Ballina Kosova ​“Në emër të popullit pa dëgjuar populli”, seancat e Speciales vlerësohen jotransparente

​“Në emër të popullit pa dëgjuar populli”, seancat e Speciales vlerësohen jotransparente

Për tri ditë me radhë në seancë private është dëgjuar dëshmia e dëshmitares së parë në gjykimin ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare në Kosovës (UÇK), Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi e Jakup Krasniqi në Hagë. Por, ky vendim i trupit gjykues po kritikohet nga njohës e monitorues të këtij procesi gjyqësor të cilët po konsiderojnë se këto veprime të Gjykatës Speciale flasin për mungesë të transparencës në këtë gjykim.

Nga shoqatat e dala nga lufta e UÇK-së thonë se kjo gjykatë që vendimet i merr “në emër të popullit” nuk e lejon që populli të dëgjojë asnjë fjalë nga dëshmitë e dëshmitarëve. Sipas tyre, asnjë dëshmitarë nuk ka pse të ketë frikë dhe të fshihet.

Avokati Florim Shefqeti shprehet se duke marr parasysh masat e sigurisë për mbrojtjen e identitetit dhe personalitetit për dëshmitaren anonime nuk është dashur të privohet publiku kosovar nga dëgjimi i marrjes në pyetje të dëshmitares.

“Në kuptim të peshës dhe rëndësisë së parimit të publicitetit nën masat e siguruara që janë krijuar për fshehjen e identitetit dhe dukjes së tij ne vlerësojmë se nuk është dashur të privohet publiku i gjerë, edhe kosovar, edhe të tjerë, nga dëgjimi i deklaratave të dëshmitarit të parë”, deklaroi Shefqeti.

Shefqeti konsideron po ashtu se me këto vendime të trupit gjykues procesi ndaj ish-krerëve të UÇK-së po bëhet jotransparent.

Ai madje beson që këtë praktikë të mbylljes së seancave me arsyetimin për mbrojtjen e dëshmitarëve Specialja do ta përdori deri në fund të gjykimit.

Monitoruesi i procesit gjyqësor në Hagë nga Fondi për të Drejtën Humanitare në Kosovë (FDHK), Amer Alija shprehet se gjatë kësaj jave 99% seancat gjyqësore në rastin e ish-krerëve të UÇK-së kanë qenë të mbyllur për publikun me arsyetimin e mbrojtjes së dëshmitarit.

Sipas tij, trupi gjykues duhet të kujdeset që përveç deklaratave që mund ta zbulojnë identitetin e dëshmitarit, pjesa tjetër e dëshmisë të jetë e hapur për publikun.

“Mbyllja të themi e plotë e seancave ku dëgjohen dëshmitarët anonimë nuk është në rregull, jo krejt dëshmia e dëshmitarit duhet të jetë e mbyllur”, shprehet Alija.

Për dëgjimin e dëshmitarit të parë ne rastin e Thacit dhe të tjerëve në seancë private për publikun shprehen të shqetësuar edhe Shoqata e Familjeve të Dëshmorëve.

Xhavit Jashari nga kjo dhoqatë thotë se këto veprime të Speciales dëshmojnë se kjo gjykatë është e njëanshme dhe politike dhe synon kriminalizimin e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

“Nuk di se si është e rregulluar me ligjet e Kosovës të thirret një gjykatë në emër të popullit dhe Republikës së Kosovës dhe dëshmitarët të mos jenë të hapur për publikun, kjo dëshmon edhe më shumë se kjo gjykatë është e njëanshme dhe politike siç e kemi trajtuar dhe kemi thënë në vazhdimësi dhe siç i kemi arsyet tona pse nuk e njohim këtë gjykatë”, shprehet Jashari.

Që nga 11 prilli në Dhomat e Specializuara të Hagës ka nisur prezantimi i provave të Prokurorisë në gjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit.

Ndërsa, më 3 prill në Hagë pas dy vitesh të procedurës paraprake, nisi gjykimi i ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nën akuzën për krime të pretenduara lufte. Qysh në nisjen e procesit gjyqësor, ish-krerët e UÇK-së u deklaruan të pafajshëm për të gjitha akuzat me të cilat i ngarkon Prokuroria Speciale në Hagë. Ndërsa, edhe mbrojtja e tyre mohoi të gjitha akuzat që rëndojnë mbi klientët e tyre./Kosovapress-Limit.al