Ballina Aktualitet Ngjarje e rëndë në Gramsh, sherri me thika mes adoleshentëve i merr...

Ngjarje e rëndë në Gramsh, sherri me thika mes adoleshentëve i merr jetën një 15-vjeçari

Një ngjarje e rëndë u shënua mesditën e kësaj të marte në qytetin e Gramshit.

Një sherr mes disa adoleshentëve, ka përfunduar në mënyrë tragjike për një 15-vjeçar, i cili ka humbur jetën, pasi u qëllua me thikë nga bashkëmoshatari i tij.

15-vjeçari Fatjon Bici u dërgua në spital, por fatkeqësisht nuk u mbijetoi plagëve të marra dhe ndërroi jetë.

Ngjarja e rëndë ndodhi pranë shkollës 9-vjeçare ‘Asllan Shahini’, ku mësohet se i riu ishte në klasën e nëntë.

Ndërkohë Policia kapi dhe shoqëroi në Komisariat 4 adoleshentë, mes tyre edhe autorin e ngjarjes së rëndë.

 

Njoftimi i Policisë:

 

Gramsh

 

Rreth orës 13:30, në lagjen “Sport 2”, Gramsh, në rrugë, pas një konflikti të çastit mes 5 adoleshentëve është plagosur rëndë me mjet prerës (thikë), njëri prej tyre, shtetasi F. B., 15 vjeç, i cili pasi është dërguar në spital, ka humbur jetën për shkak të dëmtimeve.  

 

Shërbimet e Policisë, me marrjen e njoftimit, kanë shkuar menjëherë në vendin e ngjarjes.

Pas ndjekjes nga Policia, janë kapur dhe janë shoqëruar në Komisariat, 4 adoleshentët (ndërmjet tyre dhe autori) e përfshirë në konflikt, konkretisht shtetasit E. K., 15 vjeç, A. C., 14 vjeç, O. C., 14 vjeç dhe S. M., 15 vjeç të cilët do të merren në pyetje nga specialistët për Hetimin e Krimeve, në prani të prokurorit, të psikologut dhe të prindërve të tyre. 

Grupi hetimor vijon veprimet për zbardhjen e rrethanave të kësaj ngjarjeje dhe përcaktimin e autorësisë së ngjarjes.

Në përfundim të veprimeve, do të ketë njoftim për arrestimin e autorit dhe për masat që do të merren për 3 shtetasit e tjerë të shoqëruar./Limit.al