Efektivët e Drejtorisë së Policisë Tiranë kanë vënë në pranga 5 persona, me akuzën e shitjes së lëndëve narkotike.
Të arrestuar janë shtetasit Donald Muhamuçi, 31 vjeç dhe Ermal Lamaj, 39 vjeç, të dy banues në Tiranë, si dhe Kostaq Murtaj, 29 vjeç, Olsi Mylka, 34 vjeç, dhe Shemsi Proda, 30 vjeç, të tre banues në qytetin e Sarandës.
Gjatë aksionit antidrogë, uniformat blu kapën dhe sekuestruan 2.3 kilogramë lëndë narkotike të llojit kokainë.
Kokainën këta persona e siguronin në sasi të mëdha dhe më pas e shisnin atë për rreth 30 mijë euro kilogramin.
Njoftimi i Policisë:
Tiranë
Finalizohet me sukses operacioni policor i koduar “Kodra e Diellit 2”, për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve.
Operacioni i zhvilluar nga Seksioni për Hetimin e Narkotikëve në DVP Tiranë.
Vihen në pranga 5 shtetas që në bashkëpunim me njëri-tjetrin, shpërndanin lëndë narkotike kokainë në sasi të mëdha. Sekuestrohen 2 kg e 300 gr lëndë e dyshuar narkotike kokainë, 3 automjete, si dhe 4 aparate celulare.
Specialistët e Seksionit të Hetimit të Narkotikëve në DVP Tiranë, në vijim të punës për goditjen e aktivitetit kriminal në fushën e shpërndarjes së lëndëve narkotike, pas një pune të mirëfilltë hetimore, bazuar dhe në informacionet e suguruara nga inteligjenca informative, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Kodra e Diellit 2”.
Në kuadër të këtij operacioni u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve
D. M., 31 vjeç, E. L., 39 vjeç, të dy banues në Tiranë, K. M., 29 vjeç, O. M., 34 vjeç, Sh. P., 30 vjeç, të tre banues në Sarandë.
Në rrugën “Rrapo Hekali”, shërbimet e Policisë kanë lokalizuar shtetasit e lartpërmendur, dhe një çantë brenda të cilës dyshohej se kishte lëndë narkotike të llojit kokainë. Gjatë kontrollit të çantës janë gjetur 2 pako me lëndë të dyshuar narkotike të llojit kokainë, me një peshë totale 2 kg e 300 gr.
Nga verifikimet e kryera ka rezultuar se këta shtetas në bashkëpunim me njëri-tjetrin, siguronin lëndë të dyshuar narkotike të llojit kokainë në sasi të mëdha, dhe më pas e shisnin atë rreth 30 mijë euro kg, në vende të ndryshme në Tiranë.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan rreth 2 kg e 300 gr lëndë e dyshuar narkotike kokainë, 3 automjete si dhe 4 aparate celulare.
Vijon puna për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.
Materialet proceduale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme./Limit.al