritur rreth njëqind njerëz nga e gjithë Evropa, Shtetet e Bashkuara dhe madje edhe Japonia.
Pronari i Bobit, Leonel Costa, tha për Rekordet Botërore të Guinness: “Ne kishim shumë gazetarë dhe njerëz që erdhën nga e gjithë bota për të bërë një foto me Bobin”.
Festimet ndoqën folklorin dhe traditat vendase për një festë autentike me stil të madh në tryezë dhe më gjerë. Në fund të fundit, rasti ishte më shumë unik sesa i rrallë, duke pasur parasysh se jeta mesatare e një Rafeiro do Alentejo është midis 12 dhe 14 vjet.