Ballina Kryesore Klaus Gjasula rikthehet në Bundesligë, Leart Paqarada shënon dhe shpreson ende me...

Klaus Gjasula rikthehet në Bundesligë, Leart Paqarada shënon dhe shpreson ende me St. Paulin ngjitjen në elitë

Kur ka mbetur edhe 1 javë nga përfundimi i kampionatit, Klaus Gjasula me klubin e tij të Darmstadt, që këtë sezon militonte në Bundesliga 2, arritën matematikisht rikthimin në elitën e futbollit gjerman.

Skuadra ku bën pjesë edhe mesfushori i kombëtares shqiptare, ia doli të triumfojë me rezultatin minimal 1-0 ndaj Magdeburg, duke shkuar në kuotën e 67 pikëve dhe siguruar ngjitjen në Bundesligë, duke lënë pas në renditje Heidenheim dhe Hamburger SV.

Një rol tejet të rëndësishëm në këtë sukses të Darmstadt, luajti padiskutim edhe lojtari kuqezi, i cili me paraqitjet e tij ishte një pikë kyçe në mesfushën e klubit gjerman.

Në këtë mënyrë, skuadra e Gjasulës rikthehet në elitë, ku për herë të fundit kishte qenë në Bundesligë në sezonin 2014-2015.

Ndërkohë nga ana tjetër Leart Paqarada shënon në fitoren 3-4 të St. Paulit ndaj Holstein Kiel dhe shpreson ende për një ngjitje në kategorinë e më të mirëve.

Futbollisti i Përfaqësueses së Kosovës, i cili mban edhe shiritin e kapitenit tek skuadra gjermane, realizoi ndaj Kielit në minutën e 74-të, duke shënuar golin e 4-t për ekipin e tij. St. Pauli renditet në vendin e 4-t të Bundesliga 2 dhe ndodhet vetëm 3 pikë larg Hamburgut të vendit të 3-të, që të çon në play-off.

Paqarada ka zhvilluar një sezon mjaft të mirë në ligën e dytë gjermane, duke arritur të shënojë 2 gola dhe të kontriubojë për shokët e ekipit edhe me 10 asiste./Limit.al