Ballina Kosova Dialogu me Serbinë/ Këshilltari i lartë i DASH ‘kokë më kokë’ me...

Dialogu me Serbinë/ Këshilltari i lartë i DASH ‘kokë më kokë’ me Albin Kurtin

KOSOVË– Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka biseduar me Këshilltarin e Lartë të Departamentit amerikan të Shtetit, Derek Chollet, sa i përket dialogut me Serbinë dhe zgjedhjet lokale të mbajtura në veri.  Në një deklaratë për mediat, Zyra e Kryeministrit ka thënë se sa i përket dialogut, në fokus ka qenë Marrëveshja për normalizim të marrëdhënieve, e arritur mes Kosovës dhe Serbisë, në shkurt të këtij viti.

Pajtueshmëria për aneksin është arritur në mars, në Ohër të Maqedonisë së Veriut. Të enjten, Chollet dhe i dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, do të raportojnë para Komitetit të Senatit për Marrëdhënie me Jashtë, lidhur me politikat amerikane kundrejt Ballkanit Perëndimor, shrkruan REL.

Një ditë më parë, të mërkurën, Chollet ka biseduar edhe me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç. Shmangia e tensioneve dhe konflikteve në veri të Kosovës ishin tema kryesore e bisedës “kokë më kokë” mes tyre.

Sipas Presidencës serbe, zyrtari i lartë amerikan ka thënë se është e rëndësishme që Kosova dhe Serbia të vazhdojnë të punojnë drejt normalizimit të marrëdhënieve, dhe sërish ka dhënë mbështetjen e SHBA-së për procesin e dialogut, që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian.

“Presidenti Vuçiç theksoi se Serbia vazhdon të jetë e përkushtuar në politikën e paqes dhe bashkëpunimit në rajon”, është thënë në njoftimin e Presidencës serbe.
Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë ka nisur më 2011.

Rundi i fundit i dialogut, i mbajtur në nivel kryenegociatorësh më 15 maj ka përfunduar pa ndonjë rezultat. Analistët e çështjeve politike ka thënë se pa presion të vazhdueshëm ndërkombëtar nuk pritet të ketë përparim në këtë proces./Limit.al